Kryeministri Rama ka dhënë lejen për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të besimtarëve myslimanë, duke thënë se tani përgjegjësia për vonesën e ndërtimit të saj, i përket vetëm Skënder Bruçaj.  Kreu i qeverisë i dorëzoi lejen kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në qendër të Tiranës.

“Dhe ashtu si Shën Thomai që nuk besonte pa prekur, se u bë një histori kaq e gjatë e në këtë godinë u bëmë kaq shumë burra medemek të mëdhenj, jo për ngas gjatësia, por nga pushteti, që hyjnë e dalin e flasin për leje. Unë di të them vetëm kaq: Ja ku e keni përfundimisht lejen e ndërtimit të xhamisë së re që është po aq e vërtetë saç është e vërtetë shqiponja me dy krerë dhe përkrenarja e Skënderbeut në këtë dosje. Dhe që nga ky moment ka vetëm një përgjegjës për vonesat, emri i tij është Skënder Bruçaj”, ka thënë Rama.
Xhamia e Namazgjasë do të ndërtohet me vetëfinancim nga Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, ndërsa qeveria ka marrë përsipër dëmshpërblimin e pronarëve të truallit mbi të cilin ndërtohet ky objekt kulti.
Por ndryshe nga projekti i Bashkisë së Tiranës që parashikonte përbri Xhamisë edhe një qendër tregtare, qeveria do të financojë ndërtimin e Muzeut të Bashkëjetesës, i cili sipas Ramës, nuk është një çmim për t’u paguar për ndërtimin e xhamisë, por është vetë fryti i objektit.
Ashtu siç edhe i kishte premtuar kreut të Komunitetit Mysliman,  Rama  u dorëzoi myslimanëve lejen për ndërtimin e Xhamisë  në vigjilje të festave të 28-29 Nëntorit, ditë këto që veç simbolikës së çlirimit e pavarësisë së vendit do të simbolizojnë sipas kryeministrit, edhe çlirimin e komunitetit mysliman.
“Jam krenar që në një kohë të shkurtër në detyrën tonë i dhamë zgjidhje një problemi që qëndroi hapur kaq gjatë, kjo tregon se ky problem ka qëndruar hapur si shprehje e mungesës së vullnetit politik, mungesës së përgjegjshmërisë qytetare të drejtuesve të këtij vendi në raport me këtë komunitet, të cilin për fatin më të keq e kanë parë si një burim të ardhurash në vota, duke u munduar gjithnjë të adresojnë zemëratën për mungesën e kësaj xhamie tek kundërshtari. Jam i lumtur që sot s’kemi një xhami ngjitur një pallati e qendre kombëtare, por një xhami pranë së cilës do të ngrihet një muze i bashkëjetesës fetare”, është shprehur Rama.
Rama tha se qeveria ka qenë seriozisht e angazhuar në zgjidhjen e ndërtimit të Xhamisë së  Madhe, e cila sipas tij është zvarritur për arsye politike, ndërsa ky premtim për besimtarët u pa nga paraardhësit e tij si “një depozitë e mundshme votash”.
“Sot përfundon historia e tejzgjatur e pengimit politik të ëndrrës së besimtarëve për të pasur xhaminë e tyre të madhe, krahas besimtarëve katolikë e ortodoksë që kanë tempujt e tyre në qendër të Tiranës. Politika e la për dy dekada në mëshirë të fatit dhe në mes të rrugës lutjen e madhe të myslimanëve shqiptarë në ditët e mëdha që ato i kushtohen bashkërisht Zotit. Dua të jem i qartë me ju: Ne u morëm shumë seriozisht me këtë çështje madhore jo sepse e premtuam, as sepse e pamë këtë komunitet siç është parë rëndom për hir të së vërtetës nga politika, si një depozitë e mundshme votash por sepse ky ishte dhe mbeti deri sot një detyrim etik dhe njerëzor i politikës pa dallim partish pa dallim bindjesh për të bërë të mundur themelimin e këtij vendi kult. Gatishmëria për të bashkëpunuar, gatishmëri që unë e kam parë dhe provuar qysh në krye të herës, kur si kryetar i Bashkisë së Tiranës si kisha mundësitë që i kam sot si kryeministër, për t’i dhënë zgjidhje problemit”, u shpreh kryeministri Rama.
Për kreun e qeverisë, Xhamia e Madhe do të shërbejë jo vetëm për faljen e besimtarëve, por edhe për kureshtjen e kujdo që do të njihet me kulturën e besimit islam, duke i dhuruar qytetit një hapësirë të re kulturore.
“U fol për harram aty ku paqshëm nga dheu do të lartësohet jo një simbol përfitimi por një simbol për shpirtin. Një xhami me qendrën e vet kulturore dhe me të gjitha hapësirat brenda saj, një objekt që shumëkush do të kërkojë të hyj, në mos për tu falur për të marrë mësime, për të qenë pjesë e një jete kulturore, duke qenë se ku objekt na jep edhe një hapësirë të re kulturore në qytet”, tha Rama.
Rama nuk la pa përmendur mbresat që i ka lënë qetësia e myslimanëve përballë provokimeve të politikës, që siç tha ai mund ta kishte shfrytëzuar zemërimin e tyre për “gurë ndaj kundërshtarit”.
“Më shumë mbresa më ka lënë, qetësia gati mistike me të cilën Selim Muça më parë dhe Bruçaj më pas dhe gjithë imamët kanë zbutur qoftë dashakeqësit e radhës apo qoftë edhe dashamirësit e ngutur dhe nuk kanë lejuar për asnjë çast që padurimi nganjëherë në gjithë këto vite dhe zemërimi i besimtarëve, të kthehet në një gur në duart e politikës, që ka provuar se është në gjendje të bëhet zuzare dhe të përdorë si gur për të qëlluar tjetrin çdo ndjenjë dhe zemëratë legjitime. Ju keni përcjellë melhem aty ku kanë mbizotëruar dhimbjet e një plage të hapur për vite me radhë”, deklaroi kryeministri.
Projekti
Xhamia e re që do të ngrihet në sheshin e Namazgjasë është projektuar nga studio “Hassa” e arkitektit turk Muharrem Hilmi Shenalp, i cili ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio, Berlin, Këln, etj. Xhamia do të jetë një objekt me kapacitet faljeje për 5.000 besimtarë njëherësh. Objekti i kultit do të jetë mjaft kompleks duke përfshirë një qendër kulturore, ambiente shërbimi, zyra, salla konferencash, si dhe Muzeun e parë Islam në Ballkan, etj, me një arkitekturë funksionale që i përgjigjet kritereve dhe kërkesave të kohës dhe i hapur për të gjithë qytetarët.
Sheshi i Namazgjasë
Namazgjaja ka qenë një fushë karakteristike e Tiranës ku myslimanët kanë falur namazet me rastin e bajrameve. Selvitë qindravjeçare flasin për lashtësinë e saj. Ajo është e vjetër sa vetë Tirana dhe u caktua si e tillë nga Sulejman Pasha, i cili ndërtoi ndërtesën e parë të Tiranës, xhaminë me emrin e tij. Kjo hapësirë është dëshmitare e ngritjes së flamurit më 26 nëntor 1912, si dhe e shumë ngjarjeve të rëndësishme të historisë së kryeqytetit.
Këtë ditë Tirana e pret prej shumë vitesh, kur edhe revista zyrtare e Komunitetit Mysliman “Zani i Naltë” e vitit 1938 e shtronte si problem në një kohë kur Tirana numëronte vetëm disa mijëra banorë dhe kishte 40 xhami.