Forumi Rinor Islam bëri hapjen e muzeut të Muhamedit a.s. në Çifte Hamam në Shkup, muze ky i cili paraqitet për të parën herë në Maqedoni.
Hapja e muzeut filloi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafizi i mirënjohur Xhemail Nuhiju.
Për të përshëndetur të pranishmit fjalë rasti iu dha kryetarit të Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabanit, i cili mes tjerash tha: “Është kënaqësi që Forumi Rinor Islam për herë të parë në Republikën e Maqedonisë po sjell një muze të tillë. Mundohemi që para opinionit tonë të shpalosim më afër jetën dhe veprën e më të dashurit tonë Muhamedit a.s., njeriut i cili me të vërtetë dha shumë për njerëzimin. Kjo formë në bashkëpunim me profesorin e nderuar Esmir Haliloviç shpresojmë të jetë pak më interesante, më e veçantë dhe qytetarët e Maqedonisë për këto katër ditë që do të zgjasë muzeu të shohin më afër jetën dhe veprën e njeriut më të dashur të njerëzimit.”
Fjalë rasti kishte edhe autori i kësaj vepre artistike, profesori Esmir Haliloviç i cili potencoi: “Kemi nderin që na ftuat edhe në Maqedoni ta prezentojmë këtë vepër artistike, muze i cili është i vetmi në botë i llojit të tillë. Këtë muze e kanë vizituar diku 38,000 vizitorë. Gjatë prezentimit nga udhëheqësit profesionistë do të keni mundësi të njoftoheni më afër me segmente nga jeta dhe vepra e Muhamedit a.s. dhe qëllimi kryesor i këtij muzeu është njoftimi më afër dhe saktë për jetën dhe veprën e Muhamedit a.s. Falenderoj Forumin Rinor Islam dhe dua të potencoj që deri tani janë organizata më e organizuar prej të gjitha vendeve ku kemi paraqitur këtë vepër.”
Para të pranishmëve fjalë rasti iu dha edhe nënkryetarit të Forumit Rinor Islam, hoxhë Hasan Baftijarit i cili përcolli disa mesazhe duke theksuar: “Prezenca juaj dëshmon shumë qartë se ju e doni Muhamedin a.s., ai ishte njeriu më i dashur edhe te Allahu. Ajo që më la mbresa nga kjo vepër ishte se shumë bukur sqarohej se preokupimi i Muhamedit a.s. nuk ishte ndërtimi i kalave, por ndërtimi i njeriut. Muhamedi a.s. është, ka qenë dhe do të mbetet modeli më i mirë, njeriu më i mirë që ka shkelur mbi tokë.”
Vijoi edhe këndimi i ilahive nga hafizi Xhemail Nuhiju dhe në fund kryetari i FRI – së, Fisnik Shabani në shenjë falenderimi dhe mirënjohjeje u dhuroi dhuratë modeste autorit Dr. Esmir Haliloviç dhe bashkëpunëtorëve të tij Afan Abazoviç, Armin Jashareviç, Nihad Tutiniç, dhe Eldar Tutuniç.
Ekspozita do të jetë e hapur edhe ditët në vijim edhe atë:
11.02.2017, e shtunë, prej 10:00 – 19:30
12.02.2017, e diel, prej 10:00 – 19:30
13.02.2017, e hënë, prej 10:00 – 17:00