Një lum reagimesh dhe kritikash janë drejtuar drejt përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, presidentit Ivanov, kryeministrit Gruevski, ministres Jankullovska si dhe përfaqësuesve shqiptar në qeveri, nga politikan, analistë dhe gazetarë të ndryshëm në Maqedoni lidhur me mënyrën e pritjes që ato i rezervuan një krimineli të shpallur nga gjykata e lartë ndërkombëtare e Hagës për ngjarjet e vitit 2001 në fshatin Luboten të Shkupit ku u masakruan pleq dhe fëmijë shqiptar civil të pafajshëm .
Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin në një prononcim për Portalb, i vlerëson veprimet e përfaqësuesve shtetëror, si populiste dhe joserioze, ai vlerëson se Tarçullovski duhej t’ju kërkojë falje shqiptarëve për krimet e 2001-shit.
“Qeveria tentoi në stilin populist të përfitojë përmes këtij manifestimi për Johan Tarçullovskin. Deklaratat e funksionarëve shtetëror ishin joserioze dhe jo të drejta. Më vjen keq që ky rast nuk u përdor për gjëra pozitive, për të tentuar dhe për të kontribuar për tejkalimin e emocioneve dhe ndërtimin e bashkëjetesës. Madje unë vlerësoj se Tarçullovski për edhe ato që e organizuan këtë manifestim duhej ta shfrytëzonin për tu kërkuar falje shqiptarëve për ngjarjet e Lubotenit”, theksoi analisti Nano Ruzhin për portalb.mk
Rastin në fjalë e kanë komentuar mediat e vendit si dhe ato ndërkombëtare. Kryeredaktori i Alsat-M tha se me këtë veprim të qeveritarëve është dëshmuar edhe një herë se Maqedonia është shtet i poshtër.
“Një pushtet që ngre kriminelë dhe vrasës në piedestalet e heronjve nuk është asgjë tjetër përveçse një pushtet i poshtër. Liderët e saj, si presidenti Ivanov ashtu edhe kryeministri Gruevski të cilët në çdo shtet normal duhet të përfaqësojnë të gjithë qytetarët e vendit, rreshtohen në anën e krimit; në anën e atyre që vranë e masakruan fëmijë, gra e pleq – në këtë rast, shqiptarë të Lubotenit në vitin 2001; qytetarë të këtij vendi të quajtur Maqedoni. U rreshtuan kështu vetëm e vetëm se vrasësi i quajtur Tarçullovski paska vrarë shqiptarë e jo qytetarë të këtij shteti” tha Muhamed Zeqiri, kryeredaktor i Alsat-M.
Analisti Sashe Ivanovski në një shkrim të tijin në rrjetin social Facebook ka theksuar se veprimi i qeveritarëve ishte një turp i pa shlyeshëm për Maqedoninë.
“VMRO DPMNE-ja sot i hapi varrin Maqedonisë, tani është çështje kohe kur do ta varrosë! TURP dhe tmerr që kreu shtetëror bashkë me hordhitë nacionaliste, i organizoi festë dhe pritje një vrasësi civilësh të përkatësisë etnike shqiptare… kishte feste fishekzjarrësh, kishte festë o njerëz…” -shkruante analisti Sashe Ivanovski.
Lidhur me rastin në fjalë ka reaguar edhe gazetari nga Luboteni Ziqirija Ibrahimi, i cili e cilësoi këtë akt si vrasje të dytë dhe më të rëndë për shqiptarët veçanërisht ato të Lubotenit.
“Nëse para 12 vitesh na vrau Johani, sot drejtësinë tonë të fituar nga Haga po e vrisni edhe ju, përfaqësues të shqiptarëve në pushtet, po e vrasin ministrat tuaj, po e vret partneri juaj Gruevski por edhe të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë, pra edhe ata të PDSH-së e të tjerët që kurrë nuk thanë asnjë fjalë për Lubotenin. Duke kujtuar me lavdi emrat e të vrarëve dhe të masakruarve të Lubotenit, dhe duke u lutur që shpirti i tyre të prehet në bukuritë e asaj bote siç meritojnë dëshmorët, dëshiroj t’u kërkoj falje që sot, pas 12 vitesh, ne po e nderojmë si hero vrasësin e tyre. Na falni, o dëshmorë, na falni” – shkruante mes të tjerash Zeqirjai.
Harxhimet dhe shfrytëzimin e mjeteve nga buxheti I shtetit për organizimin e këtij manifestimi të pakuptimtë dhe ofendues për shqiptarët e ka komentuar edhe gazetarja Katerina Bllazhevska në një shkrim të sajin.
“Nuk dëgjova sa para janë harxhuar për angazhimin e autobusëve, për binat e koncerteve,për këngëtarët dhe artistët, për helikopterët…Askush nuk beson se Tarçullovski ka kërkuar pritje të tillë, por shumëkush e din se qeveria e organizoi atë pritje vetëm për vete”, shkruan Katerina Bllazhevska.