Protestat ne Turqi ishin një nga ngjarjet më të ndjekura nga media ndërkombëtare këto javë. Shumë kush është informuar apo dezinformuar nga media për rrjedhën e këtyre protestave. Duke qene ndjekës i drejtpërdrejt i ngjarjeve si dhe njëkohësisht njohës i sistemit politik të Turqisë, e shoh të rrugës që të shpreh edhe pikëpamjet e mija për këto ngjarje dhe ta ndaj ate me publikun.
Para se të shpjegoj ngjarjet në sheshin e Stambollit (Taksim) është e nevojshme që të jap disa të dhëna për çështje të ekonomisë në muajin e fundit në Turqi. Qeveria e Turqisë e udhëhequr nga partia AKP në muajin prill të këtij viti e pagoi këstin e fundit të borxhit ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Kjo ngjarje ishte shumë e rëndësishme pasi që kur kjo parti e mori një pjesë të pushtetit në vitin 2002, trashëgoj borxh prej më shumë se 20 miliard dollarëve ndaj FMN. Dhjetë vjet më pas kjo qeveri jo vetëm që e pagoi atë borxh por njëkohësisht e ndërpreu edhe marrjen e borxhit të ri nga FMN. Ndërkohë rezervat shtetërore arritën kulmin me rreth 200 miliard dollar. Ndërprerja e bashkëpunimit me FMN i brengosi shumë biznesmen turk, pasi kur FMN-ja të jep borxh ata dhe të dirigjojnë se për çfarë qëllimi duhet të harxhohen parat e huazuara. Disa biznesmen turq me lidhje të vjetra me FMN kuptohet që shqetësohen nga kjo situatë e re e krijuar.
Se me çfarë ritmi të shpejta është duke u ndryshuar Turqia mjafton që të japi vetëm një të dhënë statistikore. Në Turqi gjatë 3 muajve të parë të vitit 2013 janë shitur 270 000 banesa. Mund ta paramendojmë se çfarë ndryshimi pozitiv të standardit jetësor dhe mirëqenies ekonomike përjeton një shoqëri që në përbërje prej 76 milion banorëve blen rreth 100 000 banesa në muaj (kuptohet që ndër ata që blejnë banesa ka edhe shumë shtetas të huaj). Turqia para protestave ishte duke e përjetuar optimizmin më të madh ekonomik për shkak të ndërprerjes së konfliktit luftarak me një pjesë të kurdëve në Turqi. Borsa e Stambollit ishte duke i shënuar pikët më të larta të saj për shkak të mundësisë së investimeve në pjesën juglindore të Turqisë (ku jetojnë kurdët). Vetëm gjatë muajit maj filluan punimet e ndërtimit të aeroportit më të madh në botë në Stamboll (me vlerë 46 miliard dollar), u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e një centrali nuklear (me vlerë 20 miliard dollar), filluan punimet e urës së tretë të Stambollit e cila do të jetë më e gjëra ne botë (me vlerë 2.5 miliard dollar) etj. Investim i madh po ashtu është duke u realizuar në Taksim. Aty realizohet projekt me vlerë prej 5 miliard dollarëve, e që duhet të përfundoj pas disa muajve.
Përleshje të mëdha përreth Taksimit kishte edhe në ditën e 1 majit. Festimi i 1 majit (dita e punëtorëve) në Taksim nuk u lejua për shkak se aty vazhdojnë punimet për ndërtim. Mirëpo festimi i 1 majit në sheshin Taksim ka rëndësi simbolike për shkak të ngjarjeve në të kaluarën, prandaj dhe majtistët u vërsulën që ta pushtojnë sheshin dhe me këtë rast u përleshën me policin. Protestuesit në 1 maj dështuan pasi që nuk ia arritën që të depërtojnë në Taksim.
Protesta e fundit në Taksim filloi nga një grup i vogël “ambientalistësh” të cilët e okupuan parkun (i madh sa një fushë futbolli) në mënyrë paqësore dhe i vendosën çadrat për të protestuar ndërtimin e një “qendre tregtare” në atë park. “Ambientalistët” protestonin kundër ndërtimit të “qendrës tregtare”, projekt ky që nuk ekziston. Ata akuzonin kryeministrin se nuk tregon kujdes ndaj mjedisit. Por ironia e akuzës qëndron në ate se pikërisht ky kryeministër e ka mundësuar sjelljen e ujit në Stamboll prej një largësi prej 180 km, e që sot Stambolli (vend pas ujë) jo vetëm që ka ujë por dhe thuajse të gjitha parqet janë të pajisur me sistem vaditjeje.
Policia e mburrur nga suksesi i 1 majit nuk i morri me seriozitetin e duhur protestuesit “ambientalist”. Ajo me arrogance të zakonshme i largoi protestuesit dhe i ndezi çadrat e tyre për kamping. Në kohën kur punëtorët filluan me punë, para ekskavatorit, me qëllim të ndërprerjes së punimeve, doli një deputet kurd i partisë opozitare. Me këtë rast u ndërprenë edhe punimet.
Parashtrohet pyetja se pse “ambientalistët” e përzgjodhën ate park për të protestuar? Në park nuk do të pritet asnjë dru pasi që ato do të transferohen në vende që janë caktuar aty pranë. Po ashtu gjelbërimi nuk do të prishet pasi që ndërtesa që do të ndërtohet, në brendësi të saj, ka oborr të madh sa madhësia e parkut. Arsyeja e protestës në atë vend është për shkak se objekti historik (kazerma) që parashihet të ndërtohet, e që ka vlerë të madhe arkitektonike, përfaqëson simbolikë ideologjike. Ai që i ka lexuar kujtimet e Ekrem bej Vlorës apo të Ismail Qemal bej Vlorës, do t’i kujtohet rebelimi i ushtarëve shqiptarë të vitit 1909 në kazermën e Taksimit. Një ndër arsyet e pakënaqësisë së rebelimit të taborëve shqiptare në vitin 1909 ishin rregullat e reja që u erdhën atyre për modernizim të ushtrisë, e ku përfshihej edhe restrikcione në kohën për marrjen e abdesit dhe faljes së namazit. Ushtarët e rebeluar u drejtuan për të protestuar drejt sheshit të Aja Sofia apo Sulltan Ahmet. Atyreve me atë rast iu bashkuan edhe studentët e medresesë që ishte aty pranë. Pas mbështetjes së klerikëve mysliman ata iu vërsulen parlamentit me qëllim që ta vritnin kryetarin e parlamentit, e të cilin e konsideronin qafir, për shkak se ai nuk falte namaz. Në ndërkohë, ushtria e rregullt osmane, prej Selaniku, me në krye gjeneralin shqiptarë Hysni Hilmi Pasha dhe shefin e kabinetit të tij shqiptarin Mustafa Qemal (themelues i Republikës së Turqisë) si dhe me shumë vullnetar të tjerë shqiptarë me në krye shqiptarin Ahmet bej Resnja, iu vërsulën Stambollit për rimarrjen e pushtetit. Rezistenca e fundit nga ushtarët e rebeluar u bë pikërisht në kazermën në fjalë. Xhonturqit e rimarrin pushtetin dhe e detyruan sulltan Abdulhamidi e II-të që të abdikoj. Me këtë rast ndërpritet qeverisja e tij 33 vjeçare dhe dobësohet politika e tij panislamiste. Më pas xhonturqit i eliminuan oponentët politik duke i varur, e ndër të cilët edhe shefin e gardës së sulltanit (shqiptar nga rrethi i Dibrës). Pas shuarjes së Perandorisë Osmane dhe themelimit të Republikës së Turqisë, kazerma në fjalë dhe medreseja u rrafshuan, pasi që ato simbolizonin rebelimin kundër pushtetit xhonturk. Kazerma u shndërrua në park dhe pranë saj u ndërtua Qendra Kulturore e Ataturkut. Sot situata politike në Turqi ka ndryshuar dhe partia xhonturke (kemaliste) që e mbajti pushtetin gjatë një shekulli është dobësuar konsiderueshëm. Qeveria e Turqisë me këtë rast vendosi që ta kthej simbolikën e atyre ngjarjeve për të përkujtuar periudhën e viteve 1909-2009. Simbolika mund të realizohet duke e rindërtuar medresenë dhe kazermën dhe njëkohësisht duke e shkatërruar objektin e Qendrës Kulturore të Ataturkut në Taksim.
Viti 2009 ishte tentimi i fundit i pasuksesshëm për grusht shteti në Turqi nëpërmjet pushtetit gjyqësor. Me atë rast nga prokurori publik iu drejtua kërkesa Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e veprimtarisë politike të Kryeministrit, Kryetarit të Shtetit dhe partisë AKP. Pas këtij tentimi të pasuksesshëm, partia AKP që përfaqëson opozitën kundrejt xhonturqve (kemalistëve), përherë të parë pas 100 viteve, prej pozicionit mbrojtës u vërsul në sulm. Brenda dy viteve në Turqi u arrestuan të paktën 300 gjeneral që ishin në detyrë apo në pension. Ata akuzohen për grushtet e shtetit që i kanë ndërmarr apo kanë planifikuar të ndërmarrin. Në bazë të kushtetutës ata mund të mbahen në paraburgim pa u gjykuar deri në 10 vjet. Me këtë rast partia në pushtet AKP arriti që ta fusë ushtrinë nën kontrollin civil.
Ushtria ishte burim i forcës së partisë kemaliste-CHP. Si pasoj e kësaj partia CHP është duke përjetuar krizë të thellë politike pas humbjes së ndikimit në ushtri dhe gjyqësor. Ajo është mësuar që ta merrte pushtetin nëpërmjet grushteve ushtarake apo nëpërmjet pushtetit gjyqësor. E bindur se nuk mund ta marrë pushtetin nëpërmjet votës së lirë ajo tentoj kësaj radhe që ta marrë pushtetin nëpërmjet grushtit civil. Ky ishte dhe dështimi i saj i fundit. Asaj tani nuk i mbetet alternativ tjetër përveç se të reformohet. CHP (apo kemalistët) do të duhet të mësohen të respektojnë gratë e mbuluara, të pranojnë identitetin kurd si pjesë përbërëse e Turqisë, të demitizojnë figurën e Mustafa Kemalit dhe të pranojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhje të lira.
Të rikthehemi në situatën politike të tashme në Turqi. Përveç lajmeve të mira ekonomike që vinin për Turqinë (situatë kjo që i shqetëson disa qendra që kanë plane ogurzeza për Turqinë) ndodhën dhe ngjarje të tjera të rëndësishme. Një muaj më parë nga një akt terrorist në një qytet afër kufirit të Sirisë u vranë 53 vetë (të vrarët ishin sunitë në një rajon të populluar edhe me alevitë) dhe qindra të tjerë u plagosën. Disa media të afërta me kemalistët flisnin për pasiguri të qytetarëve dhe për përhapjen e mundshme të konfliktit prej Sirie në Turqi apo për një konflikt të mundshëm sektar në Turqi. Në ndërkohë parlamenti aprovoj ligjin që rregullonte shitjen e pijeve alkoolike dhe ndalimin e marketingut për pije alkoolike. Disa media filluan të dezinformojnë se bëhet fjalë për ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike. Filloj propaganda se pas ndalimit të alkoolit do të ndalohet edhe veshja e femrave sipas stilit të tyre. Po ashtu filloj dezinformata se për ndërtimin e urës së tretë të Stambollit dhe aeroportit është parapa prerja e 300 000 druve në Stamboll dhe se kjo do të shkaktoj katastrofë ekologjike për qytetin etj. E gjithë kjo propagandë bëhej me qëllim të shpëlarjes së trurit të një pjese të rinisë me qëllim të sakrifikimit të tyre për interesa të disa qendrave. Nëpërmjet medieve sociale dhe përkrahjes së CHP-së shumë të rinj arritën që të organizoheshin dhe u vërsulën drejt sheshit për të ndërprerë ndërtimin e “qendrës tregtare” dhe për të shfaqur shqetësimet për “ndodhitë” e fundit në Turqi. Shumë të rinj, përkundër gazit lotsjellës, të pajisur me maska apo pa te, me ilaçe dhe me guxim e detyruan policinë që të tërhiqej. Pasi policia  u tërhoq, protestuesit i barrikaduan të gjithë udhëkryqet dhe rrugët që i lidhte me Taksim. Në ndërkohë, një gjykatës kemalist solli aktgjykim për ndërprerjen e punimeve në Taksim, me qëllim që intervenimi policor për shpërndarjen e turmës të shndërrohej i jashtëligjshëm. Pasi që e morën nën kontroll sheshin, organizatorët e protestës e ndërruan parullën e protestës. Ata tani bërtitnin “hükümet istifa” (qeveri dorëhiqu!). Pas pushtimit të sheshit erdh një goditje tjetër. Disa protestues të tjerë u vërsulën që të pushtojnë me dhunë zyrën e kryeministrit në Stamboll (sikur rasti i 21 janarit në Tiranë). Në ndërkohë protesta të dhunshme shpërthyen në Ankara dhe Izmir si dhe tentohej që të shpërthejnë në të gjithë Turqinë. Në Izmir grupet militante kemaliste ia vunë zjarrin objektit të partisë AKP. Për një periudhë shumë të shkurtër ata arritën që ta destabilizojnë gjithë Turqinë. Brenda një jave Bursa Istanbul humbi 10 % të vlerës së aksioneve apo e përkthyer në para kap vlerën në 12 miliard dollar humbje. Po ashtu me fillimin e protestave vetëm nga Bursa Istanbul u tërhoqën 1.3 miliard dollar investime të huaja. Protesta të dhunshme u organizuan edhe në Antali e ku tani është kulmi i sezonit për rezervime dhe që është burim më i rëndësishëm i të ardhurave nga sektori i turizmit për Turqinë. Turizmi në Stamboll u dëmtua rëndë pasi që rezervimet në hotele u ndërprenë. Turizmi i Stambollit është e ardhur shumë e rëndësishme për ekonomin e këtij qyteti. Dollari dhe Euro fituan vlerë rekorde kundrejt lirës turke, si dhe u ritën kamatat(interesi). Përveç dëmit material protestat e dhunshme rezultuan me 4 të vdekur dhe rreth 4000 të plagosur lehtë e nga të cilët edhe 500 policë. E gjithë kjo la që të kuptohet se këtu bëhej fjalë për një strategji të planifikuar deri në detajet më të vogla. Qëllimi ishte apo është shkaktimi i krizës ekonomike dhe ndërrimi i pushtetit. Kuptohet që e gjithë kjo nuk mund të arrihej pa përkrahjen e medieve në Turqi që kontrollohen nga pronar të huaj.  Media ndërkombëtare po ashtu ndërhyn në këtë lojë të rrezikshme duke dezinformuar për gjoja “pranverë turke” dhe duke u dhënë përkrahje protestuesve.
Të ndeshur me seriozitetin e situatës, partia opozitare kurde dhe partia opozitare e nacionalistëve turk (MHP) menjëherë u distancuan nga protesta. Ata e bën të ditur qartë se këtu bëhej protestë për qëllime ideologjike dhe u bënë thirrje militantëve të tyre që të tërhiqen nga protesta. Partia nacionaliste ka gjasa reale qe të shndërrohet në parti kryesore opozitare në zgjedhjet e ardhshme. Ajo pretendon që ta ruaj momentumin dhe mundësisht ta risë përkrahjen gradualisht deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2014. Në bazë të anketave të opinionit publik nacionalistët turk (MHP) me sukses e ritën mbështetje duke iu kundërvënë procesit të zgjidhjes së konfliktit me kurdët dhe duke e akuzuar qeverinë për tradhti dhe kapitullim. Përderisa partia opozitare kurde nuk dëshiron që në këtë periudhë të procesit të zgjidhjes së çështjes kurde të ketë trazira politike.
Pasi që protestuesit nuk arritën të okupojnë zyrën e kryeministrit, ata e kthyen protestën në vandalizëm, duke thyer dhe shkatërruar jo vetëm objektet publike por edhe disa private. Ata ua vunë flakën autobusëve publik dhe i mbushën muret me parulla kundër kryeministrit. Nuk i kursyen edhe disa xhami, turbe dhe çezme historike. Vandalizmi ndaj xhamive ishte kulmi i vandalizmit të tyre. Me këtë rast, shumë protestues të rinj, u larguan nga protesta, pasi që u bindën se këtu nuk bëhej më fjalë për mbrojtjen e mjedisit, por se kjo ishte një lojë me prapavijë ideologjike.
Disa ditë pas fillimit të protestave u arrit që të merrej turma nën kontrollin policor. Pas kësaj edhe kryeministri mbajti fjalim përpara mijëra përkrahësve të tij. Ai u bëri me dije medieve që të kenë kujdes se janë duke përkrahur një grusht civil të organizuar nga kemalistët me përkrahje nga jashtë. U bëri me dije të gjithë atyre që janë përgjegjës për këtë skenar kundra qeverisë së tij se do të përgjigjen për veprimtaritë e tyre. Kryeministri në një fjalim i fajësoj lobit e interesit (fajdexhit/kamatashët) se qëndrojnë pas protestave. Kjo pasi që qeveria e tij ka arritur që të kursej 350 miliard dollar nga ulja e përqindjes së interesit prej kur ai ka ardhur në pushtet. Po ashtu ai ia tërhoqi vërejtjen një universiteti që i inkurajonte studentët që të protestojnë. Universiteti në fjalë është i themeluar nga një biznesmen me lidhje politike me kemalistët. Në Turqi ka disa familje multi-miliarderësh. Këta pasanikë u pasuruan duke shfrytëzuar monopolet gjatë qeverisjes së kemalistëve. Ata sot janë të veshur me pushtet politik dhe kanë universitet e tyre me kushte ideale. Mirëpo në ato universitete me sukses arrihet që shumë studentëve tu shpërlahet truri dhe që më pas ato sakrifikohen për interesat e disa qarqeve me interesa financiare-politike. Pjesëmarrja e shumë studenteve dhe studentëve në këto protesta ishte më e madhe pikërisht nga universitetet në fjalë. Me dobësimin e intensitetit të protestës, kryeministri urdhëroi shpërndarjen e turmës. Këtë detyrë policia profesionalisht e kreu me sukses. Me këtë rast kryeministri  e shënoi këtë “fitore” me mbajtjen e një mitingu madhështor me përkrahësit e partisë së tij në Stamboll.
Shumica e popullatës në Turqi e kuptojnë politikën e dhunshme të kemalistëve për pushtet. Ata tani e dinë që kemalistët (me përkrahjen e juntave në ushtri) njërin kryeministër e varën, njërin dyshohet se e helmuan, tjetrin e detyruan që të jepte dorëheqje. Kryeministrin aktual (përderisa ishte kryetar i Stambollit) e burgosën dhe ia ndaluan kandidimin për post zyrtar. Prandaj dhe shumë simpatizant të AKP-së janë të shqetësuar se edhe kryeministri i tashëm mund të eliminohet fizikisht. Këtë shqetësim e ka edhe vetë kryeministri, prandaj dhe retorika e tij u ashpërsua skajshmërisht me ngjarjet e fundit. Nuk është për tu habitur që në periudhën në vijim do të ketë disa arrestime të gazetarëve, pronarëve të medieve, prokurorëve, gjykatësve, bankierëve dhe biznesmenëve. Ata do të akuzohen për përkrahje të grushteve ushtarake në të kaluarën dhe për përgatitje të grushtit të fundit civil. Kuptohet që ushtria, që i ndërmerrte grushtet ushtarake në të kaluarën, kishte bashkëpunim me individ të profesioneve të lartpërmendur. Dënimi i fajtorëve me burgim është i domosdoshëm për demokratizimin e shoqërisë së Turqisë dhe për fillimin e një periudhe të re. Rezultatet e periudhës së re që ka filluar tani më në Turqi do të mund të vlerësohen pas një dekade.
Shumë protestues kërkonin liri më të madhe në Turqi. Por ata nuk janë të vetëdijshëm që lirin që e gëzojnë sot është rezultat i një politike me shumë sakrifica. Kur i pyes ata turq të rinj që protestojnë se cilët liri të mungojnë, ata nuk janë në gjendje që ta thonë një liri të vetme që iu mungon. Megjithëse ata nuk dinë që të përgjigjen, shumë liri iu mungojnë qytetarëve të Turqisë. Mirëpo ata që sot janë të privuar nga disa liri nuk janë të përfaqësuar në këto protesta. Liritë që u mungojnë atyre janë: punësimi i femrave me shami në institucionet publike, shkollimi në kurdisht, mundësia e faljes së namazit të xhumas në xhami të të punësuarve në institucionet shtetërore, liri më të madhe të besimit për alevitët, mundësia e kritikës ndaj politikës së Mustafa Kemalit etj. Mirëpo edhe këta liri do të fitohen së shpejti me ndërrimin e kushtetutës së Turqisë. Inshallah.
(Autori është autor i librit “Sfidat e Turqisë” si dhe doktorant në Universitetin e Stambollit për Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare).