O i xhelozuar!
Dije që në fillim se edhe unë pozitivisht të xhelozoj.
Unë për shkak të xhelozisë së xhelozëve të lakmoj!
Ti patjetër duhet të kesh diçka, se thonë që veç pema e mirë gjuhet.
Përmbajtja e mirë është dallimi se një gur a do të shkelet a ruhet.
Jam këtu për të t’i transmetuar disa fjalë që i kam dëgjuar
Nga njerëz të urtë që janë venitur prej njerëzve që i kanë xhelozuar.
Këta janë në gjendje ta shajnë gjithë veprën që kanë bërë bashkë me jetën.
Mirëpo, duke ditur shpërblimin e durimit, sërish lavdërojnë të mirën e të vërtetën.
O i xhelozuar i uruar!
Njeriu i mirë në ballin e vet të gravuara këto parime duhet t’i ketë:
Nuk ia mendoj askujt atë që s’e dua as unë vetë!
Nuk ia kam zili atij që di apo ka më shumë se unë!
Nëse diçka nuk më ka dhënë Zoti, nuk bën t’ua rrëmbej njerëzve me dhunë!
Nëse shoh që ka diç te tjetri, sigurisht te ai s’ka ndonjë gjë që te unë gjendet.
Çdo unazë është për në gisht, por secila prej tyre rri më së miri për kë gdhendet!
Pra, unaza e huaj xhelozëve mundet t’ua bëjë dy të këqija:
O u zhduket prej dore nga gjerësia, o ua zhduk gishtin nga ngushtësia!
O i bekuar!
Poetët thonë se xhelozët janë admirues të hutuar!
Pra, dije se edhe ata nuk e dinë se pse janë duke të urryer!
Për ta arritur dritën e shpirtit, duhet errësirën e egos për ta kapërcyer!
Por ne kot ua heqim perden, kur ata kanë duart në sy.
* KUR DIKUSH TË SHAN ME MLLEF, E DEFINON VETEN, JO TY! *
Këto qenë fjalët e fundit e një të xhelozuari që m’i dha me dry.
Këtë dry munda ta hap vetëm kur u ballafaqova me të në situatë reale.
Dhe të njëjtat nuk vlejnë qind për qind nëse situata nuk është tepër banale!
Kjo është si me injeksionin që sa më të sëmurë që jemi, aq më i mirë na vjen!
Dhe si me syrin e xhelozit: sa më të bukur të jemi – aq më të shëmtuar na vëren!
Poetët tërë kohën janë duke e thënë atë që në fund po e citoj:
“Kur dikush ecën mbi ujë” thonë: “ja ky që nuk di të notojë!”
“Kur diamantit nuk i gjejnë asnjë të metë” thonë: “shkëlqimi i tij të mbyt!”
“Kur dikush sheh larg” thonë: “ky nuk sheh as deri te hunda pa dylbitë!”
Kur kuptojnë se nuk ka pasur dylbi, po ashtu u kanë bërë sytë,
Thonë se shikimi i tyre për ta nuk ka vlerë dhe fare nuk u duhet.
Me pak fjalë:
Xhelozi nga gënjeshtra sulmohet, nga e vërteta ruhet!
Nuk e do as vetja, as njerëzit, prandaj s’di ku të kruhet.
Nuk e do as Zoti, as engjëjt, as asnjë njeri i mirë.
Nuk e duan as të këqinjtë, në çdo listë është i fshirë.
Nuk e duan as kafshët për shkak se nuk shqipton kurrë fjalët “Ma sha Allah!”
Edhe n’i shqiptoftë dy të parat, e treta i del veç si pasthirrmë “Ah! Ah!”
Arsim Jonuzi