Sot u bë hapja e terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Në përurimin e tij morën pjesë kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan dhe ai shqiptar Edi Rama, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, përfaqësues shtetëror dhe përfaqësues të familjes Jashari.
Hapja e terminalit të ri u konsiderua si vepër madhore në shërbim të qytetarëve, e cila do të lidhë lindjen dhe perëndimin, dhe për më tepër do të lidhë Kosovën me botën.

Mysafiri kryesor i ngjarjes ishte kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan. Ai shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Kosovë, duke thënë se ky është aeroporti më i mirë në Ballkan, dhe e konsideroi se investim që kontribuon në ardhmërinë e Kosovës.
“Emri i aeroportit Adem Jashari lidhet me simbolin e lirisë. Emri i tij njihet edhe në Turqi. Kur erdha në Kosovë e ndjeva veten si në shtëpinë time. Ne jemi ndër vendet e para që kemi njohur Kosovën, dhe do ta mbështesim gjithmonë këtë vend. Populli i Kosovës janë vëllezërit tanë. Poeti i himnit turk Mehmet Akif Ersoy vinte nga këto toka, dhe është dëshmi se sa të vëllazëruar kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi. Në Turqi ka kosovarë, ashtu si ka turq në Kosovë, dhe për këtë arsye, vëllazëria jonë vetëm sa forcohet. Turqia ka bërë investime në sektorë të ndryshëm si shëndetësi, banka, ndërtimtari dhe shumë lëmi të tjera. Totali i këtyre investimeve është mbi 300 milion euro.”

Mysafiri tjetër, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se aeroporti ndërkombëtar Adem Jashari ka emrin më të mirë të mundshëm për këtë vend, i cili nuk do të mund të arrinte këtu pa idealet e Adem Jasharit.
Rama tha se kryeministri Erdogan është mik i rrallë i shqiptarëve, dhe se shqiptarët asnjëherë nuk do ta harrojnë punën e tij për pavarësinë e Kosovës. Rama tha se Erdogan ka ndjekur së afërmi të gjitha lëvizjet që sollën pavarësinë, dhe se ka punuar për arritjet e derikëtushme.
Edhe kryeministri Thaçi shprehu falënderim për kryeministrin Erdogan, i cili kishte përkrahur Kosovën edhe para se të shpallte shtetësinë. Thaçi tha se Erdogan i kishte telefonuar një ditë para se të shpallej pavarësia, dhe kishte thënë se Turqia tashmë e kishte bëre gati njohjen për shtetin e ri. Thaçi shprehu dëshirën që aeroporti i ri të mos përdoret për migrim, por për udhëtim të lirë e pa viza.
Zyrtarët e kompanisë Limak thanë se ky investim ka kushtuar rreth 140 milion euro, dhe ka kapacitet për të pranuar 5 milion udhëtar në vit. Arkitektura moderne e aeroportit u konsiderua si më e avancuara e kohës.

Ekipi i mesazhi.com ka sjellur pamjet e para nga terminali i ri, si dhe nga vizita e liderit turk Rexhep Tajip Erdogan. /mesazhi/




Thaçi, Rama e Erdogan përuruan terminalin e ri të Aeroportit