Skuadra izraelite e njohur për fyerje antiarabe nga tifozët e saj, planifikon të transferojë dy lojtarë myslimanë, për çka ka shkaktuar protestë në tribuna, gjë që ka shtyrë një ministër të kabinetit izraelit ta quajë shokuese dhe raciste këtë reagim.
Në një ndeshje të Premier Leagues së Izraelit të shtunën, tifozët e Beitar Jerusalemit kanë mbajtur një pano që shkruante “Beitari gjithmonë do të mbetet i pastër”.
Pano të tjera të mbajtura nga tifozët tregonin pakënaqësinë e tyre ndaj pronarëve që kanë thënë se janë të interesuar të transferojnë dy lojtarë myslimanë çeçenë.
Klubi Beitar është bastion i krahut të djathtë politik të Izraelit dhe skuadra e vetme elitare në vend që kurrë nuk ka transferuar një lojtar arab për shkak të presionit të tifozëve.
Një lojtar mysliman, mbrojtësi nigerian Ibrahim Nadalla, kishte kaluar në klub shkurtazi në vitin 2005, por u largua shpejt për shkak të armiqësisë që shprehën tifozët e klubit ndaj tij.
“Unë isha i shokuar nga racizmi i treguar në tribuna të Beitar Jerusalemit të shtunën, ku u shprehën kundër transferimit të lojtarëve myslimanë apo arabë në skuadër”, ka thënë zëvendëskryeministri i Izraelit, Moshe Yaalon. “Ne nuk mund të injorojmë këto shfaqje të racizmit që jo shumë kohë më parë ishin drejtuar dhe ende drejtohen në drejtim të hebrenjve”, ka shkruar Yaalon në “Twitter”.
Policia gjatë ndeshjes ka arrestuar tre tifozë të dyshuar për këto mesazhe dhe ata do të paraqiten në gjykatë së shpejti, ka thënë zyrtari i policisë Micky Rosenfeld.
Federata e Futbollit e Izraelit ka thënë se do të marrë masa disiplinore ndaj klubit.
Beitar Jerusalem është klub që mbahet në pronë nga miliarderi rus Arkady Gaydamak. Ai thotë se nuk do të ndalet për të transferuar dy lojtarë çeçenë, Zaur Sadayev e Zhabrail Kadiyev nga skuadra ruse Terek Grozny.
Gaydamak kishte thënë se një grup i vogël i tifozëve nuk paraqet mendimin e gjithë opinionit në Izrael.
Popullata arabe përbën afro 20 për qind të popullatës prej afro 7.8 milionë të Izraelit dhe asnjë skuadër tjetër izraelite nuk i ka ndalur lojtarët arabë. Shumica e tyre kanë lojtarë arabë. Madje arabët janë aktivizuar edhe në Përfaqësuesen “A” të Izraelit.
Beitar Jerusalem aktualisht zë pozitën e katërt në Premier League, një pozitë që mund t’i sigurojë gara në kupat e Evropës vitin e ardhshëm.
Rifaat Turk, arabi i parë që ka luajtur në Përfaqësuese të Izraelit (1976-1986), ka thënë se tifozët e Beitar Jerusalemit kanë treguar racizëm të “papërmbajtur”. Ai i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Izraelit që të marrë masa.