Sa po afrohen zgjedhjet presidenciale dhe të parakohshme parlamentare në Maqedoni, njerëzit po i ndryshojnë konceptet. Edhe ato gjëra që janë ditur botërisht si të tilla, kahen e kanë të kundërt. Ose edhe interpretimi i tyre është jo i njëjtë. Bota materiale po paraqitet si syzhe e një kuptimi historik.
Maqedonia është e definuar si shtet social dhe jo utopik. Por, përmes kampanjës së Nikolla Gruevskit, kryeministrit aktual, njeriu mund ta ndryshoj edhe mendjen. Me shtet social ndoshta edhe nënkuptojmë shtetin utopik në nënvetëdije.
Projektet e paraqitura për katër vitet e ardhshme, shifrat prej miliona eurosh për ndërtim rrugësh, shkollash e spitalesh, premtimet për punësime të reja, janë disa qëndrime serioze të platformës së Nikolla Gruevskit. Në anën tjetër sikur e kemi harruar  si shqiptarë gjithë atë padrejtësi që na ka bërë qeveria e Nikolla Gruevskit dhe tash po merremi me prognozë.
Shteti social apo utopik po më kthen tek komedia e dr.Milazim Krasniqit ‘ Këmba e Titos nuk shkel më në Kosovë’. Shoku Tito bisedonte me ministrat e tij për programin ditor në gjuetinë e derrave. Kërkohej fajtor, po edhe viktimë për të përmbushur orekset e shokut Tito. Edhe pse ata frikësoheshin që të shkelnin në Kosovë, ngaqë shqiptarët e këtij vendi, paraqiteshin si heronj, prapë shkel në Kosovë si hero dhe po nga ato heronj (shqiptarët) pritet si hero.
Shteti utopik ka të bëjë me nacionalizmin e rrejshëm të disa politikanëve shqiptarë. Kohët e fundit ky nacionalizëm ka filluar që të lyhet edhe me një propagandë të butë dhe të egër fetare. Liderët partiak nëpër mitingje mallkojnë por edhe lavdërojnë veten në emër të Zotit. Ndërsa jashtë mitingjeve Zot kanë paranë, prostitutat, alkoolin etj.
Kemi shumë politikanë të tillë të cilët në tubime të ndryshme me politikan maqedonas, nuk i largohen aspak pijeve alkoolike, ndërsa kur dalin para elektoratit shqiptar, paraqiten si xhennetlinj.
Është mirë që të bëhen sondazhe të ndryshme para zgjedhjeve dhe të intervistohen politikanët shqiptar, se sa përqind prej tyre e konsumojnë alkoolin, preferojnë grua të dytë ilegale, preferojnë klubet e natës, preferojnë kremtimin e Krishtlindjeve, preferojnë tatuazhet, etj. Jam i bindur se nga rezultatet e këtyre sondazheve do të habiteshim.
Ndonjëherë nacionalizmi paraqitet si maskë e fytyrës së politikanëve. Ata në këtë mënyrë e qetësojnë veten dhe gënjejnë elektoratin. Në këtë mënyrë i mbulojnë paaftësitë e tyre dhe mundohen me çdo kusht që ta arrijnë qëllimin: pasurimin e vetvetes.
Nikolla Gruevski, për një kohë rekord ka ndryshuar tërësisht fizionominë e qytetit të Shkupit. Ai ka arritur që mjeshtërisht t`i fsheh shumë gjurmë osmane të qytetit të vjetër osman dhe në këtë mënyrë të krijoj një identitet të ri.
Fizionomia e re e Shkupit dhe barku i zbrazët i qytetarëve shqiptar të Shkupit dhe të Maqedonisë, tregon qartë për gabimin e koncepteve.
Maqedonia ka nevojë për udhëheqës të cilët investojnë në gjëra që janë prioritare për ekzistencën e qytetarëve të saj. Përveç ekzistencës së qytetarëve të tanishëm, ajo duhet të mendoj edhe për qytetarët e ardhshëm ose për gjeneratat e reja, të cilat si duket kjo udhëheqësi po i le në duar të busteve të projektit Shkupi-2014.