Forumi Rinor Islam shpreh shqetësimin e tij në lidhje me rrahjet e fundit që po ndodhin ndaj fëmijëve dhe të rinjëve shqiptarë nga huliganët dhe vandalët maqedonas. Fotografia e fundit ku një i ri 18 vjeçar u rrah nga një grup prej 12 maqedonasve ka tronditur publikun në vend por edhe më gjërë duke mbjellur pasigurinë dhe frikën e lëvzijes së lirë të të rinjëve por edhe të rriturve në këtë vend.

Fatkeqësia është edhe më e madhe kur e kemi parasysh faktin se dhjetëra rrahje të tjera të ngjashme kanë kaluar vetëm si lajme nëpër media pa u zbardhur asnjë rast i vetëm.

Duke e pasur parasysh këtë situatë, ju bëjmë thirrje urgjente organeve të policisë, Ministres për punë të brendshme znj. Gordana Jankullovska, e në veçanti edhe zëvendës ministrit për punë të brenshme z. Zemri Qamili që të marrin hapat e nevojshëm për zbardhjen dhe parandalimin e rasteve të tilla, sepse rastet e tilla veç pasigurisë, mund të sjellin edhe nxitjen e rasteve tjera të hakmarrjes por edhe përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Forumi Rinor Islam, njofton se në rast të mosgjetjes së fajtorëve dhe zbardhjen e rasteve të tilla në një afat të caktuar, do të thërras për protesta dhe dalje në rrugë me qëllim të bërjes së presionit deri te institucionet për gjetjen e fajtorëve dhe marrjen e masave adekuate për parandalimin e këtyre sulmeve.

 

Zyra për marrëdhënie me publikun pranë Forumit Rinor Islam