Leonard Veizi
-“Miku i mirë në ditë të keqe”. Këtë duhet të kenë menduar edhe shtetarët e lartë të Turqisë kur i kanë afruar Shqipërisë ndihma ka kursin në ditët më të vështira të saj. “500 vjet vëllazërim…” Me sa duket Turqia kërkonte të shlyente në një farë mënyrë edhe furnizimin me disa qindra mijë jeniçerë që kishte bërë ndër vite perandoria e madhe aziatike në tokën e Arbrit. Disa qindra shqiptarë të tjerë kishin mbajtur çelësat e pushtetit të otomanëve. Dhe për djall a dreq Shqipëria kishte qenë dhe e fundit nga kombet që ishte ndarë prej Porta e Lartë, pikërisht atëherë kur atë nuk e mbanin më këllqet. Në fund të fundit, të gjitha këto bënë që urat e bashkëpunimit mes dy vendeve të njihnin zhvillim vit pas viti, nga koha e karrocave kur u shpall Pavarësia deri në periudhën e kibernetikës…
…Kolonel Hajro Limaj, ish atasheu ushtarak shqiptar në Ankara vite me radhë, për lexuesin e “Shekullit” sjell një atmosferë krejt tjetër të marrëdhënieve dypalëshe, të Shqipërisë Republikë, tashmë me shtetin super-ushtarak të NATO-s, Turqinë. E padyshim, ndihma e saj në ditë të vështira kishte të bënte me vetë ekzistencën e Shqipërisë…
Cila ishte situata diplomatike mes dy vendeve kur u akredituat në ambasadën shqiptare të Stambollit?
Në dhjetorin e 1994-ës, kur u akreditova atashe Ushtarak në Republikën e Turqisë dhe fillova takimet zyrtare me ministrin e Mbrojtjes, Shefin e Shtatmadhorisë dhe shumë personalitete të tjera shtetërore dhe politike të vendit, gjeta një mikpritje dhe përzemërsi, që nuk e kisha hasur në shumë vende të tjera të Evropës, ku kisha qenë më parë. Këtë përzemërsi e ndieja edhe me qytetarët e thjeshtë të Turqisë në Ankara, Stamboll, Bursa, Izmir, e kudo ku unë ndodhesha me detyrë. Sapo mësonin që isha atashe ushtarak i Arnavutlluk-ut (Shqipërisë), ata shprehnin respekt e një mirësjellje të veçantë. E gjithë kjo lidhej me autoritetin, personalitetin, trimëritë, besnikëritë e humanizmin, që kishin treguar shqiptarët nga periudha Osmane e deri në ditët e sotme, si ushtarakë të pashoq dhe si drejtues të lartë qeveritarë dhe administrativë. Kur trajtonim marrëdhëniet e dy vendeve tona të gjithë autoritetet i referoheshin menjëherë historisë së largët, të mesme dhe të sotme të shqiptarëve, vlerave të tyre në periudhën Osmane e në periudhën e shtetit modern të Turqisë. “Shqiptarët kanë drejtuar perandorinë Osmane dhe shtetin turk. Edhe tani, në vendet kryesore të Turqisë janë shqiptarët, nipërit dhe mbesat e tyre”- shpreheshin ata me kënaqësi. Ky realitet më shoqëroi në çdo ministri, qytet, bashki e komandë ushtarake.
Marrdhëniet mes dy vendeve kur do njihnin një zhvillim të ri pozitiv?
Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, veçanërisht pas ardhjes në pushtet në pushtet të PD me zotin Berisha si president, marrëdhëniet e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë u përqendruan plotësisht me Turqinë. Ky qëndrim politik  nga pikëpamja e politikave të sigurisë kombëtare ishte një qëndrim krejtësisht i natyrshëm dhe real mbasi në ato vite shtetet kufitare të Shqipërisë, Greqia dhe Jugosllavia, përbënin rrezikshmërinë direket për sovranitetin kombëtar të vendit tonë. Edhe Italia, në ato vite nuk paraqiti ndonjë predispozicion të veçantë për bashkëpunimin real dhe të vërtetë me Shqipërinë në këtë fushë të strategjisë. Për këtë arsye shteti shqiptar ftoi shefin e parë të shtatmadhorisë të Turqisë, gjeneral armate Dogan Gyresh, i cili në datat 17 dhe 21 nëntor 1991 bëri vizitën e parë të tij në Shqipëri, që përfaqësonte edhe vizitën e parë të një shefi të Shtatmadhorisë të një shteti të NATO-s, vizitë të cilën e përsëriti në datat 5-7 tetor 1993. Por gjatë kësaj kohe Shqipërinë e vizitoi edhe ministri i mbrojtjes kombëtare Nevzat Ajaz, më dadat 18-20 nëntor 1992. Në këtë vrull bashkëpunimi, kthyen vizitat e tyre në Turqi shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare gjeneral Kostaq Karoli, pasardhësi i tij gjeneral major Ilia Vasho, gjeneral armate Sheme Kosova dhe pas vitit 1997 nga gjeneral brigade Aleks Andoni. Paralelisht me vizitat e niveleve të larta ushtarake Shqipëria u vizitua nga kryeministri i asaj kohe, Sulejman Demirel, presidenti Turgut Ozal, më 15 shkurt 1993 dhe për çdo vit vizita të nivelit më të lartë politik dhe ushtarak, fusha në të cilat ishte përqendruar edhe bashkëpunimi strategjik midis dy vendeve.
Cila ishte detyra e një atasheu ushtarak në një vend si Turqia?
Në dhjetor 1994 Shqipëria u përfaqësua në republikën e Turqisë për herë të parë me një atashe ushtarak, të cilin e emëroi direkt presidenti i Republikës z. Berisha. Nëse në periudhën e viteve 1990-2000 do ta analizojmë sipas ngjarjeve kronologjike, marrëdhëniet e bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë mund t’i ndajmë në tre kapituj
1-Turqia ishte shteti i vetëm i NATO-s që u angazhua plotësisht prej fillimit të vitit 1993 në ristrukturimin e forcave të Shqipërisë sipas standardeve të NATO-s dhe që arsimoi, kualifikoi dhe trajnoi një sërë nxënësish, studentësh dhe ushtarakësh të të gjitha niveleve në shkollat e saj.
2-Sipas statistikave Turqia është shteti që ka kontribuar më shumë për ta integruar Shqipërinë në NATO duke investuar për stërvitjen dhe modernizimin e Forcave të Armatosura 60 milion dollarë deri në vitin 2000, shifër e cila në fund të korrikut 2012 i kaloi 120 milion dollarët. Në Turqi nga viti 1992 janë arsimuar e kualifikuar 1000 nxënës, studentë dhe kuadro të lartë ushtarakë. Kjo shifër në korrik të 2012 ka shkuar në 1647 vetë. Koha e studimit është nga 1-11 vjet pa ndërprerje.
3-Gjatë viteve 1993-2000 janë kuruar në spitalin qendror ushtarak në Ankara, falas, 400 ushtarakë, e cila në fund të korrikut 2012 mbërriti në 1000 vetë.
Ndërkohë Shqipëria kishte nevojë të ishte dhe në struktura…?
I gjithë ky bashkëpunim intensiv, nëse nuk do të kishte ndodhur kriza e vitit 1996-1997, Shqipëria për arritjet në fushën e mbrojtjes dhe për vetë interesat e NATO-s në vitin 1999 do të ishte bërë plotësisht anëtare e NATO-s. Por fatkeqësisht kriza politike e viteve 1996-1997 përmbysi të gjitha raportet dhe ushtria u shpërbë. Kjo situatë doli jashtë kontrollit dhe mundësive të shtetit për ta menaxhuar këtë krizë, gjë e cila solli rritjen e revoltave e demonstratave veçanërisht në Shqipërinë e Jugut duke u mbështetur nga qarqe të hapura apo të mbyllura të Greqisë duke vënë në pikëpyetje sovranitetin apo integritetin e vendit. Media botërore, edhe ajo turke fliste për një plan të ndarjes së Shqipërisë duke  treguar në hartë lumin e Vjosës si ndarje midis Greqisë dhe në një të ardhme të mundshmet e Serbisë.
Media botërore, edhe ajo turke fliste për një plan të ndarjes së Shqipërisë duke  treguar në hartë lumin e Vjosës si ndarje midis Greqisë dhe në një të ardhme të mundshmet e Serbisë.
 
Rreziku nga Greqia
Çiler: Gabimi me Bosnjën s’duhet të përsëritet në Shqipëri
Cili ishte rreziku që vinte nga Greqia në vitin e trazuar 1997? Kolonel Limaj thotë: -Lëvizja e reparteve e n/reparteve të Divizionit II të këmbësorisë në Janinë drejt kufirit tonë dhe rritja e protestave me flamuj grekë, veçanërisht në Sarandë e rrethinat e saj, krijuan premisat deri në ndërhyrje ushtarake të Greqisë në Shqipëri për të realizuar idenë e Epirit të Veriut Në këto rrethana si përfaqësues ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Turqi rrita intensivisht kontaktet e niveleve më të larta veçanërisht me shefin e shtatmadhorisë gjeneral armate Ismail Karadaj dhe ministrin e mbrojtjes së Turqisë. Të gjitha të dhënat informative vërtetonin se rreziku ushtarak i Greqisë ishte imediat. Shqipëria nuk kishte më forcë politike dhe ushtarake t’i kundërvihej qëndrimit agresiv të Greqisë. Shtetet e tjera heshtnin. Turqia përpara këtij rreziku në datën 17 mars 1997 nëpërmjet kryeministres se saj Tansu Çiler deklaroi botërisht:  “Turqia nuk do të qëndrojë spektatore ndaj përpjekjeve territoriale të Shqipërisë dhe zgjidhjen në një kohë sa më të shkurtër të krizës qeveria turke ka intensifikuar veprimtarinë e saj në interes të Shqipërisë, në NATO, OSBE dhe në organizma të tjera ndërkombëtare. Turqia është gati të zërë vendin e saj në çdo forcë ndërkombëtare apo në çdo projekt, që do të hartohet për këtë qëllim. Gabimi që u bë me Bosnjën nuk duhet të përsëritet në Shqipëri. Në këtë kuadër, Turqia do t’i japë Shqipërisë të gjitha ndihmat e nevojshme, si në planin politik dhe ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak”.
 
Dëshmia
Turqiaq nuk lejoi citimin e Shqipërisë
Situata në Shqipëri jo vetëm që s’po qetësohej por në rajone të veçanta ishte tepër e tensionuar e gjendja po degradonte. Për këtë arsye shefi i shtatmadhorisë gjeneral armate Karadaj, nëpërmjet një informacioni tepër urgjent i paraqiti kryeministres Çiler rrezikun që vazhdonte ti kanosej Shqipërisë. Në këto rrethana Tansu Çiler pas 12 ditësh më 29 mars deklaroi para medieve të gjithë botës: “Turqia është e vendosur të ruajë integritetin territorial të Shqipërisë dhe nuk mund të qëndrojë pasive ndaj ngjarjeve që kërcënojnë copëtimin e Shqipërisë. Përkeqësimi i situatës në Shqipëri është i palejueshëm dhe do të ishte turp për Evropën, prandaj nga ana e saj Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”. Por duhet pranuar se invazioni i hapur dhe i kamufluar i shteteve që përpiqeshin ta copëtonin Shqipërinë nuk po jepnin shenja tërheqjeje apo ndalese. Kjo e detyroi përsëri Tansu Çilerine që më 17 maj 1997 të deklaronte para gazetarëve se “Dëshiroj të tërheq vëmendjen veçanërisht në disa probleme, që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Nga fundi i qershorit do të zhvillohen zgjedhjet. Po paralajmërojmë edhe njëherë opinionin publik botëror: Asnjë të mos përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë. Armët që janë marrë, për atë ose këtë arsye, t’u dorëzohen përsa të jetë e mundur menjëherë autoriteteve kompetente zyrtare. Demokracia është zgjidhja e vetme dhe zgjedhjet janë zgjidhja e vetme brenda saj. Ndërhyrjet në zgjedhje, ndërhyrja në punët e brendshme, janë probleme që duhet t’i kapërcejë secili… Ne këtu kemi 800 ushtarakë të sigurisë të ushtrisë tonë. Në këtë kuadër, i uroj edhe njëherë për përgatitjet e suksesshme që kanë bërë. Ju sqaroj se Turqia, në të gjitha platformat e luftës për demokraci, që janë të nevojshme, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë vendit, do të vazhdojë të angazhohet si në kuadrin e organizmave ndërkombëtare, ashtu edhe në kuadrin e ndihmave ndërkombëtare”. E veçanta e kësaj gjendje që çdo ditë sillte të papriturat e saj  qëndron se përveç Turqisë asnjë shtet tjetër i NATO-s apo BE-së nuk reagoi kaq hapur e prerë në mbrojtje të sovranitet dhe të integritetit të Shqipërisë. Me dislokimin e trupave ndërkombëtare në kuadrin e operacionit ALBA, Turqia solli 900 trupa nga më të përgatiturat dhe ishte tepër aktive për vendosjen e rendit dhe të sigurisë për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme. Për këto arsye në datën 9 maj 1997 Shqipërinë e vizitoi shefi i shtatmadhorisë gjeneral armate Ismail Karadaj i cili u prit nga presidenti Berisha dhe kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino. Gjatë kësaj qeverisje, Turqinë e vizituan ministri i mbrojtjes Shaqir Vukaj dhe kryeministri Bashkim Fino, të cilëve të gjithë autoritetet politike dhe ushtarake u dhanë mbështetjen e gjithanshme që ata kërkuan për kapërcimin e situatës transitore të qeverisjes.
 
Turqia solli në Shqipëri në kuadër të operacionit ALBA 900 trupa nga më të përgatiturat e ushtrisë së saj
Botimi i ri: “Midis Ankarasë dhe Tiranës”
Mes botimeve të shumta me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë erdhi dhe vëllimi “Midis Ankarasë dhe Tiranës” me autor Hajro M. Limaj. Për 10 vjet rresht, në periudhën e viteve 1990- 2000, Limaj është diplomati i parë ushtarak i vendit tonë, që punoi për krijimin, zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve politiko-ushtarake me Republikën e Turqisë. Deri në vitin 1994 këto detyra i kreu nëpërmjet funksioneve në Ministri, duke shkuar shpesh me shërbime në Turqi, ndërsa në vitet 1995-2000, për rreth 6 vjet, duke kryer misionin e Atasheut Ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë. Kjo ishte një periudhë tejet intensive dhe kritike për vendin tonë, për nga zhvillimet politike dhe reformat në MM dhe FA. Këto e kanë mbushur publicistin dhe diplomatin e mirënjohur, kolonel Hajro Limaj me mbresa dhe informacione me vlera jo të zakonshme. Vlerat më të mëdha të librit “Midis Ankarasë dhe Tiranës” qëndrojnë në përshkrimin dhe përfundimet që dalin për rolin shumë të rëndësishëm që luajti shteti turk në vitet e para të tranzicionit në Shqipëri, për kapërcimin e krizës së rëndë politike në Shqipëri në vitet 1996-1997 dhe për çlirimin e Kosovës nga genocidi serb në vitin 1999.
Turqit akuzojnë grekët për revoltat në Shqipëri
Kolonel Hajro limaj, duke kujtuar ditët e vështira të vitit 1997 thotë: “Situata që po kalonte Shqipëria ishte prezent në të gjithë median televizive dhe të shkruar në Turqi. Shumë analiza dhe komente akuzonin Greqinë për organizimin dhe mbështetjen e revoltave në jug të Shqipërisë. Bile, shpesh trajtohej edhe projekti grek për Vorio- Epirin. Përforcimi me trupa ushtarake i njësive kufitare apo të reparteve greke, në afërsi të kufijve me Shqipërinë Jugore, e shtoi akoma më shumë këtë argument”.
Dislokimi, 900 trupa
Në kuadrin e Operacionit “Alba” Turqia dislokoi në Shqipëri 900 trupa. Komanda e tyre ishte në Zallherr. Zonat e veprimit ishin në mbrojtje të aeroportit të Rinasit, të zonës perëndimore të Tiranës dhe të aksit rrugor deri në Burrel. Këto trupa ishin pjesë organike e Brigadës së Këmbësorisë Detare Focia, në jug të Izmirit. Për të inspektuar trupat e për të bërë takime të nivelit të lartë më 9 maj 1997, me avionin e posaçëm të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm e Komandantit të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneral armate, İsmail Hakkı Karadayı