Hanife Jonuzi, pedagoge e diplomuar

Dielli nuk e humb bukurinë kur mbulohet nga retë, gjithashtu as feminiteti nuk humb virtytshmërinë rrezatuese kur vendon mbulesë. Mbulesa nuk është vetëm një shami mbi kokë, është pjesë e jotja. Është identitet, besim, disiplinë, krenari, modesti, vetëbesim dhe devotshmëri. 

Si e tillë, kur vajza zgjedh te jetuarit me respekt dhe modesti, vendon shaminë. Mbulesa karakterizohet e stereotipizohet në forma të ndryshme, mirëpo në esencë është padyshim obligim fetar, nder e liri e nuk është izolim apo shtypje siç në të shumtën e rasteve paragjykohet. Urtësitë që shtrihen pas këtij obligimi Hyjnor kanë të bëjnë me spektrin shpirtëror, fizik, individual e social.

Një femër me mbulesë ka ambicie, synime, mision e vizion njëjtë sikur vajzat tjera, nëse ka mbuluar kokën, nuk e ka mbuluar trurin. Tendencat për diskreditim të vajzës me mbulesë si individ dhe të muslimaneve me shami si komunitet, kanë qenë, janë dhe do të jenë. Shpesh vetëm për shkak të mbulesës, liritë dhe të drejtat e njeriut i nëpërkëmben kësaj kategorie shoqërore me ç’rast konventat e ndryshme, ligjet e aktet juridike dhe rregulloret e institucioneve marrin role kundërthënëse duke pamundësuar shpesh edhe të drejtën për shkollim dhe punësim të vajzave me mbulesë.

Në këtë formë, shoqëria apo më mirë thënë individ të caktuar luajnë në dy arshina, që për pasojë mbase “nëpërkëmbet” edhe dinjiteti i femrës myslimane. Kësisoji, nëse ke një problem, nuk mundesh të arrish tek zgjidhja, pa mos u ballafaquar me të, andaj duhet dhënë kohë e hapësirë që të kuptosh zhvillimin dhe progresin e një individi.

Ua jepni mundësinë që të vënë në pah edhe vajzat me mbulesë potencialet e të kontribuarit jo vetëm në mirëqenien personale por edhe ne kuptim kontributi të një të ardhmeje më të mirë sociale.

Ne vlejmë! Bashkëngjitu!