Të hënën do të qartësohet çështja e koalicionimit midis PDK dhe AAK, sipas kërkesës së Haradinaj për të qenë kryeministër.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë dje se pret që të hënën të qartësohen të gjitha gjërat lidhur me koalicionin e shumëpërfolur, menjëherë pas mbërritjes së tij nga Tribunali i Hagës.
“Po shkojmë kah mundësia për t’i dhënë epilog mundësisë për një marrëveshje qeverisëse. Po pritet në këto ditë me i dhanë epilog. T’ju them të drejtën një dozë optimizmi e ruajmë, por nuk kemi sinjale që do të mbyllet për po”, ka thënë Haradinaj.
Por, nga ana tjetër PDK dhe lideri i saj Hashim Thaçi kanë bërë të qartë se nuk diskutohet për një koalicion ku PDK do të hiqte dorë nga posti i kryeministri. Këtë e ka bërë të qartë edhe vetë kryeministri Thaçi.
Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se posti i kryeministrit nuk mund të negociohet me AAK-në. Të hënën pritet të qartësohet gjithçka lidhur me koalicionimin e mundshëm, ndërsa AAK sipas gjitha gjasave do të nis fushatën e koalicionimit me opozitën, e cila megjithatë nuk i ka raportet e mira me partinë e Haradinaj,  e cila së fundi ka mbajtur kursin pozitiv ndaj qeverisjes Thaçi, kanë vlerësuar analistët në Prishtinë.