O i bukur!
E unë shiko andej e këndej në ka njeri që është strukur…
Ty po të them, më tha, nëse ashtu mundesh të ndihesh.
Në jetë nuk duhet të rrish ku të vënë, po ti vetë ku vihesh.
Gjithmonë vëre veten në përputhje me bukurinë që e ke.
E nëse mendohesh se a je i bukur apo jo, dije që nuk je!
Bukuria është mjeti me të cilin njerëzit arrijnë çdo dëshirë që kanë.
Të shëmtuarit duke bërtitur, kurse të bukurit vetëm kur tregojnë kush janë.
Kjo është aksiomë, e kush nuk e pranon na e shfaq këtë simptomë:
Kush është nuk fol, e kush nuk është thotë se e tërë shtëpia duhet të jetë dhomë.
E si të jetë tërë shtëpia një dhomë, kur çdo njëra është kategori:
Unë, për vete, në njërën dua të ha, diku të fle, diku të rri…
I shëmtuari kësaj ndarjeje i thotë padrejtësi! Por ka të drejtë edhe ai…
Sepse njeriu kur flet për gjërat nuk i definon ato, po veten.
Dikush e shan jetën duke e dashur vdekjen, dikush vdekjen për jetën.
Pra, njeriu kur flet nuk i tregon ku e si janë gjërat, po ku e si është ai vetë.
Dhe përderisa nuk e di se sa është i shëmtuar, i pengon gjithkush në jetë.
Në çastin që e kupton, mund të nisë t’i ndryshojë jeta…
Pra, meqenëse nuk është i bukur, duhet të bazohet vetëm në shkathtësitë e veta!
Urtaku dëshironte të pajtohesha me të, që të shpëtoj para se të vdes.
Duke më thënë se të bukurit i falet gjithçka, gjersa i shëmtuari lihet të presë.
Më tha se nuk po fliste për zakonet që i zbatojnë njerëzit, po zemrat e tyre.
Jo për fjalët që i shkruajnë në letër, po ato që janë në atomet e çdo fytyre!
Jo për mirësjelljen e gjatë, që njerëzit e kulturuar e bëjnë sa për të dalë mbanë.
As për buzëqeshjen e thatë, që njerëzit e mençur e japin në çdo anë.
Jo për këto!
Kjo fjalë nuk duhet të kuptohet “kështu si i mirë më mos vazhdo!”
Kjo fjalë nuk nënkupton se nuk duhet të sillesh mirë,
Por të ndihmon të kuptosh edhe këtë të thënë, që të bëhesh i lirë…
Të lirohesh nga konvencialiteti e të dalësh në r.e.a.l.i.t.e.t!
Sepse kemi nisur edhe puseve t’u themi det.
“Jo!”, shumë herë! Nuk është ashtu asnjëherë!
Më mirë detrat t’i bëjmë puse sesa puset detra,
Pusi s’ka qenë det, po deti pus po në kohët e vjetra.
Jemi bërë shumë sipërfaqësorë e vetëm dydimensionalë.
Veç gjatësia e gjerësia për oqeanin janë elementë banalë!
Oqeani po s’pati thellësi, çfarë të duash thuaji, po oqean jo.
Sepse ai qenëson në vendin e vet, përndryshe nuk shkon kudo.
O i nderuar!
Por…
– Nuk ka “por” në vërtetësinë e gjërave që preken me dorë.

Nuk durova më shumë, e i thashë troç:
“Si është e mundur të të dua unë, kur ti s’je i bukur”?
Mendova se do të tërbohet, po reagoi ftohtas si lloç:
Pse ke nevojë t’i thuash çdo gjëje të fortë se është si gur?
Unë të fola për thelbin, ti për aspekte po më flet.
Kur njeriu brof me ngut edhe atë pak urtësi që e ka e tret.
Jam plakur në sqarim të gjërave, po vetëm në dy jam lodhur vërtet:
Mosnxitimin ngutakëve dhe bukurinë të shëmtuarve!
Definitivisht me këto dy kategori vetja i pafuqishëm më është dukur!
Ndoshta se edhe unë po nxitoj e se s’jam mjaftueshëm i bukur?
 
Arsim Jonuzi