Kujtesa Xheladini, studente e filozofisë

Sokrati pati pohuar se nocionet e përkufizuara mirë, janë ato që ndjellin të vërtetën te njerëzit.

Orientimi i gjithë diskurseve, si nga ana e njerëzve fetarë, po ashtu edhe nga ‘elita intelektuale afetare’ në përçapjet për ta përkufizuar përzgjedhjen e një femreje për t’iu nënshtruar një urdhëri fetar, që në këtë rast është mbulesa, ka sjellur devijime të shumta në vet definicionin e saj, nga të dyja palët dhe që të dyja duke e bërë (mos)praktikimin e saj, sinonim të të gjitha problemeve në botën mbarë.

Në shoqërinë e sotme postmoderniste e demokratike, përzgjedhja e një femreje për të pasur një copë tekstili më shumë në trupin e saj është bërë meny kryesore në sofrën e çdo shtëpie, e çdo kafeneje, duke e përkufizuar atë herë si element kyç dallues për fetarinë e një femreje, si dhe masë me të cilën përcaktohet morali i saj, e herë duke e bërë atë simbol të shtypjes, izolimit, e ekstremizmit fetar.

Mirëpo, shaminë time nuk e përkufizon asnjë mendim i lartpërmendur.

Shamia nuk përcakton identitetin tim fetar, e as nuk përcakton moralin tim. Ajo nuk përfaqëson asnjë mendim tendencioz, me të cilin tentohet të ulet vlera ime dhe e asaj që bart.

Shamia ime përfaqëson mënyrën, të cilën unë e kam zgjedhur të kontaktoj me botën përreth. Përfaqëson mendimin tim të lirë e të pavarur dhe guximin tim për t’iu kundërvënë të gjitha pikëpamjeve të liga në lidhje me të dhe të gjitha standardeve të dyfishta për femrat në shoqëri.

Shamia ime është shenjë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për barazi të plotë kudo.

Me shaminë time, i tregoj botës se një kokë e mbuluar nuk mund të jetë më e rrezikshme se një mendje e tillë.

Ajo është simbol sfide, me të cilat jam ballafaquar dhe akoma vazhdoj të ballafaqohem sapo t’i hap sytë në mëngjes, për hir të saj.

Ndërkaq, ajo nuk është sfidë vetëm për mua. Në fak, ajo paraqet sfidë tejet të madhe edhe për të gjithë ata që fjalën demokraci e përdorin si arsyetim për të vjell vrer për të, në emër të fjalës së lire.

Është koha edhe ju të sfidoheni. Të heshtni derisa ta kuptoni sakt nocionin demokraci dhe ta kuptoni se ajo më lejon, që shamisë sime vetëm unë që e bart t’i jap kuptim, e kur ta kuptoni, të paktën nuk do e përdorni si mundësi për të manovruar me përzgjedhjen time, me të drejtën time, me të shtrenjtën timen liri.