Deri sa serbët të kthjellohen e ta kuptojnë pozitën se ku kanë rënë, edhe ne shqiptarët duhet të kthjellohemi dhe ta kuptojmë pozitën ku jemi ngritur. Dhe ta dimë se kush na ka mbajtur e po na mban mbi shpatulla në këtë ngritje tonën, që të bëhemi partnerë edhe më të besueshëm për epokën që po vjen, kur mund të ketë edhe trubulenca e edhe ndonjë përpjekje për rikthim hakmarrës të “ariut rus” në territoret ballkanike që tradicionalisht i ka konsideruar si sferë të ndikimit të vet.
Milazim KRASNIQI
Nga rivalitetet dhe fërkimet e fundit serbo-shqiptare, që nga sporti e deri te politika  e lartë,  po ravijëzohet një raport i ri ndërmjet këtyre dy kombeve. Fillimisht festimet me gjithë ato emocione, për ndeshjen e ndërprerë ndërmjet Serbisë e Shqipërisë, realisht ishin si një blanë e fshehtë e kompleksit të inferioritetit tonë njëshekullor ndaj serbëve. Në fakt, më shumë se sa vetë loja e futbollit, fabrikë e prodhimit të emocionave atdhetare u bë trimëria e futbollistëve shqiptarë, që vërtet trimërisht u përleshën me banditët vendas që hynë në fushë dhe i sulmuan brualisht. Por, edhe më shumë se sa kjo, prodhimin e vërtetë të emocioneve e shkaktoi fluturimi i dronit me një hartë të Shqipërisë etnike dhe me dy portretet e baballarëve të shtetit shqiptar të 1912-ës mbi stadiumin famëkeq të “Patizanit” të Beogradit. Pra, harta dhe portretet e Ismail Qemalit  e të Isa Boletinit, sado që qenë virtuale, e sajuan idenë se ne shqiptarët e pushtuam Beogradin, e mposhtëm Serbinë dhe ashtu u hakmorëm për të këqijat e parrëfyera që në jetën tonë reale na ka shkaktuar shteti serb që nga viti 1912.
T’i gëzohesh aq shumë një lodre, për të cilën as sot nuk dihet saktësisht se nga dora e cilit shërbim dhe për çfarë qëllimesh psikologjike e politike u lancua, saktësisht do të thotë se e ke dikund të fshehur një kompleks nga kundërshtari, të cilin e urren por në të njëjtën kohë i frikësohesh dhe mezi e pret rastin që t’i hakmirresh, qoftë dhe duke e përvehtësuar provokimin anonim me një lodër. Po i njëjti shkarkim emocionesh ndodhi edhe me vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës në Beograd. E drejta, qëndrimi i tij në Beograd ishte burrëror, sikundër që vizita e tij në Preshevë pati një mesazh të qartë të interesimit dhe të angazhimit të Shqipërisë për bashkëkombasit në ato hapësira. Shkarkimi i gjithë ato gëzimi nga kjo vizitë, si në Preshevë ashtu edhe në Kosovë, është brenda kornizës së një akumulimi të hidhërimit dhe të një shpërthimi emocional të gëzimit, si përpjekje për t’u çliruar nga frika dhe nga ankthi kronik nga sindromi i ndëshkimit nga serbomadhia. Por, na duket se pikërisht kjo vizitë, me mënyrën si e shfrytëzoi atë Edi Rama, do të jetë pika nga ku tashmë ka filluar të prodhohet një vetëperceptim i ri yni në raport me serbët: fillimi i shërimit tonë nga kompleksi i inferioritetit ndaj tyre. Pritja entuziaste e qytetarëve të Preshevës e të Kosovës për Ramën ende mbetet brenda klishesë së vjetër, por është e natyrshme që politika i paraprinë ndryshimit edhe të klishevetë tilla. Rama, pas Lorik Canës, bëhet fitimtar mbi frikën që ende prodhon gogoli serb.
Natyrisht, arsyet e shtresëzimit të kompleksit të inferioritetit të shqiptarëve ndaj serbëve nuk janë identitare, nuk janë kulturore. As frika jonë nuk ka qenë neurotike. Ato i ka shkaktuar dhuna dhe terrori që ka ushtruar Serbia kundër shqiptarëve që nga formimi i shtetit serb, i cili që në krye të herës ka bërë një spastrim sistematik etnik të viseve të banuara me shqiptarë, por që iu dhuruan Serbisë në Kongresin e Berlinit. Ka fakte të pa mohueshme që shqiptarët deri në vitet 1877/78 kanë banuar si shumicë në gjithë Serbinë e sotme jugore e lindore e madje edhe deri në paralagjet e sotme të Beogradit. Shumë familje ende i ruajnë tapitë e tokave që kanë pasur në pronësi në ato hapësira. Por, kurrë më nuk kanë arritur të kthehen në tokat e veta, as si vizitorë, për ta shuar mallin e vendlindjes. Ndërsa, në Luftën e Parë Ballkanike agresioni serb u shtri edhe mbi gjithë Kosovën dhe Shqipërinë Veriore e madje deri në Durrës, duke gjymtuar kompaktësinë dhe unitetin e territoreve dhe të kombit shqiptar. Pas këtij pushtimi fatal të Kosovës, ndikimi i shtetit serb mbi Shqipërinë dhe mbi shqiptarët ka qenë ndikim prej “gazde” (pronari), gjë që e ka pordhuar kompleksin tonë të inferioritetit ndaj tyre.  Po ta lexosh edhe sot projektin e Ivo Andriqit për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Jugosllavisë e Italisë, endjen se si pulson ajo ndjenjë e përsie, ajo arrogancë çnjerëzore, që shqiptarët ti trajton si objekt i rivaliteteve diplomatike dhe si plaçkë lufte. Por, jo sinjerëz, jo si fqinj, jo si një komb që ka të drejtën të jetojë nën diell, në tokën e vet. Elaboratet e tjera ishin për zhdukje të pjesshme ose të plotë fizike, për dëbim nga Ballkani, për dealbanizimin e hapësirave ku shqiptarët jetonin, por që të gjitha shpërfaqnin po të njëjtin koncept, atë të përçmimit ndaj shqiptarëve, duke i etiketuar madje edhe si “njerëz me bishta”, sipas antropoligjisë raciste të Vlladan Gjorgjeviqit.  Të ekpsozuar fatalisht ndaj kësaj ideologji edhe politike gjenociodale, të paaftë për t’u mbrojtur efektivisht  dhe duke mos pasur një sponsor që do të siguronte ekzistencën e lirë të kombit tonë si një komb i bashkuar, ne shqiptarët jemi detyruar të kalkulojmë, të adaptohemi, të kalemeonizohemi, të mercenarizohemi,natyrisht duke mbteur gjithmonë aktive edhe një linjë e rebelimit dhe e refuzimit , por që ishte minorancë. Për shkak të këtij raporti pabarazie,vizita e Esat pashë Toptanit dhe vizita e Enver Hoxhës në Beograd, po edhe ajo e Ahmet Zogut në kohën e arratisjes, realisht nuk kanë qenë dhe nuk duhet të trajtohen si vizita kryeministrash shqiptarë. Në kohën kur ata vizituan Beogradin, ishin vasalë e shërbëtorë të Beogradit e jo kryeministra a qeveritarë të shqiptarëve. Natyrisht, edhe mesazhet e vizitave të tyre në Serbi, krahas ideologjisë dhe politikës serbe të terrorit mbi shqiptarët, kanë injektuar kompleks shtesë të inferioriteti ndër shumë njerëz, sepse u kanë transmetuar idenë sikur nuk ka shpresë që Shqipëria të ishte partner i barabartë me shtetin serb veçse do të duhej t’i subordinohej.
Por, pas nëntëdhjetë vitesh subordinimi e letargjie,historia e ktheu medaljen në anën tjetër dhe sot Serbia është humbëse në të gjitha frontet përballë ne shqiptarëve.  Parase të rrahte Lorik Cana banditin serb në fushën e futbollit, para se ta mundte Edi Rama kryeministrin serb në Beograd, punën kryesore e ka kryer NATO në vitin 1999, duke e detyruar Serbinë të nënshkruajë në Kumanovë kapitullimin dhe duke e detyruar të largohet me bisht nën shalë nga Kosova. Prandaj, kur Vuçiqi thotë se askush nuk mund ta poshtërojë Serbinë në Beograd, ai thjesht e thotë një të pavërtetë, sepse Serbia është poshtëruar edhe në Beograd dhe në çdo cep të saj, fillimisht nga fitorja spektakulare e NATO-s ndaj saj, e pastaj nga të tjerët me radhë. Serbia sot është një shtet i poshtëruar në të gjitha aspektet, deri te mënyra se si po pritet lirimi i përkohshëm i kriminelit Vojisllav Sheshelitnga Tribunali i Hagës. Kjo ende është Serbia e Andriqit, por me dhëmbë të thyer. Prandaj Serbia të cilën e ka vizituar Edi Rama, është një Serbi e rënë nga vakti, një Serbi në vështirësi të mëdha, një Serbi pothuajse e rënë në gjunj para Perëndimit. Kryeministri i Shqipërisë ishte triumfues në Beograd si shef qeverie i një shteti që është anëtar i NATO-s, i aleancës që e ka gjunjëzuar Serbinë. Dhe që e mban nën vëzhgim e nën presion permanent, edhe në territorine saj, me kërkesën qëllimirë, që që të defashistizohet, që të evropianizohet, të shkëputet nga e kaluara e  saj e errët dhe nga rreziku që sërish të gjendet në përqafimin e  “ariut rus”. Sjellja e Ramës në Beograd është brenda këtij standardi të veriatlantizmit. Mund të jetë që edhe sjellja e futbollistëve dhe fluturimi i dronit të jenë pjesë e këtij standardi. Ndoshta strategëte gjeopolitikës, pikërisht me këto veprime të shqiptarëve në Beograd  kanë dashur t’i tregojnë Serbisë derexhen kuka rënë, duke qenë fashiste, antievropiane e antiperëndimore dhe me tendencën nikoliqiane, që të rilidhet pas qerres së Rusisë. Ka ardhur koha që një Serbi tëtillë ta vërë në lojë  “Shqipëria  e Andriqit”, pra ajo Shqipëri të cilën elitat serbe nuk e fusnin fare në hesap. Mesazhi duket sikur u thotë që tash e tutje Serbia do të vuajë nga kompleksi i inferioritetit ndaj shqiptarëve, por jo të shqiptarëve dosido. Të shqiptarëve veriatlantikë.
Sidoqoftë, deri sa serbët të kthjellohen e ta kuptojnë pozitën se ku kanë rënë, edhe ne shqiptarët duhet të kthjellohemi dhe ta kuptojmë pozitën ku jemi ngritur. Dhe ta dimë se kush na ka mbajtur e po na mban mbi shpatulla në këtë ngritje tonën, që të bëhemi partnerë edhe më të besueshëm për epokën që po vjen, kur mund të ketë edhe trubulenca e edhe ndonjë përpjekje për rikthim hakmarrës të “ariut rus” në territoret ballkanike, që tradicionalisht i ka konsideruar si sferë të ndikimit të vet. Në këtë sfond, të një raporti të ndryshuar ndërmjet nesh e serbëve në favorintonë dhe duke krijuar strategji të se si kjo fitore të sigurohet përgjithmonë, duhet të vazhdojë tregimi i fitoreve të shqiptarëve, që nga futbolli e deri te politika. Fitoreve që po na shërojnë edhe nga kompleksi i inferioritetit, icili buronte nga dhuna e ushtruar nga Serbia, por ishte e sponsorizuar nga Rusia. Kësaj here as Rusia nuk u bëri punë, sepse “provokimi” i Ramës bëri më shumë bujë se sa përqafimi “vëllazëror “ i Putinit.  Pra, kjo është fuqia e re e shqiptarëve, e shumëfishuar nga përcaktimi strategjik i tyre si pjesë përbërëse everiatlantizmit. Por për ta bërë këtë epërsi si të pa sfidueshme nga prirjet revanshiste të fqinjit të keq dhe për t’u shëruar përgjithmonë nga kompekset e inferioritetet që ka prodhuar e kaluara e hidhur, duhet të implementohen vlerat e vertiatlantizmit edhe në organizimin e brendshëm dhe tërësor të të dyshteteve shqiptare. (Botimi premierë:www.infodirekt.tv)