Plarent Vasiu është njeriu që rikuperoi në kohë rekord Mërgim Mavrajn për ndeshjen e së dielës ndaj Armenisë.
Vetëm tri ditë iu deshën fizioterapistit që të bënte të mundur falë terapisë intensive “Human Terapi” që mbrojtësi kosovar të rikuperohej dhe të ishte i gatshëm për trajnerin De Biazi.
Në një rrëfim për gazetën “Panorama Sport”, Vasiu tregon gjithçka në lidhje me punën e bërë prej tij.
“Ai erdhi të enjten në klinikën time dhe punuam për tri ditë. Shanset për rikuperim ishin 30-40%. Falë ‘Human Terapi’ u bë e mundur që Mavraj të rikuperohej dhe për këtë jam shumë i lumtur. Lojtari më falënderoi pas ndeshjes. Kam bërtitur shumë kur ai shënoi”, tregon ndër të tjera në intervistën e tij Vasiu.
Çfarë dëmtimi kishte Mërgim Mavraj?
Ai kishte tërheqje të gradës së parë dhe hematomë 15-18 cm në muskujt e mbrapsëm të kofshës së majtë që në gjuhën mjekësore quhet “biceps femural”. Në bazë të protokollit mjekësor, ky lloj dëmtimi kërkon 3 javë rikuperim dhe më pas të paktën dhjetë ditë pushim absolut.
Sa ditë ju deshën për ta rikuperuar mbrojtësin e Kombëtares dhe si ia dolët që ai të ishte gati për në fushë?
Mavraj ka ardhur në klinikën time të enjten. Kam zhvilluar me të seanca intensive, nga një orë e gjysmë paradite dhe pasdite për dy ditë, të enjten dhe të premten dhe më pas edhe një orë e gjysmë të shtunën paradite. Falë aparaturës “Human Tekar” dhe terapisë “Human Terapi” që është shpikur pikërisht për futbollistët si edhe falë aftësive të mia, u bë e mundur që lojtari të rikuperohej brenda tri ditësh dhe të ishte i gatshëm për ndeshjen e së dielës.
Sa shanse kishte që Mavraj të rikuperohej?
Mund të them 30-40%. Pasi ishte konsultuar me mjekun e skuadrës, si edhe ishin bërë të gjitha verifikimet në Itali, ai ka ardhur së bashku me mjekun e përfaqësueses te klinika ime. Falë “Human Terapi” u bë e mundur që Mavraj të rikuperohej dhe për këtë jam shumë i lumtur.
Çfarë ushtrimesh konkretisht keni aplikuar me lojtarin gjatë këtyre ditëve?
Fillimisht, hiqet inflamacioni dhe më pas, falë metabolizmit të lojtarit, bëhet i mundur rikuperimi. Është një terapi intensive ku ndërthuren shumë elemente. Një prej tyre që është i rëndësishëm ka të bëjë me ushtrimet e lojtarit në dyshekë me energji që janë pjesë e “Human Terapi”. Gjithashtu, gjatë terapisë punohet me atë që quhet zinxhiri muskulor, që përfshin jo vetëm muskujt e dëmtuar, por të gjithë muskujt e tjerë të trupit si në pjesën e mesit, shpatullave apo të tjera.
Kishte rrezik për Mavrajn gjatë ndeshjes?
Rreziku ekzistonte, ashtu si edhe te të gjithë futbollistët e tjerë. Por, që në momentin e parë e deri në fund të terapisë, lojtari iu nënshtrua provave dhe testimeve të ndryshme. Vetëm pasi gjithçka ishte OK, duke parë të gjitha testet dhe pasi vetë lojtari deklaroi se ishte mirë, mundi të luajë.
Ju e morët vendimin përfundimtar?
Vendimin përfundimtar e merr trajneri nëse futbollisti do të jetë në fushë apo jo. Në përfundim të terapisë, të gjitha testimet ishin pozitive dhe Mavraj deklaroi se ndihej mirë dhe këmbët i ndiente të lehta. Gjithashtu, edhe mjeku i Kombëtares e konstatoi një gjë të tillë. Në fund, ishte trajneri ai që vendosi.
I janë bërë qetësues mbrojtësit përpara ndeshjes për të shmangur rrezikun e ndonjë dëmtimi të mundshëm?
Këtë nuk di ta them. Por, nuk mendoj se është një pyetje me vend. Në rastin e Mavrajt kishim një këputje të muskulit dhe qetësuesit nuk e ngjisin muskulin. Dëmtimi duhet rikuperuar dhe në këtë rast nuk ndikon aspak bërja e qetësuesit. Është njëlloj si të çahet goma e makinës dhe ti të vazhdosh të ecësh. Në këtë mënyrë, pa terapinë intensive, qetësuesi nuk bën asgjë në këtë rast.
Është e vërtetë që ky rikuperim bëhet vetëm në rastet e futbollistëve me fizik si Kristiano Ronaldo apo të tjerë?
Sigurisht, me “Human Terapi” mund të rikuperohen vetëm lojtarët elitarë që luajnë në nivele të larta, siç është edhe rasti i Mavrajt.
E ndoqët ndeshjen? Si reaguat kur patë lojën e mirë të Mavrajt dhe golin e barazimit që ai shënoi?
Sigurisht që e pashë ndeshjen dhe bërtita shumë kur shënoi Mavraj dhe më pas për fitoren. U lumturova që bëra të mundur rikuperimin e atij lojtari dhe më pas në fushë ishte një prej më të mirëve.
Ju falënderoi Mavraj pas ndeshjes?
Sigurisht, shkëmbyem mesazhe pas takimit dhe ai më falënderoi për punën që bëra. Kontaktova edhe me mjekun e Kombëtares, edhe ai ishte shumë i lumtur. Gjithashtu, më kanë falënderuar edhe shumë miq dhe shokë, të cilët e dinin që ky lojtar punoi me mua për tri ditë me radhë.
Ndonjë emër tjetër i njohur i futbollit që frekuenton klinikën tuaj?
Jam pak keq me emrat e lojtarëve, por kujtoj Andi Lilën, Ervin Bulkun, Nderim Nexhipin e Partizanit dhe shumë lojtarë të tjerë që kanë ardhur në klinikën time. “Human Tekar” është një terapi që mund të përdoret edhe pas një ndeshjeje. Tre janë komponentët kryesorë të saj: shërimi, parandalimi dhe çlodhja. Falë kësaj terapie, bëhet e mundur që minitraumat të kurohen për të mos kaluar më pas në kontaktime apo dëmtime më të rënda.