Një nga të gjithë miqtë e urtë që i kam,
Më tha merr ca fjalë që po t’i tham:
Mik!
Dije se gruan nuk mund ta duash më shumë se ç’të do!
Havës i digjej zemra për Ademin, po me gojë një herë i tha “jo!”
Me këtë kuptoje se duhet të jesh më i mençur se ajo,
që ta kuptosh çfarë s’të thotë e jo çfarë po!
O mik i dashuruar!
Nëse gruan e do më shumë se ty ajo,
Ik prej saj ose thuaji lehtas “shko!”…
Kurrë mos robëro një trup nëse shpirti s’të do!
Dhe nëse nuk di çfarë t’i shkruash në letër – asgjë mos i dhuro!
Nëse nuk di t’ia lexosh sytë, nuk mundesh as fjalët!
Sytë e saj janë si poezia e shkruar nga më të rrallët!
E poezia e mirë prore flet, po asnjëherë nuk bërtet,
Ajo nuk të afrohet, po të lë ty t’i afrohesh e ta kuptosh vetë!
O mik!
Mos e shtrëngo të jesh gjithmonë mirë me gruan!
Lër pak gjak të pikojë edhe prej teje, se s’është fer
veç nga shpimet e pickimet e tua ajo ta humbë toruan…
Pra, provoje edhe ti të hysh, pastaj të dalësh nga dhoma pa derë…
Të qenët gjithmonë mirë do të thotë se e tëra është pa vlerë – ose keq.
Kam kuptuar se kjo është urtësia pse ekziston largqofti dreq!
Mik, ki mendjen!
Në heqtë dorë nxitimthi ajo nga ti, ti nga ajo mos,
Se qumështit i duhet veç një vendim për t’u bërë kos!
Kosi nuk është i pamundshëm, por është pasojë,
Pra, mos merr vendim që t’i tharton zemër e gojë!
Mik, merre edhe këtë dhe ik!
Mjafton dyshkronjëshi “ar” për t’u bërë armik!
Prandaj, nëse dëm të bën, floririn mos e quaj të tillë.
Konsideroje veç mjet të mirë, si për bukën çdo grimcë miell.
Një urtësi qëndron në kuptimin e elementeve hënë dhe diell.
Hëna na duhet natën për të na bërë dritë në errësi,
Kurse dielli, edhe natën, po sidomos ditën na jep ngrohtësi!
Arsim Jonuzi