PYETJA: Një shok duhej të bën një operacion jashta shtetit. Operacioni kushtonte shume shtrenjtë, ashtu që ne si shoqëri morrëm një aktivitet të gjërë për të tubuar mjete materiale. Apelin e publikuam edhe përmes mediumeve ashtu që arritëm të tubojmë mjete të bollshme. Disa ka i dhanë në dorë e disa përmes xhiro llogarisë. Por, ndodhi që personi në fjalë nuk arriti të shkoj në vendin përkatës ngase ambasada e atij vendi nuk i dha vizë hyrëse. Ai u operua Brenda, dhe normalisht Brenda operimi kushtonte më lirë. Pyetja jonë është: Çka të bëjmë me mjetet e mbetura?
Dr. BASHKIM ALIU
PËRGJIGJA: Së pari përkushtimi juaj për t’i ndihmuar shokut tuaj, është për tu përshëndetur, dhe ndihma e njerëzve po ashtu është për tu përshëndetur. Kështu duhet të jetë muslimani, duhet t’i ndihmojë vëllaut të vet besimtar. Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë:<< Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara,e mosni në mëkate e në armiqësi…>> [ El-Maide, 2].  Muhamedi s.a.v.s. ka thënë:”Allahu është në ndihmë të robit të Vet, derisa robi i ndihmon vëllaut të vet”.
Apeli im do të ishte që rasteve të këtilla tu ndihmohet sa të mundet.
Për sa u përket mjeteve të mbetura, normalisht se nuk i takojnë personit të operuar, nëse nuk ka nevojë për ato mjete për operacion, ngase njerëzit i kanë dhënë për qëllim të caktuar, pra për operim.
Në këtë rast, nëse nuk mund t’ua ktheni personave përkatës,dhe realisht kjo është rëndë sepse participojnë shumë njerëz, këto mjete të mbetura do t’i destinoni për dikë tjetër që operohet.
Por, nëse nuk dini dikë që operohet dhe ka nevojë për mjete materiale, atëherë ato mjete do t’i jepni lëmoshë për të varfurit apo për ndonji qëllim tjetër human.
Edhe pse të gjitha mjetet nuk janë destinuar për operim, inshallah shpërblimi i donatorëve nuk është i mangut ngase qëllimi i tyre është materializuar me donimin e mjeteve. Muhamedi s.a.v.s. ka thënë:”Vërtet, punët vlerësohen sipas nijetit…”.
Edhe donimi i mjeteve  të mbetura për qëllime humane është vepër fisnike dhe e dashur për Allahun.
Allahu e di më së miri.