Ramazani në stinën e verës

Në disa shtete – ashtu sikurse edhe në Shqipëri – muaji i Ramazanit përkon me stinën e verës, ku vapa arrin kulmin. Padyshim që në këtë gjë ka një urtësi hyjnore. Në ndryshimin e natës, ditës dhe stinëve të vitit ka mësim për ata që reflektojnë. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ndërron ditën dhe natën. Me të vërtetë, në këtë dukuri natyrore ka mësim për ata që kanë mend”([1])

Nuk ka dyshim, se muslimani që agjëron në stinën e verës, has vështirësi të madhe. Vështirësia më e madhe qëndron në faktin, se atë e kaplon një etje shumë e madhe, veçanërisht nëse ai bën punë të rënda si për shemull në ndërtim etj. Në këtë kontekst dëshiroj të jap disa këshilla për çdo agjërues:

Nëse në derën tënde troket një mik i shtrenjtë, a nuk do t’i uroje atij mirseardhjen dhe do ta prisje me gjithë të mirat, edhe sikur të jesh sëmurë apo i varfër?! Miku, i cili po të troket në derë, është mik hyjnor që Allahu i Lartësuar e ka dërguar në derën tënde. Po si mos të gëzohemi e të jemi të lumtur nga ardhja e këtij miku?! Secili prej nesh e zgjat dorën e tij në ferra për të marrë manaferrën. Pavarësisht gërvishtjeve të shumta, ne ndihemi të lumtur kur e marrim manaferrën dhe e shijojmë atë me kënaqësinë më të madhe. Po kështu është edhe puna e agjërimit në ditët e nxehta të verës.

Besimtari musliman duhet të bëjë një krahasim ndërmjet atij personi që nuk e lodh veten për të agjëruar në verë dhe atij njeriu i cili agjëron në pikun e vapës dhe e kalon ditën me adhurim, duke shpresuar tek shpërblimi. Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: [Kur Musai (a.s) shkoi të takonte Hidrin, u lodh shumë dhe kishte shumë uri. Ai (a.s) i tha djaloshit që e shoqëronte: “Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë!”([2]) Në këtë rast Musai (a.s) do të takohej me një njeri. Mirëpo 40- të ditë tek Zoti, nuk hëngri ushqim, por nuk ndjeu as lodhje e as uri. Po kështu është udhëtimi i zemrës për tek Allahu i Lartësuar, ajo nuk lodhet dhe as nuk ka uri, ndryshe nga rasti kur  personi udhëton për të takuar ndonjë njeri..]([3])

Allahu i Lartësuar e ka caktuar – ashtu sikurse edhe në vitet e shkuara – që Ramazani të bjerë në muajin e qershorit, që është një muaj relativisht i nxehtë. Ky caktim i Allahut të Lartësuar duhet të na shtojë sa më tepër besimin, nënshtrimin dhe ne nuk duhet ta kundërshtojmë caktimin e Tij.

Çfarë është muaji i Ramazanit? Ai është praktimi i fjalës “La ilahe il la llah”, është praktim i një çështjeje që Allahu i Lartësuar e ka zgjedhur dhe e ka bërë obligim për ne, ashtu sikurse e ka bërë edhe për ata që kanë qenë përpara nesh, pasi në të ka shumë mirësi. Le të jetë motoja jonë gjatë agjërimit të Ramazanit në ditët e nxehta të qershorit: “Sa i lehtë është përballimi i vështirësisë në rrugë të Allahut” Profeti (a.s) e ka quajtur muajin e Ramazanit “muaji i durimit”. Ai (a.s) ka thënë: “Agjërimi i muajit të durimit dhe agjërimi i tre ditëve për çdo muaj e largojnë zilinë e zemrës.”([4])

Besimtari musliman duhet të kujtojë, se vapa e verës vjen prej nxehtësisë së Xhehenemit. Profeti (a.s) ka thënë: “Zjarri i Xhehenemit iu ankua Zotit  duke i thënë:  O Zoti im? Anët e mia po hanë njëra-tjetrën. Kështu Allahu i lejoi atij dy frymëmarrje; njërën në dimër dhe njërën në verë. Frymëmarrja e verës është, kur ju ndjeni vapën më përvëluese, ndërsa frymëmarrja e dimrit është, kur ju ndjeni të ftohtët më të egër.”([5])

Në betejën e Tebukut sahabët marshuan për t’u ndeshur me ushtrinë bizantine. Marshimi ishte tepër i gjatë dhe përveç kësaj ata duhet të marshonin në zhegun e vapës. Mirëpo as varfëria, as uria dhe as vapa përvëluese e shkretëtirës nuk i shmangu ata, për t’iu bindur urdhrit të Allahut të Lartësuar dhe të Profetit (a.s). Disa njerëz (hipokritë) – përpara se sahabët të niseshin për në luftë – u thanë atyre: “Mos dilni të luftoni në vapë!” Mirëpo përgjigja ndaj tyre ishte: “Thuaju: Zjarri i Xhehenemit e ka vapën edhe më të fortë”([6]). Kjo gjë duhet të na vijë gjithmonë ndërmend, nëse mendojmë se agjërimi në piskun e vapës është i vështirë, apo nëse shejtani i mallkuar na shtyn për mos të agjëruar, apo nëse njerëzit me karakter të dobët na thonë, që mos të agjërojmë. Le të themi me zë të lartë: “Zjarri i Xhehenemit e ka vapën më të lartë”.

Nëse besimtari musliman dëshiron të pijë ujë të ftohtë, teksa agjëron në ditët e nxehta të Ramazanit, le të kujtojë thirrjen që banorët e Zjarrit të Xhehenemit u bëjnë banorëve të Xhenetit: “Derdhni pak ujë tek ne ose diçka nga ajo që ju ka dhuruar Allahu.”([7]) E lusim Allahun e Lartësuar, që të na ruajë nga Zjarri i Xhehenemit.

Imam Buhariu shënon në librin e tij, se Profeti (a.s) i ka thënë Aishes (r.a): “Ti do të shpërblehesh në varësi të lodhjes dhe asaj që ke shpenzuar”. Është e vërtetë, që agjërimi në verë nuk është njësoj si agjërimin në dimër, por lodhja, mundi, sakrifica dhe energjia e madhe që shpenzon besimtari në verë, shpërblehet më shumë sesa në dimër. Transmetohet se Ebu Bekri (r.a) agjëronte gjatë ditëve të verës, kurse gjatë dimrit nuk agjëronte (këtu bëhet fjalë për agjërimin vullnetar).[8] Kur disa njerëz panë një grua të devotshme që po agjëronte në piskun e vapës, e pyetën me habi, se përse e bënte këtë gjë. Ajo u tha: “Kur malli është i lirë, e blejnë të gjithë”. Besimtari i cili bën durim ndaj etjes së madhe dhe shpreson në shpërblimin e pakufishëm që Allahu i Lartësuar i jep agjëruesit, duhet të kujtojë ditën, kur Allahu i Lartësuar i thotë banorëve të Xhenetit: “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë që keni bërë në ditët e kaluara”([9]).

Në ditët e nxehta të verës, agjëruesit i lejohet që të freskohet, sepse kur Profeti (a.s) agjëronte në ditët e nxehta, hidhte ujë mbi kokë. Kur Ibn Omeri (r.a) agjëronte e lagte rrobën me ujë për ta lehtësuar sadopak vapën apo etjen që kishte.

I lumtur është ai njeri, i cili e agjëron këtë muaj të bekuar. /http://ardhmeriaonline.com/


[1] – Sure Nur: 44

[2] – Sure Kehf: 62.

[3] – “Bedaiul Feuaid” i Ibn Kajmit; 2/212

[4] – Transmeton ibn Hibani dhe Ahmedi.

[5] – Buhariu: 537.

[6] – Sure Teube: 81

[7] – Sure: 50.

[8] – Bëhet fjalë për agjërimin vullnetar.

[9] – Sure: 24.

 

Të ngjajshme