Anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u janë shfaqur fotografitë e të vrarëve gjatë konfliktit sirian, foto këto që mund të shërbejnë si dëshmi e torturave brutale.

Në takimin joformal u shfaqën një pjesë e vogël prej 55 mijë fotografive që ish prokurorët për krime lufte i cilësojnë si dëshmi e qartë e torturës dhe vrasjeve sistematike në konfliktin sirian, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.
Aty janë paraqitur viktimat sytë e të cilëve janë nxjerrë, persona të ngufatur dhe të vdekur nga uria. Fotot i ka bërë ish fotografi i Policisë Ushtarake.
Në prezantim janë treguar më shumë se 10 fotografi që janë bërë publike në janar, si pjesë e një hetimi mjeko-ligjor të financuar nga Katari, një nga aleatët më të rëndësishëm të opozitës siriane. Besueshmëria e fotografive ende nuk është përcaktuar.
Ambasadori i Francës në OKB, Gerard Araud, u tha gazetarëve – pas takimit me dyer të mbyllura – se është e rëndësishme që ky trup të shoh imazhet e tmerrit nga Siria, meqë delegacioni francez është duke përgatitur një rezolutë që do të lejojë aktakuza për krime lufte në Siri, para Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
“Ka mbretëruar heshtja. Anëtarët ishin të tronditur”, tha Araud.
Edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Samantha Power, ishte e tmerruar. Ajo ka thënë se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad ka kryer “vrasje industriale në tërë vendin”.
“Kryesit e këtyre krimeve duhet të japin përgjigje. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bashkohet”, ka thënë ajo.
Ministria e Jashtme dhe ajo e Drejtësisë e Sirisë e ka cilësuar këtë prezantim si “të politizuar, amator dhe joobjektiv”. Sipas tyre, “viktimat janë vrarë në luftë ose nga grupet militante”. /Telegrafi/