Të shtunën, më 23 prill 2016, me fillim në ora 14:30 Forumi Rinor Islam organizon finalen e madhe në kuadër të projektit “Talentium”, e cila do të përmbajë garë në fjalime motivuese dhe mini-dokumentare nga nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Kumanovës, Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit.

Projekti “Talentium” është projekt i realizuar nga Forumi Rinor Islam, për shkollarët e mesëm të vitit të tretë dhe të katërt. Projekti zgjati katër muaj dhe në vete përfshiu trajnime në sferën e komunikimit, mediumeve dhe lidershipit.

Pas përfundimit të trajnimeve, në të katër qytetet janë organizuar garat gjysmëfinale në fjalime motivuese dhe mini-dokumentarë të përgatitur nga vet nxënësit në të cilët trajtohen tema në interes të nxënësve.

Në finalen e madhe do të garojnë tetë nxënës, të cilët u zgjodhën si më të mirët në fjalime motivuese nga garat në qytetet përkatëse.  

Qytetin e Shkupit do ta përfaqësojnë nxënësit Medin Bajrami dhe Mejrem Sali, nga Kumanova garojnë nxënëset Semra Sadiki dhe Njomza Ajdini, nga Tetova Diturim Xheladini dhe Vjollca Ameti dhe qytetin e Gostivarit do ta përfaqësojnë nxënëset Ajten Emini dhe Arminda Muharemi. 

Njashtu të gjitha qytetet do të prezantohen në garë edhe me nga një dokumentar.

Finalja e madhe do të mbahet në Qendrën Kulturore Rinore në Shkup – MKC, salla Frosina. Qendra Kulturore Rinore gjendet në rrugën Dimitar Vllahov 15, Shkup, afër Akademisë së Shkencës dhe Arteve.