A e kuptojnë njerëzit se t`i ngritësh duart lart për t`iu lutur Allahut të Plotfuqishëm nuk është turp. Bota e çoroditur ka ndryshuar vlerat e njerëzve duke i përzier ato me anti-vlera. Turp është të mos turpërohesh duke qëndruar në vend, pa bërë asnjë gjë të dobishme për vetveten dhe shoqërinë. Ndoshta termi vetvetja, duket si egoizëm. Por edhe shoqëria, pa vetveten është një shkrirje e panevojshme dhe jo reale.
T`i ngresh duart lart dhe t`i lutesh Zotit për hallet, brengat e tua është më mirë sesa t`i ngritësh duart lart dhe të lusësh njerëzit që t`i zgjidhin hallet tuaja. O ju njerëz, a ka përbuzje më të madhe sesa të pritesh gjithmonë prej tjetrit, duke mos bërë asnjë gjë vet? Besimtarët e parë nuk ishin të këtillë, edhe këto që janë të këtillë, zor që mund të etiketohen ose të quhen besimtarë. Të më fale vetvetja dhe shoqëria nëse gaboj me konstatime.
Janë të pafytyrë jo falënderuesit. Ai që nuk falënderon njerëzit, padyshim se nuk falënderon as Krijuesin e botëve. Në raportet njerëzore, ekzistojnë dhëniet para marrjeve. Në raportet shoqërorë, ekziston dashuria para mëshirës. Në raportet vëllazërore, ekzistojnë faljet para qortimeve. Një zemër që falë është më e mirë sesa një zemër që urren e hakmerret.
Të gjithë ne jemi të varur prej njëri-tjetrit. Nuk ka njeri të pavarur. Edhe sikur të duket vetja i pavarur prej tjetrit, t`i je shumë i varur. Edhe ato që kanë shumë janë të varur prej atyre që kanë pak, ose nuk kanë aspak, edhe ato që kanë pak ose aspak, janë të varur prej atyre që kanë shumë. Ky ligj është i mrekullueshëm, i sjell prej Krijuesit të botëve.
Sikur të mos ekzistonte harmoni midis njerëzve, bota do të përflakej prej luftërave të paturpshme. Dhuna nuk është veçori njerëzore. Ajo është pjesë e sistemit djallëzor të vendosur në rendet e njerëzve. Nëse i hulumtojmë predispozitat e dhunës, e shohim se janë të ngjashme ose të njëjta me gjendjen paraprake të djallit, para urdhrit të Zotit për rënie sexhde njeriut.
Shumë njerëz jo që turpërohen t`i ngrenë duart lart e t`i luten Zotit, por turpërohen edhe kur shkojnë në xhami. Krenaria islame nuk është pjesë e identitetit të tyre shpirtëror e moral. Po nuk bën edhe shumë lehtë t`i lëçisim ose largojmë të tjerët prej rendit të njerëzve. Zoti e urdhëroi Musain a.s. që faraonit arrogant t`i flasë me një gjuhë të butë.
Ka njerëz që janë shndërruar në robër të shkaqeve, duke harruar Krijuesin e tyre. A nuk tha Mevlana Xhelaludin Rumi për to:” Por, kur ikin shkaqet, t`i i bie kokës me grusht
                 Dhe bërtet duke kërkuar ndihmë: O Zot!
Dhe, atëherë Zoti të thotë: Shko, pra, te shkaqet!
                 Sa çudi! Ti më kujton mua për shkaqet!”.
Duke hulumtuar dhe jetuar me shkaqet që ekzistojnë në këtë botë, dikush ka filluar edhe që t`i besoj atyre në formë adhurimi. Shkaqet nuk adhurohen, e as pasojat nuk janë një miniaturë besimi. Derisa nuk ka ardhur treni i fundit, robi duhet që të shpresoj në mëshirën e pafund të Krijuesit të botëve. Dera e pendesës është e hapur për të gjithë.
Mjafton t`i ngresh duart lart dhe sinqerisht ti kërkosh falje Allahut, Krijuesit të botëve. Me gjithë zemër të thuash: O Zot, me fal!!!… dhe të mos i kthehesh asnjëherë gabimeve të kaluara….