Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka deklaruar se vendi i tij gjithmonë do të mbështesë “ëndrrat dhe sigurinë e Izraelit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kerry foli në ceremoninë e mbajtur në New York, me rastin e përvjetorit të fjalimit të presidentit izraelit Chaim Herzog, të mbajtur në vitin 1975, ku kritikon rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) për kualifikimin e zionizmit si një formë e racizmit.
Ai vuri në dukje se asnjë aleancë tjetër e Izraelit nuk mund të jetë aq e fortë si alenca e këtij vendi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Koha mund të ndryshojë, por një gjë e dimë shumë mirë. Mbështetja e SHBA-së ndaj ëndrrave dhe sigurisë së Izraelit nuk do të ndryshojë asnjëherë”, porositi Kerry, dhe shtoi se “Izraeli është një vend i themeluar me demokraci dhe formuar mbi idenë e shtetit hebre”.
“Për këtë arsye, këtu në OKB dhe në platformat tjera ndërkombëtare qëndrojmë krah për krah me Izraelin. Prandaj, me zë të lartë kritikojmë dhe dënojmë çdo përpjekje që padrejtësisht synon legjitimitetin e Izraelit”, ka thënë Kerry.
Sekretari amerikan theksoi se për këtë arsye SHBA-të nuk do të heqin dorë nga krijimi i paqes së qëndrueshme dhe të drejtë në mes të izraelitëve dhe palestinezëve.