Në manifestimin e Hixhrit të këtij viti, Forumi Rinor Islam për të parën herë ndau një dekoratë të veçantë, edhe atë për dy të rinj të mrekullueshëm për suksesin e arritur.

Janë vëlla e motër, Valon dhe Valmira Berisha nga Prizreni i Republikës së Kosovës. Zoti i sprovoi me sëmundjen e syve Retinopatia pigmentoza, por njëkohësisht ua kthjelloi mendjet, ua zëvendësoi terrin e syve me dritën e besimit. Me vullnetin dhe dashurinë e tyre ndaj shkencës, si dhe sakrificën dhe kontributin e nënës së tyre, zonjës Zelije arritën suksesin e dëshiruar.

Valoni ka lindur më 24 shtator 1987, ndërsa Valmira më 30 prill 1989, në qytetin e Prizrenit, ku edhe kanë mbaruar shkollën fillore dhe të mesme me sukses shembullor. Shkollimin e vazhduan bashkë edhe në studimet deridiplomike në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Tetovës, të cilin e mbaruan në vitin 2013. Bashkërisht vazhduan edhe studimet e magjistraturës në UT, në Fakultetin Juridik – Drejtimi Gjyqësor. Valoni është në prag të mbrojtjes së temës së masterit: “E drejta e trashëgimisë së femrës sipas Legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe sipas konceptit islam”, ndërsa Valmira sivjet ka mbrojtur temën e masterit , me titull “Integrimi i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës”, dhe ka marrë titullin magjistre e drejtësisë. Këtë vit ajo përfaqësoi Kosovën në Konferencën e personave me aftësi të kufizuara në Turqi, kurse në vitin 2013 ka marrë pjesë në Konferencën mbi të drejtat e njeriut, ku përfaqësoi Komitetin e të verbërve, si dhe njëra nga hartueset e strategjisë së veprimit të Komitetit.

Gjatë manifestimit të Hixhrit u dekoruan nga kryetari i përgjithshëm i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani, poashtu të pranishmit i përshëndeti edhe Valmira e cila falenderoi FRI – në për këtë vlerësim dhe mes tjerash theksoi: “Që e vogël ëndërroja të isha një juriste që do t’i mbroja të drejtat e personave me nevoja të veçanta dhe duke i bashkuar të gjitha forcat me gjithë inspirimin dhe besimin në Zot, hudha poshtë botëkuptimet e njerëzve që kishin ndaj personave me nevoja të veçanta dhe thash se unë do të jem personi dallues për të gjithë tjerët, se personat me nevoja të veçanta nuk janë parazitë të shoqërisë, por ata janë të barabartë, kanë të drejt të integrohen, socializohen sepse fundja edhe ata janë krijesa të Allahut.”