Disa ditë më parë lexova një opinion gazete dhe, mes të  tjerash, më ra në sy një koment i shkurtër, por kuptimplotë, rreth një shkrimi, ku thuhej edhe: “E gjithë kjo katrahurë është pasojë e skamjes sonë mendore!”. Se ky koment ishte pronë e mbamendjes së ndonjë studenti, arsimtari apo dikujt tjetër, nuk është me rëndësi, për ne është me vlerë fakti se kjo fjali reflekton një filozofi, por po aq dhe një urtësi popullore. Thonë se skamja materiale disi mund të kapërdihet, “por skamja mendore” assesi nuk mund të tejkalohet, pasi kjo e fundit i pjell të gjitha skamjet e tjera, qofshin ato materiale, morale, kulturore, gjuhësore, arsimore, historike, filozofike, politike e të tjera. Parashtrohet pyetja, a mos vallë kjo thënie sot e gjithë ditën e Perëndisë duhet të ngelë jashtë vëmendjes a ndërgjegjes sonë kolektive…, a mos vallë është një mendim i shtrembëruar a i sajuar ose, në instancë të fundit, kështu siç lakohet duhet t’i vihet pika. Gjithsesi, jo. Pavarësisht si mund të interpretohet kjo e thënë, ne besojmë se i shkon këtij vështrimi gazete të radhës, ndonëse, miqtë që m’i lexojnë mendimet më thonë se në aspekt të fjalorit gazetaresk, (“kinse”) i kam paksa agresive a të rebeluara. Edhe përtej faktit se ata kohë pas kohe më “paragjykojnë” dhe me të “drejtë reagojnë”, ne do të vazhdojmë t’i nderojmë me opinionet në fjalë deri sa ata nuk do të bezdisen e nuk do të thonë mjaft më. Nëse ne kemi të drejtë, të vazhdojmë të shkruajmë, atëherë do t’i referohemi datës 14 qershori të motit 2014, kur në një rrjet social, deputeti Nard Ndoka, përçoi a e bëri të ditur këtë haber: “Një lajm shumë i mirë për besimtarët katolikë dhe për Shqipërinë, më datë 21 shtator, Papa Françesku do ta vizitojë vendin tonë. Vëmendja e gjithë botës do të jetë te Shqipëria, bekimi i Papës Françesku do të jetë për ne”, shkruante Ndoka në Facebook.
“Arabaxhiu” i nderuar më tha: “Kur Papa Françesku vajti në Tiranë kishte ndërmend që shqiptarëve toptan t’u përcjellë mesazh paqeje, pavarësisht se ata janë katolikë,  myslimanë, ortodoksë, bektashinj dhe afetarë, mesazh për “piktorin”, mesazh urimi për “doktorin”, për “Lulin”, për “pasanikun”, për “fukaranë”, për gegët, për toskët, për fusharakët, për malësorët, për veriorët a për jugorët, për të katandisurit, për gjyqësorin e korruptuar, për ata që janë pronarë të kioskave ku shesin “gazeta fakultetesh” dhe për shumë të tjerë (jo) të tillë si ata. Pos këtij mesazhi, ai edhe i bekoi gjithë shqiptarët (Eh, punë e madhe se Papa Françesku i paskësh bekuar shqiptarët, kur këta nuk bekojnë njëri-tjetrin!?). Paçka se Papa Françesku bekoi edhe ata që ndihen inferiorë, edhe ata që ndihen të kompleksuar, edhe ata që janë të anashkaluar, edhe ata që “padrejtësisht” ndihen të  privilegjuar, edhe ata që parapëlqejnë ta transmetojnë fjalën e lirë a atë fjalën a mendimin ndryshe. Ani se Ai, bekoi edhe njerëzit apo “djajtë me fytyrë engjëllore a të veshur me kostumin e njeriut me shpirt të pastër!”…, ani se uroi dhe bekoi njerëzit mendjemëdhenj të cilët nuk parapëlqejnë dhe denjojnë të identifikohen me njerëzit e rëndomtë…, ani se bekoi njerëzit që fëmijët e tyre nuk duan t’i identifikojnë me ata të fukarasë, paçka se i bekoi fëmijët e jetimores së Tiranës, kur atyre edhe më tej u mungon ajo përkujdesja serioze institucionale, ani se i bekoi edhe ata fëmijë të cilët gjithë ditën bredhin rrugëve për të mbledhur kanoçe, paçka se bekoi fëmijët romë me buzë të mavijosura, kur ata edhe më tej frekuentojnë udhëkryqet e kryeqendrës në kërkim të njerëzve që japin lëmoshë, ani se i uroi edhe i bekoi zyrtarët që vodhën lekët që Evropa ua kishte destinuar të pastrehëve, paçka se bekoi viktimat a të përndjekurit dhe të burgosurit politikë të Enverit që sot e kësaj dite nuk gëzojnë të drejtën e dëmshpërblimit, ani se i bekoi (post mortum) klerikët që pësuan në vaktin e diktaturës, qofshin ata përkrahës e pasues të katolicizmit, qofshin myslimanë, bektashinj dhe ateistë…, ani se i uroi dhe i bekoi njerëzit që kanë me bollëk dhe që të marrin për fukara dhe për injorantë…, ani se i uroi dhe i bekoi shqiptarët nga Kosova, kur atyre nuk ua njeh sovranitetin e shtetit të tyre, paçka se u tha se kjo çështje nuk është e protokolluar në agjendën e vizitës së tij dhe shumë të tjera “paçka a ani se”.
Se këtë mesazh paqeje dhe këtë bekim e kishte me tamam, nuk e kishte, pasi ditën që braktisi vendin e shqiponjave, nuk i doli “hesapi” as atij, por as neve, as Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, as Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, po as partive të tjera minore…, paçka se i uroi dhe i bekoi të përzgjedhurit e popullit, kur ata në parlamentin a kuvendin e Republikës së Shqipërisë, bënë hallakamën, aty ku turfulluan atë zhurmën e mbytur, të zgjatur e të rëndë, aty ku shfrynë tërë inatin e tyre të akumuluar kundër kundërsh-tarit, kundër vëllait, motrës, kundër gjithsecilit që mendon ndryshe. Ani se Papa Françesku uroi dhe bekoi edhe njerëzit e veshur me kostumin politik, kur këta të fundit në institucionin ligjdhënës e shndërruan mendjen e shëndoshë në grushte, në fyerje më të ulëta, në mendje të trazuar, në fjalor rrugaçërie, ani se i bekoi deputetët kur këta, në vijimësi anashkalojnë a deformojnë edhe atë pak imazh të shtetit, që pretendon strukturat euro-atlantike…, paçka se i bekoi deputetët e inatosur dhe me mendje të trazuar, deputetë të cilët në vijimësi “ i shkojnë pas avazit të sherreve”. Punë e madhe se na solli paqe mes fesh, mes komunitetesh fetare, kur mungon ajo paqja partiake a politike, apo ajo filozofia e politikëbërjes së mirëfilltë, çka se na bekoi, kur neve na mungon ndjenja vetjake a kolektive e përgjegjësisë morale për sjelljet dhe veprimet ndaj të tjerëve dhe atdheut, çka se i marrim uratat, kur ato  në vijimësi i përqeshim a i tallim (Fjala e urtë popullore thotë: “S’bëhet vreshti me urata, po me shata e me lopata”…, po edhe me urtësi)…, paçka se na uroi, kur neve përherë na mungon llogaridhënia përpara sovranit dhe votës së tij deliberative.
Paçka se ne vazhdojmë të shkruajmë për këtë mesele, paçka se Papa Françesku na uroi e na “lavdëroi” për paqen, tolerancën dhe mirëkuptimin në politikën shqiptare, kur në kuadër të “… debatit të Komisionit të Ligjeve degjeneroi përleshja fizike mes deputetëve të shumicës dhe opozitës. Në atë sherr u përfshinë deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri dhe socialistët Xhemal Qefalia dhe Armando Prenga. Sherri u konsumua në korridorin e kryesisë së Kuvendit , ndërsa mes Prengës e Strazimirit pati edhe përplasje fizike. Zanafilla e përplasjes mes ligjvënësve erdhi pas deklaratave të deputetit demokrat Gent Strazimiri në Komisionin e Ligjeve!?”. E bekuar (dhe e lavdëruar) qoftë mendja e shqiptarit! Dhëntë Zoti!!!