Hera e fundit në të cilën u bisedua botërisht për tragjedinë siriane, ishte gushti i vitit 2013, edhe atë, me rastin e sulmit makabër me armë kimike, të ndërmarrë nga regjimi fashizoid sirian, ndaj popullatës së pafajshme civile, me ç’rast vdiqën rreth 1500 persona, në mesin e të cilëve një e treta ishin fëmijë.
Atëbotë, kriza siriane kaploi titujt kryesorë të mediave botërore dhe e gjithë biseda zhvillohej rreth mundësisë së ndërhyrjes ushtarake perendimore për qëllime humanitare. Retorika e ‘luftës’ arriti deri në atë shkallë sa që, fillimi i sulmit kundër regjimit diktatorial dhe gjakpirës sirian ishte çështje orësh. Mirëpo, për çudi, ultimatumi për sulm ushtarak, ‘brenda natës’, u shndërrua në ultimatum dhe marrëveshje për ç’armatosje kimike dhe shkatërrim të të njejtit. Sakaq, viktimat dhe ‘humanizmi’ u futën në harresë! Në vend të tyre, kryelajm u bë ç’armatimi kimik. Pas disa ditësh, edhe armët kimike kaluan në enigmë, përpos për regjimin sirian, i cili, vazhdon që të njejtat t’i përdorë sa herë që i harxhon depot e armëve të tjera konvencionale dhe jokonvencionale, me të cilat po vret dhe masakron popullatën e pafajshme civile.
Prej gushtit të vitit 2013 e deri më sot, regjimi sirian jo vetëm që nuk u ndëshkua me asgjë serioze, por i njejti ‘u shpërblye’, duke ia lënë atij ‘duart e lira’ që të vazhdojë ‘kasaphanen’ dhe terrorin shtetëror ndaj popullatës së vet, por kësaj rradhe, nën heshtjen e ‘palaçove’ të “demokracisë” dhe “humanizmit”. Prej atëherë, jo vetëm që nuk u bë e qartë se ç’ndryshoi aq shpejtë, por qarqet vendimmarëse u ndalën edhe së ‘dënuari’ masakrat dhe krimet që po i kryen regjimi sirian bashkë me aleatët e tij rajonal dhe ndërkombëtar. Në anën tjetër, OKB-ja, jo vetëm që nuk arriti të bëjë asgjë kundrejt kësaj katastrofe humanitare, por ajo u ndal edhe së numruari viktimat e luftës!
Tashmë mbushen gati katër vite që nga fillimi i kësaj tregjedia të përmasave gjenocidale, dhe se kjo fatkeqësi humanitare po hyn në vitin e pestë të kalendarit të përgjakur dhe dhimbjes njerëzore. Sipas të dhënave jozyrtare, numri i viktimave ka kohë që e ka kaluar 250 mijëshin! Madje, OKB, krizën humanitare siriane e cilëson si një ndër më të mëdhatë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo, nga fakti se, numri i të zhvendosurve kalon shifrën e 6 milionëve, ndërsa numri i refugjatëve arrin mbi 3.5 milionë. Thënë ndryshe, rreth 45% e popullatës siriane është e zhvendosur nga vatrat e veta, si dhe jeton në kushte skajshmërisht të vështira jetësore. E, sa i takon numrit të të burgosurve dhe atyre që konsiderohen si të zhdukur, kjo shifër vleresohet te jetë me dhjetëra mijëra.
Nën hijen e këtyre shifrave marramendëse dhe kësaj tragjedie njerëzore, si dhe nën hijen e kësaj ‘heshtje’ dhe indiference të çuditshme të komunitetit ndërkombëtar, parashtrohen shumë pikëpyetje dhe pikeçuditëse, edhe atë: A thua vallë pse po lejohet gjithë ky terror shtetëror i këtyre përmasave, në kohën kur të gjitha qarqet po i trumpetojnë ‘luftës kundër terrorit’!? A thua, pse vallë, në momentin që të gjitha shtetet dhe qeveritë flasin për ndalimin e fluksit të mercenarëve të huaj që nisen drejt Sirisë, po të njejtat shtete dhe qeveri i ‘mbyllin sytë’ kundrejt shteteve dhe organizatave të cilat janë të kyçura dhe rreshtuara direkt dhe haptazi në rradhët e ‘makinerisë’ vrasëse të regjimit sirian!? A thua vallë, çka ndryshoi që nga Gushti i vitit 2013, që tragjedia e popullit sirian u fut në harresë, dhe e gjithë çështja u minimizua në një qytezë të vogël siriane me emrin Kobani!? A thua vallë pse u lejua që gjërat të arrijnë deri në këto përmasa të luftës sektare dhe civile, dhe kush po e mban ende gjallë një regjim ‘monstruoz’, siç është regjimi aktual sirian!?  Madje, a thua vallë sa duhet të arrijë shifra e viktimave, e që bota e ‘civilizuar’ të ndërmerr diçka për ndalimin e kësaj çmendurie!?
Për më tepër, në qoftë se komuniteti ndërkombëtar është i paaftë që ta ndërpresë luftën, shtrohet pyetja, a thua pse vallë i njejti nuk po kujdeset për refugjatët sirian dhe i le ato që të vdesin nga uria dhe i ftohti?! A thua, pse vallë, numri i refugjatëve sirianë të cilët u pranuan nga ana e shteteve perendimore nuk e tejkalon shifrën e refugjatëve të cilët kalojnë kufirin drejt një shteti fqinj brenda një dite të vetme!? Madje, një pjesë e refugjatëve lehen që të fundosen nëpër ujërat e detrave, si rezultat i politikave të migracionit të këtyre shteteve “demokratike”!?
Këto dhe shumë pikëpyetje dhe pikëçuditëse tjera do të mbeten shenja turpi dhe mallkimi në historinë e zezë të fillimit të këtij qindvjeçari, si dhe do të vazhdojnë të na ndjekin si hije gjatë gjithë jetës.
Përderisa bota e ‘civilizuar’ dhe komuniteti ndërkombëtar vazhdon të shikojë ndaj fatkeqësive njerëzore dhe humane me ‘dioptrinë’ e saj të njëanshme, duke u bërë ‘për dikë nënë e për dikë njerkë’, dhe gjersa fokusi i kamerave të korporatave të ndryshme mediatike sillet si e ‘shurdhër’ dhe e ‘verbër’ ndaj qindra e mijëra viktimave që flijohen anekënd globit për çdo ditë, duke vënë në fokus vetëm viktimat e një ngjyre apo përkatësie të caktuar, kjo botë nuk do të gëzojë paqen e ëndërruar dhe mirëqenien e dëshiruar.
Terrori dhe krimi nuk ka as racë, as ngjyra, e as përkatësi etnike apo fetare. Ai, si i tillë, duhet të luftohet dhe dënohet me gjitha metodat e mundshme. Për më tepër, qasja ndaj krimit dhe terrorit nuk guxon të jetë selektive dhe me kute të dyfishta, ngase, standardet e dyfishta dhe qasjet e padrejta gjenerojnë edhe më shumë krim dhe terror.