Dhuna kundër myslimanëve në Bashkimin Evropian është në rritje në mesin e një varg vendesh anëtare që regjistrojnë zyrtarisht incidentet e tilla. Një raport i publikuar këtë javë nga Agjencia për të Drejta Themelore (FRA), me qendër në Vjenë, ka zbuluar se në Finlandë, Francë dhe Suedi është shënuar një rritje e sulmeve kundër myslimanëve gjatë viteve 2010-11.
Vetëm në Austri është shënuar rënie e incidenteve të tilla. Të dhënat mungojnë nga çdo vend tjetër anëtar i BE-së, sepse ato vende ose nuk i grumbullojnë, ose nuk i kanë publikuar ato.
Sulmet antisemitike gjatë të njëjtës periudhë kanë rënë në Francë dhe Suedi. Raporti i FRA-së ka theksuar se trendët nuk pasqyrojnë mbizotërimin e krimeve raciste, ksenofobe e të ngjashme në vendet anëtare, sepse shumica e incidenteve kalojnë pa u raportuar. Paralajmërimet tjera tregojnë se si vendet anëtare i përcaktojnë këto krime, dhe gatishmërinë e dëshmitarëve për të raportuar, transmeton Zëri.info.
Finlanda ka shënuar 14 raste të krimeve kundër myslimanëve në vitin 2009, 15 në vitin 2010 dhe 14 në vitin 2011. Në Francë, për rritjen e sulmeve kundër myslimanëve, autoritetet i fajësojnë rregullat aktuale për regjistrimin e incidenteve në vend. Numri preciz i rasteve nuk është dhënë.
Raporti thekson se “krahasimet e drejtpërdrejta ndërmjet shteteve anëtare nuk mund të bëhen dhe nuk duhet të bëhen, sepse dallojnë praktikat e grumbullimit të të dhënave në rrafshin kombëtar”.
Në raportin e Agjencisë për të Drejta Themelore nënvizohet se në shtetet anëtare me përqindjet më të larta të regjistruara zyrtarisht jodoemos ekzistojnë shkallët më të larta të krimeve të tilla.
Organizata joqeveritare “Tell Mama”, me seli në Britani të Madhe, bën monitorimin e sulmeve kundër myslimanëve. Kjo organizatë, e financuar pjesërisht nga qeveria britanike, ka regjistruar gjithsej 632 incidente të nxitura nga urrejtja kundër myslimanëve që nga muaji mars i vitit 2012. Shumica e viktimave të sulmeve kanë qenë femra, të moshave ndërmjet pesë dhe 89-vjeçare.
Incidentet e pakta të raportuara gjetiu shërbejnë si shembuj vetëdijesues për sulmet që përjetojnë myslimanët. Të martën, një femër shtatzënë myslimane në Paris ka dështuar beben e saj pas një sulmi brutal nga neonazistët, javën e kaluar, ka raportuar agjencia franceze e lajmeve “AFP”.