PYETJA: Unë jam në perëndim, dhe si zakonisht kur vjen Ramazani parashtrohet çështja e sadekatu-l-fitrit, ku duhet ta japim, këtu ku agjërojmë apo ta dërgojmë në vendlindje?
 Dr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA: Sadekatu-l-fitri është një element mjaft i rëndësishëm i Ramazanit dhe ka rëndësi të madhe për agjërimin e besimtarit. I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Agjërimi rrin pezull ndërmjet qiellit dhe tokës derisa të jepet sadekatu-l-fitri”. Pra, duhet kuptuar seriozisht dhe nuk duhet neglizhuar si dhe nuk duhet menduar se në Ramazan është me rëndësi vetëm agjërimi, e sadekatu-l-fitri nuk ka ndonji domethënie të veçantë.
Dijetarët islamë kanë theksuar se parimisht besimtari duhet ta jep sadekatu-l-fitrin në vendin ku agjëron. Por, e kanë lejuar edhe transferimin si të zekatit po ashtu edhe të sadekatu-l-fitrit.
Për këtë, pasi në perëndim nuk ka raste të varfërisë ekstreme që do të legjitimonte dhënien e sadekatu-l-fitrit, mendoj se do të ishte më e rrugës për momentin që sadekatu-l-fitri të dërgohet në vendlindje, ngase nevojat e njerëzve janë shumë më të mëdha dhe numri i të varfurve është shumë më i madh se sa në perëndim.
Normalisht, me këtë rast nuk duhet treguar dorështërnguar ashtu që të jepet sadekatu-l-fitri sipas standardit të vendlindjes, por le të jepet sipas standardit në perëndim që të jetë më e dobishme për të varfurit.
Po ashtu, nuk duhet ndalur vetëm në sadekatu-l-fitrin, por në muajin e Ramazanit duhet dhënë sa ma tepër lëmoshë, ngase shpërblimi për veprat e mira është ma i madh. Vetë edhe Muhamedit s.a.v.s. ka qenë më bujar në muajin e Ramazanit.  Është transmetuar prej Ibn Abasit se ka thënë:”I dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte njeriu më bujar, edhe më bujar ishte në Ramazan, ngase Xhibrili alejhisselam i vinte të dërguarit të Allahut s.a.v.s. për çdo natë gjatë Ramazanit dhe ia dëgjonte Kur’anin, deri në mbarim të tij (të muajit të Ramazan). E kur i vinte Xhibrili, i dërguari i Allahut ishte më bujar për të mirën edhe se era që sjell shi”[Hadithin e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi].
Allahu e di më së miri.