Po të vëzhgoja gjatë kohë,
Vazhdimisht,
Vite shumë.
Po vëzhgoja çdo hap tëndin,
Çdo frymë që mirrje,
Çdo lëvizje që bëje,
Çdo fytyrë që gëzoje.
Po shikoja se sa veçantë dhe bukur e thurrur ishte çdo pjesë e jetës sate.
Shoh këmbë që shkelnin mbi tokë,
Për të cilat toka nuk ankohej.
Sa e bukur ishte ndjenja e të qenurit pranë teje për kaq kohë të gjatë,
Ashtu, vetëm për të të shikuar.
Po, vazhdova të vëzhgoj çdo lëmim koke,
Çdo buzëqeshje që e falje me gjithë zemër.
Aq shumë më robërove me modestinë tënde.
Të pashë edhe pranë çdokujt që për ty pati nevojë.
Ashtu nga larg, veç unë të pashë teksa nxjerrje kafshatën nga goja, për të gëzuar ata që prej teje prisnin shpëtim.
I pashë se sa dashuri të jepnin shokët e tu,
Të cilët ishin të gatshëm të flijohen e vdisnin për ty.
O i dashur, të pashë kur qave për ummetin tënd dhe kohërat qe do të vijnë.
E po t’a dinte njerëzimi se sa peshonte një lot i yti,
Do të bënin çmos vetëm për të ndjekur ty dhe rrugën tënde.
Po, po, nga larg të pashë dhe ndjeva lodhjen e këmbëve tua kur faleshe natën,
E që ti … kurrë se ndjeve.
Nga larg të pashë gjersa largoje çdo pengesë nga rruga,
Dhe se si me zemër e shpirt përpiqeshe të shuash zjarrin e injorancës.
O fytyrë ndritur,
Nga larg pashë mallin tënd për ata që do të vinin pas teje,
Pashë se si sakrifikoheshe për të përcjellë mesazhin Hyjnor,
Dhe se si dridheshe nga fuqia dhe rëndësia e këtij mesazhi.
Nga larg të pashë se si derdhje lot vetëm për hirë të Zotit.
Në njërën anë ishe ti dhe kasollja yte e rrënuar,
E nga ana tjetër të padrejtit që shijonin bukuritë e kësaj bote.
Të lavdërova, o i bekuar,
Që hoqe dorë nga kjo dynja dhe nga çka ka në të,
Vetëm e vetëm për hirë të Përhershmës dhe Vërtetës.
Se di si mund ta quaj këtë që kam brenda vetes,
Mall, vuajtje a dashuri?
Pse s’po arrij me fjalët më të bukura të të përshkruaj,
E si s’u tha ngjyra nga bukuria e emrit tënd.
Se di pse nuk po mundem të ndalem së vëzhguari ty,
E se si po arrij të flas për njeriun më të rëndësishëm?!
E krejt në fund, nga larg të pashë
Se si i lodhur por me vullnet të plotë,
Ende vazhdove të këshilloje dhe urdhëroje për të mirë.
The: ‘Dërgojuni selam nga unë, atyre që do të vijnë’ …
Selam o i dashuri ynë, selam për njeriun që shpëtoi njerëzinë.
 
Zubejda Murtezi
Poezia e zgjedhur në kuadër të Konkursit letrar për poezi që u mbajt në kuadër të fushatës “Ta njohim Muhamedin a.s.”
Vendi I