Një i urtë sot më thotë:
Kur je në këtë botë,
Më e keqja që mund të të ndodhë është shpirtin në trup ta kesh…
Kur shkon në tjetrën, shpirti të të ngelet këtu, e ti atje trup të jesh…
Kur e pyeta se pse, më tha këto fjalë, që nuk po mundem t’i mbaj…
Meqë i shkova i pikëlluar, njërin sy fsheha, po tjetri filloi të qajë.
Më tha:
Qaj sa të mundesh, që shpirtin nga trupi ta përzësh!
Në trupin tënd ka pak vend, po nuk duhet aty ta lësh!
Dërgoje në botën tjetër, në shtëpinë e vet të vjetër!
Fjalët rrinë më së miri kur shkruhen në letër!
Edhe shpirti yt…
… e unë ia ndala në fyt! Nuk pata më forcë, se m’u rënduan sytë.
O djalosh!
Shpirtit dera i çelet veç kur syri pa lot ngelet.
Loti është ujë që trupin ta trazon.
Trupi s’ka ç’të bëjë e shpirtin e ngushton.
Kur shpirti të ngushtohet, trupi të ngadalësohet,
Zemra krejt të nxihet dhe mendja të çalohet.
Prandaj, lotët mos i ndal, por dije se çfarë po bën!
Gjendjet ti duhet t’i bësh, jo ato duke fjetur të të zënë!
Pikëllimi t’i çel dyert e lotit, kurse lotimi vetëm një derë duhet të çelë:
Derën e daljes së shpirtit të ngushtuar nga trupi i mjerë.
Nëse dëshiron në këtë botë të kesh shpirt të qetë,
Lëre trupin tënd le të vuajë vetë!
Ai edhe ashtu nuk të do, po bile lëre pa ty!
Pra, nëse të urren dikush, mos i dil në sy!
Kur e pyeta se ai a e kishte shpirtin e qetë,
Më tha shpirtin po, po trupi iu kishte tret’.
Prandaj, më tha: herë-herë po rikthehem në jetë,
Po vazhdimisht po e braktis trupin kur po mendon se është bërë mbret.
Së këndejmi!
Asgjë tjetër mos bëfsh në këtë jetë,
Bëje këtë që të thashë, që të kesh shpirt të qetë!
Për trupin, kur ka ndonjë mungesë quhet e metë,
Kurse shpirti sa më shumë që mungon bëhet më i vërtetë!
Sa më shumë ka prani, aq më shumë ka bezdi!
Sa më i pasur të jetë, njeriu friket se do të pësojë varfëri!
Sa më nevojtar, aq më qyqar!
Sa më pak fjalë, kujtohesh me më shumë mall!
Sa më shumë ankesa, aq më pak pranime!
Sa më shumë shpresime, aq më shumë pikëllime!
Dhe sa më në atë botë shpirtin, aq trupin e ke më në këtë botë!
M’i tha urtaku fjalët – e shpërbleftë i Madhi Zot!
Arsim Jonuzi