Në krah të aktiviteteve të muajit të shenjtë Ramazanit, Departamenti i Femrës pranë Forumit Rinor Islam – Dega Shkup nën moton “Ramazani, muaji i vetëdijesimit” organizoi program modest në restorantin Kalabria – Çair.

Pas citimit të disa ajeteve Kuranore, në hyrje të programit fjala përshëndetëse iu dha përgjegjëses së Departamentit të Femrës, Zubejda Murtezi. Ndërsa njëherit programi filloi me ligjëruesen nga Republika e Shqipërisë Av. Rovena Tujani Klinaku, e cila aktualisht punon në Këshillin e Bashkësisë Islame në Vushtrri, dhe është aktiviste në portale të ndryshme me artikuj të ndryshëm Në këtë aktivitet ajo u prezantua me temën “Vetëdijesohu dhe ndero veten këtë muaj”.
“Analizo veten, qetësoje veten dhe shkëputu një kohë, lidhu me Kuranin, lexo histori inspiruese të njerëzve të mëdhenj, kujdesu për të tjerët, vendos të ndahesh përfundimisht nga veset e këqija…” ishin prej fjalëve të para me të cilat ligjëruesja iu drejtua të pranishmeve.

Pika e programit e cila ngjalli më shumë emocion te publiku ishte monologu “Erdha” interpretuar nga Amra Saliu.
Në shenjë mirënjohjeje përgjegjësja e Departamentit të Femrës – Dega Shkup, Isra Sherifi përcjelli falenderim ligjërueses që pranoi të jetë nikoqire e kësaj mbrëmjeje.

Kurse, me këndimin e disa ilahive u pasurua më shumë dhe u përmbyll programi në fund.