Autor: Mr. Artan Musliu

Ramazani është i cili edhe po të mundohemi të gjejmë fjalë nga më të çmuarat dhe më të lavdishmet përsëri nuk do të mund të përshkruajmë vlerën dhe begatinë e tij. Muaj ky në të cilin kërkohet që të kryhet njëra prej pesë shtyllave të Islamit. Pra, në të kërkohet që të kryhet adhurimi i agjërimit, vepër kjo plotë vetëmohim. E që agjërimi është një prej adhurimeve unike dhe të pakrahasueshme me asnjë adhurim tjetër. Kjo pakrahasueshmëri e agjërimit shfaqet në katër aspekte kryesore. Ajo shfaqet në aspektin e ndikimit të tij në përmirësimin e raportit në mes të Krijuesit dhe krijesës njeri, në aspektin e ndikimit të tij në dhënien e shumë shanseve dhe shpërblimeve të shumta, në aspektin e ndikimit që ka në vetë njeriun dhe në aspektin e ndikimit që ka në shoqëri. E ndërsa një gjë të tillë na e dëshmon edhe vetë fjala e Profetit s.a.v.s i cili në një transmetim thotë ‘’Agjërimi është i pakrahasueshëm’’1, e ndërsa në një transmetim tjetër ai s.a.v.s thotë ‘’Agjërimi nuk baraspeshohet me asgjë’’2.

Agjërimi dhe ndikimi i tij në raportin Krijues-krijesë

Është një e vërtetë e pakontestueshme dhe e pamohueshme se vlera e agjërimit është shumë e madhe dhe ndikimi i tij në përmirësimin e raportit në mes të Allahut xh.sh dhe të njeriut është shumë i madh. E ndërsa këtë më së miri na e dëshmon vetë thënia e Profetit s.a.v.s ku thotë se ‘’Allahu xh.sh thotë: Çdo vepër i takon birit të Ademit përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe Unë shpërblejë për të’’3, andaj do të mjaftonte për besimtarin që të jetë i vetëdijshëm dhe në dijeni të plotë se Allahu xh.sh e ka specifikuar këtë veprim të tij duke ia atribuuar vetës së Tij dhe duke e marrë përsipër shpërblimin për të. E padyshim se një gjë e tillë ka ardhur si shkak i asaj se agjërimi është i vetmi adhurim që kryhet fshehtas dhe është plotësisht i fshehtë dhe nuk ka mundësi që askush ta njoh askënd, për nga pamja e jashtë nëse është agjërues apo jo, pasi që njeriu mundet shumë lehtë që të ushqehet fshehtas dhe të proklamojë haptas se është duke agjëruar. Përderisa një gjë e tillë nuk ndodh në adhurimet tjera sepse është e kërkuar që të kryhen në grupe dhe në sytë e të tjerëve, marrim shembull, namazi nuk mund të kryhet në vetmi për shkak se duhet shkuar në xhami për faljen e tij, haxhi nuk mund të kryhet në vetmi pasi që duhet shkuar në Qabe për kryerjen e tij, zekati nuk mund të kryhet në vetmi pasi që duhet të ua dhurosh të tjerëve parat e nxjerra në emër të zekatit, e kështu me radhë. Pra, duke e ditur që vlera e tij është shumë e madhe dhe pozita e tij është e veçantë tek Allahu xh.sh e këtë e kuptojmë edhe nga vetë transmetimi i Profetit s.a.v.s ku thotë ‘’Agjërimi nuk krahasohet me asgjë’’, atëherë padyshim se një adhurim i tillë është dhuratë e jashtë zakonshme e cila do të ndihmojë shumë dhe ka ndikim fundamentalisht të rëndësishëm në përmirësimin e raportit ndërmjet njeriut dhe Krijuesit të tij. E po ashtu një gjë të tillë na e dëshmon edhe vetë citati i Kuranit në të cilin Allahu xh.sh thotë” ” يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ (O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm)’’4. Pra nga ky citat shihet fare mirë se agjërimi është shkak për të fituar devotshmërinë ndaj Allahut xh.sh dhe dihet fare mirë se devotshmëria është një prej shkallëve më të përsosura në raportin njeri-Krijues.

Agjërimi dhe ndikimi i tij në aspekt shoqërorë (Krijesë-Krijesë)

Agjërimi po ashtu ka një ndikim të madh në aspektin shoqërorë dhe në aspektin e rregullimit të raporteve ndër njerëzore. Meqenëse një gjë të tillë mund të e kuptojmë nga fjala e Profetit s.a.v.s ku thotë se ‘’Agjërimi është mburojë’’5, e që sipas Imam Neveviut fjala mburojë ka ardhur në kuptimin e të mbrojturit të besimtarit nga fyerjet, nga sharjet, nga ofendimet dhe nga grindjet me të tjerët.6. E dihet fare mirë se këto janë shkaktarët kryesorë që ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve dhe shkatërrimin e raporteve shoqërore. Gjithashtu një gjë të tillë mund të e mbështesim edhe tek thënia tjetër e Profetit s.a.v.s që thotë ‘’Agjërimi është mburojë ndaj askush prej jush mos të fyej dhe mos të ofendojë e nëse dikush e nxit atë atëherë ai le të thotë: Unë jam agjërues, Unë jam agjërues’’7. Agjërimi po ashtu ka një ndikim mjaftë të madh edhe në aspekt të solidariteti dhe ndërveprimit me të tjerët. E ndërsa një gjë e tillë shihet qartë edhe nga vetë porositë e Profetit s.a.v.s i cili duke na nxitur që të jemi solidarë me të tjerët, e në veçanti me agjëruesit, thotë ‘’Kush i ofron iftar një agjëruesi do të ketë shpërblimin e tij pa iu pakësuar as njërit prej tyre’’8, e mbi të gjitha një gjë të tillë e shohim edhe nga vetë praktika e Profetit s.a.v.s ndërsa në lidhje me këtë na tregon Ibn Abasi r.a se Profeti s.a.v.s ishte shumë bujar dhe më së shumti bujarinë e tij e shtonte gjatë agjërimit.9. Po ashtu kemi edhe traditën e Profetit s.a.v.s në nxjerrjen e sadakas së fitërit që, përveç asaj që është pastrim për agjëruesit, është edhe një mundësi përmes së cilës kultivohet ndjenja altruiste si ajo e dashamirësisë, përkrahjes, ndihmës reciproke dhe solidariteti mes njerëzve.

Agjërimi dhe ndikimi i tij në vetë njeriun

Agjërimi, si një prej adhurimeve më madhore të Islami, karakterizohet edhe për nga ndikimi i tij që ka në vetë njeriun. Ky ndikim vije si për nga aspekti fiziko-psikologjik e po ashtu edhe për nga aspekti shpirtërorë i tij.

  • Ndikimi i agjërimit për nga aspekti fizik:

Ndikimi i tij për nga aspekti fizik shfaqet në atë se agjërimi ndihmon mjaftë mirë që të bëhet një pastrim i brendshëm i organizmit të njeriut andaj me plotë të drejt ai është quajtur edhe si ‘’Operim i pa brisk’’.

  • Ndikimi i agjërimit për nga aspekti psikologjik:

Agjërimi po ashtu ka ndikim, dobi dhe begati të shumta edhe në aspektin psikologjik të njeriut pasi që ai ndihmon në uljen e shtypjes së gjakut dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në uljen e temperamentit të njeriut e ndërsa një gjë të tillë mund të e mbështesim edhe në transmetimin e Profetit s.a.v.s i cili ua kishte preferuar agjërimin të rinjve që nuk kishin mundësi që të martohen, e ndërsa në lidhje me këtë Profeti s.a.v.s thotë ‘’O të rinj kush ka mundësi prej juve që të martohet le ta bëjë këtë e kush nuk ka mundësi atëherë le të agjërojë’’10. Pra, agjërimi këtu është përdorur si një masë preventive dhe një masë mbrojtëse që u është sugjeruar të rinjve në mënyrë që të bëhet ruajtja e tyre nga rënia, eventuale, në amoralitet e që dihet fare mirë se një prej shtytësve kryesorë për një gjë të tillë është temperamenti i njeriut. Gjithashtu në një transmetim tjetër Profeti s.a.v.s thotë ‘’Me të vërtetë rrëgjoja për pasuesit e mi është në agjërim’’11. Po ashtu ai ndikon edhe në heqjen dhe shtypjen e mendimeve negative që njeriu bartë në veten e tij e që këtë e kuptojmë nga thënia e Profetit s.a.v.s ku thotë ‘’Agjërimi i muajt të Ramazanit dhe i tri ditëve të çdo muaji largojnë ligësinë prej zemrave tuaja’’12.

  • Ndikimi i agjërimit për nga aspekti shpirtërorë:

Po ashtu agjërimi ndikon edhe në aspektin shpirtërorë të njeriut pasi që ai ndihmon në lehtësimin e ndërgjegjes së njeriut, është nxitës për pendim dhe falje. E ndërsa falja gjatë agjërimit dallohet pasi që ajo karakterizohet me fshirjen e mëkatit e këtë gjë e kuptojmë nga vetë lutja që është preferuar nga Profeti s.a.v.s që të thuhet gjatë këtij muaji e që është ‘’O Allah! Ti je falës e donë faljen andaj më fal mua’’13/14. Po ashtu, agjërimi ndikon edhe në gëzimin e agjëruesit dhe gëzimi është një shkak tejet i madh për qetësinë shpirtërore, e ndërsa në lidhje me këtë Profeti s.a.v.s thotë ‘’Agjëruesi ka dy gëzime, njërin në iftar dhe tjetrin kur të takohet me Zotin e tij do të gëzohet për agjërimin e tij’’15. Agjërimi ndikon në aspekt shpirtëror edhe nga ajo se e ndihmon agjëruesin që të lirohet për nga brengat e tija dhe shqetësimet e tij e një gjë të tillë ai e bënë me anë të lutjeve pasi që e di se gjatë agjërimit lutjet e agjëruesit janë të parefuzuara, e që në lidhje me këtë Profeti s.a.v.s thotë ‘’Lutja e agjëruesit është e parefuzuar’’16, dhe kjo e nxitë që të shtojë lutjet edhe më shumë.

Agjërimi dhe ndikimi i tij në shpërblimet e shumta

Agjërimi karakterizohet për nga shpërblimi i tij shumë i madh që ia ofron agjëruesit. Ndërsa në lidhje me këtë kemi shumë transmetime por që do të ndalemi në vetëm disa prej tyre. Profeti s.a.v.s në lidhje me agjërimin, në një prej transmetimeve të tij, thotë ‘’Juve veçse ju ka arritur muaj i Ramazanit në të cilin Allahu xh.sh ua bëri obligim agjërimin, në të do të hapen dyert e xhenetit, do të mbyllen dyert e xhehenemit, do të prangohen djajtë dhe në të gjendet nata e Kadrit që është më e vlefshme se njëmijë muaj e kush privohet nga mirësia e saj veçse është prej të privuarve’’17. Pra, nga ky transmetim kuptohet bindshëm se sa mirësi dhe sa begati na sjell ky muaj. Po ashtu kemi edhe transmetimin tjetër ku Profeti s.a.v.s thotë ‘’Kush agjëron një ditë Allahu xh.sh do ta largojë fytyrën e tij prej zjarrit të xhehenemit për shtatëdhjetë pranvera’’18, pra mjafton një ditë agjërim që ndasia ndërmjet teje dhe zjarrit të xhehenemit të jetë plotë shtatëdhjetë vite. E po ashtu në një transmetim tjetër Profeti s.a.v.s thotë ‘’Kush beson në Allahun xh.sh, në të Dërguarin e Tij, fal namazin dhe agjëron Ramazanin do të jetë përgjegjësi e Allahut xh.sh që ta fus në xhenet….’’19, pra nga ky transmetim shihet fare qartë se agjërimi është shkak për futjen e agjëruesit në xhenet. Agjërimi po ashtu është edhe shkak për zbritjen e mëshirës së Allahut xh.sh, për zbritjen e begative të tij, për ndërmjetësim në ditën e Gjykimit, siç edhe i jep vlerë dhe pozitë shumë të lartë agjëruesit duke ia mundësuar që të futet nga dera e veçantë që u dedikohet vetëm agjëruesve, si dhe ia mundëson që në xhenet të jetë fitues i dhomave të veçanta që u premtohet agjëruesve dhe që karakterizohen për nga tejdukshmëria e tyre. Pra, agjërimi është shkak për shumë shpërblime përveç faktit të njohur që është karakteristikë dhe që nuk është i shkrirë në një të tërë me të tjerët nga ana e Allahut xh.sh. Ai është një prej adhurimeve më unike dhe më të veçanta edhe për arsyen se asnjëherë nuk është specifikuar ndonjë i adhuruar me agjërim pra kjo është enkas vetëm për Allahun xh.sh.

Andaj, nga ajo që u cekë më lartë, mund të kolaudojmë se agjërimi ka ndikimin e tij të shtrirë në shumë fusha dhe në shumë sfera të jetës së njeriut dhe kjo është një arsye shumë e fuqishme që besimtarët mos të tregohen aq mendjelehtë dhe të e anashkalojnë këtë rast madhorë pasi që edhe sikur të agjëronin gjatë tërë jetës së tij nuk do të mund të e kompensonin një ditë të humbur nga agjërimi gjatë Ramazanit. E padyshim se shembulli i këtij muaji ngjason me shembullin e një lokomotive që pas vetës tërheqë plotë tridhjetë vagonë dhe të takon ty përzgjedhja se me çka do i mbushësh.

Allahu xh.sh na e mundësoftë agjërimin e Ramazanit ashtu siç Ai do të ishte i kënaqur prej nesh…

——–

Fusnotat:

1-Hadithin e transmeton Imam Nesaiu në librin mbi Agjërimin, trans. Nr. 2190, e po ashtu edhe Imam Ahmedi në Musnedin e tij, trans. Nr 21636. E ndërsa Imam Albani e shënon si transmetim Sahih në editimin mbi librin e Imam Nesaiut.

2-Hadithin e transmeton Imam Nesaiu në librin e tij mbi Agjërimin, trans. Nr. 2193, e po ashtu e shënon edhe Imam Ibn Hibani ndërsa Shuajb El-Arnauti thotë se zinxhiri transmetues i tij është i vërtetë. Këtë hadith si të vërtetë e shënon edhe Imam Albani në editimin e tij mbi librin e Imam Nesaiut.

3-Hadithin e transmeton Imam Buhariu, trans. Nr. 5927, e po ashtu edhe Imam Muslimi, trans. Nr. 1151, si dhe të tjerë.

4-Kaptina El-Bekare, citati 183.

5-Transmetimin e shënon Imam Muslimi, trans. Nr. 1151, po ashtu e shënon edhe Imam Nesaiu, trans. Nr. 2197, si dhe të tjerë.

6-Transmeton Imam Muslimi, trans. Nr. 1152, shih komentimin e tij.

7-Transmetimin e shënon Imam Buhariu, trans. Nr. 1894, si dhe Imam Nesaiu 2186.

8-Transmetimin e shënon Imam Tirmidhiu, trans. Nr. 735, e ndërsa Imam Albani në librin e tij Sahih Et-Tirmidhi e shënon si të vërtetë. Këtë transmetim po ashtu e shënon edhe Imam Ibn Maxheh, trans. Nr. 1726. E ndërsa edhe Shuajb El-Arnauti thotë se transmetuesit janë të vërtetë, shih Sahih El-Xhami’j, trans. Nr. 6415.

9-Transmeton Imam Buhariu, trans. Nr. 1902.

10-Transmetimin e shënon Imam Buhariu, trans. Nr. 1905, si dhe Imam Muslimi, trans. Nr. 1400, e po ashtu ky transmetim transmetohet edhe nga të tjerët.

11-Transmetimin e shënon Imam Ahmedi, trans. Nr. 6575, e po ashtu edhe Taberaniu ndërsa Imam Albani në Sahih El-Xhami’j thotë se ky transmetim është i vërtetë, shih; trans. Nr. 3228.

12-Këtë transmetim e shënon Bezari ndërsa Imam Albani në Sahih Et-Tergib thotë se është transmetim i vërtetë, shih; trans. Nr. 1032.

13- Këtë transmetim e shënon Imam Tirmidhiu, trans. Nr. 3513, po ashtu e shënon edhe Imam Nesaiu 7712, e ndërsa Imam Albani në librin e tij Sahih Et-Tirmidhi, 3/170, e shënon si transmetim të vërtetë.

14-Fjala عفو– afuv në gjuhën arabe vije në kuptimin e faljes së gabimit me shlyerje të saj, do të thotë e bënë gabimin si të mos kishte ekzistuar fare përkundër fjalës مغفرة– magfireh që është po ashtu falje por me mbetje të mëkatit apo gabimit. Për më shumë mund të i referoheni edhe librit El-Maksad El-Esna të Imam Gazaliu 1/140.

15-Transmetimin e shënon Imam Muslimi, trans. Nr. 1151, po ashtu e shënon edhe Imam Tirmidhiu, trans. Nr. 695, si dhe të tjerë.

16-Transmetimin e shënon Imam Ahmedi, trans. Nr. 9793, e ndërsa Zejni në Musned, 9/411, thotë se transmetimi është i mirë e ndërsa po ashtu thotë se këtë transmetim e ka shënuar edhe Ibn Ebu Shejbe dhe Ibn Hibani.

17-Transmetimin e shënon Imam Nesaiu, trans. Nr. 2079, e po ashtu edhe Imam Ahmedi, trans. Nr. 7108, e ndërsa Imam Albani në editimin e tij mbi librin e Nesaiut thotë se ky transmetim është i vërtetë.

18-Transmetimin e shënon Imam Buhariu, trans. Nr. 2840, e po ashtu edhe Imam Muslimi, trans. Nr. 1153, si dhe të tjerë.

19-Transmetimin e shënon Imam Buhariu, trnas. Nr. 2790, e po ashtu edhe Imam Ahmedi, trans. Nr. 7863.