Nga: Hasan BAFTIJARI

Lavdërimi i takon vetëm All-llahut, bekimi dhe paqja qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka të Dërguar.
Falënderimi i takon All-llahut i Cili krijoi kohën dhe u dha rëndësi disa kohërave mbi disa të tjera, i veçoi disa ditë e disa muaj me cilësi, mirësi e shpërblime më të mëdha, mëshirë nga All-llahu për robërit e Tij, që të jetë kjo nxitje për shtimin e punëve të mira e dëshirë për bindje ndaj All-llahut. Në këtë mënyrë muslimani e rritë horizontin e sevapeve, duke përgatitur veten të jetë gjithmonë i gatshëm në pritjen e vdekjes dhe Ditës së Premtuar.
Nga dobitë e këtyre kohërave është edhe zëvendësimi i mangësive që i kemi bërë në të kaluarën. All-llahu i Lartësuar vazhdimisht i jep robit të Tij dhurata të ndryshme, kurse njëra nga ato dhurata është edhe dhjetë ditshi i parë i muajit Dhul-Hixhe. Nuk ka kohë nga këto kohëra të zgjedhura, vetëm se All-llahu t’i ketë dhënë detyrën e saj të adhurimit, me anë të të cilave i afron robërit e Tij pranë Vetes. I lumtur është ai i cili i shfrytëzon këta muaj, ditë e orë për t’u afruar te Zoti i tij me ibadetin e vet. Pra, muslimani duhet ta dijë vlerën e jetës, të shtojë ibadetin ndaj All-llahut të Madhëruar, të bëjë gjithmonë vepra të mira, deri në vdekje.
Nga begatitë e All-llahut ndaj robërve të Tij është edhe caktimi i disa sezoneve për vepra të mira, ku ata i shtojnë këto vepra gjatë këtyre ditëve, bëjnë gara që të afrohen te Zoti i tyre. I lumtur konsiderohet ai që përfiton gjatë këtyre sezoneve dhe nuk lejon që t’i kalojnë ato kot. Nga këto sezone me vlerë janë edhe dhjetëditëshi i parë i Dhulhixhes. Për këto ditë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka dëshmuar se janë më me vlerë se çdo ditë tjetër dhe ka nxitur njerëzit për bërjen e veprave të mira gjatë këtyre ditëve. Ajo që e shton edhe më shumë vlerën është se All-llahu i Lartësuar është betuar në këto dhjetë ditë. Vetëm kjo na mjafton të kuptojmë madhërinë e këtyre ditëve, për shkak se i Madhëruari nuk betohet vetëm se në diçka të madhe. E tërë kjo është shkas që nga besimtari të kërkohet ta japë mundin gjatë këtyre ditëve, t’i shpeshtojë veprat e mira dhe të kuptojë formën e saktë të pritjes dhe shfrytëzimit të tyre. Në vazhdim do të sqarojmë vlerën e dhjetëditëshit të parë të Dhulhixhes, vlerën e veprave gjatë këtyre ditëve dhe cilat vepra janë të preferuara të praktikohen. Lusim All-llahun e Lartësuar të na mundësojë që të përfitojmë gjatë këtyre ditëve dhe të na ndihmojë në shfrytëzimin e tyre, ashtu si Ai është i kënaqur me ne!

Mirësia e këtyre ditëve
Janë ditët më të mira dhe më të bereqetshme në jetën e besimtarit. Transmetohet nga Xhabiri [radijall-llahu anhu] se Profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk ka ditë që punët e mira janë të dashura për All-llahun më shumë se në këta 10 ditë”. I thanë: “As lufta në rrugën e All-llahut?” Tha: “As lufta në rrugën e All-llahut, përpos ai i cili ka dalë me vetën dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre në shtëpi”.
Me të vërtetë prezantimi i këtyre dhjetë ditëve është mirësi e madhe nga All-llahu i Madhëruar për robërit e Tij, për ata të cilët ia dinë vlerën. Është detyrë për muslimanin ta njohë këtë mirësi e ta shfrytëzojë këtë rast. Kështu që t’i veçojë këto dhjetë ditë me sa më shumë vepra të mira, të mundohet t’i shtojë sa më shumë ibadetet. Nga mirësitë e All-llahut mbi ne është shtimi i rrugëve të veprave të mira dhe llojshmërisë së ibadeteve, në mënyrë që të qëndrojë muslimani gjithmonë i freskët e i gatshëm në adhurimin e Zotit të tij.

Vendosshmëria serioze për shfrytëzimin e këtyre ditëve
Është e nevojshme për muslimanin të jetë i kujdesshëm që këto ditë t’i kalojë me përmendje të All-llahut dhe vepra të mira. Kush mundohet për diçka, All-llahu i ndihmon atij dhe do t’ia sigurojë shkaqet që do t’i ndihmojnë në kryerjen e këtyre veprave. Ai që është i sinqertë me All-llahun, edhe All-llahu do të jetë i sinqertë me të. All-llahu i Lartësuar thotë: “E ata, të cilët kanë dhënë mundin për hir Tonë, Ne, me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e besimtarëve.” (Ankebut, 69)

Largimi nga mëkatet
Sikurse që veprat e mira janë shkaktarë për afrimin ndaj All-llahut, gjithashtu edhe mëkatet janë shkaktarë për largimin nga All-llahu dhe distancim nga mëshira e Tij. Është shumë e mundur që njeriu të ndalohet nga rahmeti i All-llahut për shkak të mëkatit që e vepron, prandaj nëse ke ëndje për mëshirë, falje të mëkateve dhe shpëtim nga zjarri i Xhehennemit, ki kujdes nga mëkatet gjatë këtyre ditëve dhe ditëve të tjera. Ai i cili e kupton se çfarë kërkon, nuk i duket e rëndë çkado që sakrifikon. Prandaj, vëlla i dashur, ki kujdes në shfrytëzimin e këtyre ditëve, mundohu që t’i presësh sa më mirë dhe të mos kalojnë ashtu kot, e të pendohesh atëherë kur pendimi nuk ka dobi.

All-llahu i Lartësuar është betuar në këto dhjetë ditë
Kur All-llahu betohet në diçka, kjo aludon në madhërinë e saj dhe vlerën që ka, për shkak se i Madhërishmi betohet vetëm në diçka të rëndësishme dhe që ka vlerë të madhe, e cila është në dobi të besimtarit. All-llahu i Lartësuar thotë: “Pasha agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun!” (Fexhr, 1-3) Dhjetë netët për të cilët All-llahu betohet këtu janë dhjetë netët e para të Dhulhixhes, ky është mendimi i shumicës së komentatorëve të Kuranit. Ibën Kethiri thotë se kjo është më e sakta, kurse në këtë mendim qëndrojnë edhe Abdullah ibën Abasi [radijall-llahu anhu] dhe komentatori i njohur el-Muxhahid. Kurse betimi i All-llahut të Madhërishëm në çiftin dhe tekun, sipas mendimit të dijetarëve, ka të bëjë me ditën e nëntë dhe të dhjetë të Dhulhixhes.

Nga punët e mira të cilat muslimani duhet t’i kryejë në këto dhjetë ditë janë:
1. Pendimi i sinqertë
Profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ai i cili pendohet nga mëkati është sikur nuk ka bërë mëkat fare”.
Kërkohet nga muslimani që të jetë në pritje të këtyre ditëve me pendim të sinqertë dhe me vendosshmëri se do t’i kthehet All-llahut, për shkak se me pendim robi arrin shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër. All-llahu i Lartësuar thotë: “… Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (Nur, 31)
Lënia e gjynaheve të dukshme e të fshehta dhe kthimi tek All-llahu i Madhëruar në këto dhjetë ditë ka vlerë të madhe. Pra, duhet që muslimani të shpejtojë në teube dhe në lënien e veprave të këqija në moment, e kjo sepse, së pari, ai nuk e di se kur mund të vdesë, dhe së dyti, sepse gjynahet tërheqin njëra-tjetrën. Pendimi në ditë apo muaj të shenjtë luan rol pozitiv në zemrën e të penduarit, sepse ndodhja e këtyre ditëve e shtyn atë në kryerjen e sa më shumë ibadeteve dhe e bën të ndjehet fajtor për kohën e kaluar. Pendimi është detyrë në çdo kohë e çdo moment. Nuk duhet të themi se do të presim këtë muaj apo këto ditë e pastaj do të pendohem. Pra, muslimani duhet të kujdeset t’i shfrytëzojë të tillat raste, sepse ato ikin shumë shpejt; të kryejë në to vepra të mira, sevapet e të cilave do t’i gjejë atëherë kur do të ketë më shumë nevojë për to. Sepse sevapet tona janë të pakta, gjynahet të shumta, kjo jetë është e shkurtër, rrugë e frikshme dhe mbërritje e pashmangshme ose për në Xhennet ose për në Xhehennem. All-llahu Fuqiplotë thotë: “Ai i cili bën vepra të mira, qoftë edhe sa grimca e atomit, do t’i shohë ato; gjithashtu edhe ai i cili kryen vepra të këqija, qoftë edhe sa grimca e atomit, do t’i shohë ato.” I fituar do të jetë ai i cili i shfrytëzon këto ditë të vlefshme, sepse ato nuk kthehen më e as që çmohen me mall. Shpejtoni, shpejtoni në kryerjen e veprave të mira; nxitoni, nxitoni para se t’u sulmojë meleku i vdekjes, e para se të pendohet punëkeqi për çka punoi; para se të kërkojë të kthehet, e askush nuk i përgjigjet; para se shpresat e tij të shkatërrohen; para se të mbyllet i vetëm në gropën e tij, ku nuk do të gjejë asgjë tjetër përveç punës së vet.

2. Përmendja e All-llahut të Madhërishëm
Është sunnet gjithashtu tekbiri, tahlili dhe tesbihi (thënia All-llahu Ekber, La ilahe il-lall-llah dhe Subhanallah) në këto dhjetë ditë. Thënia e këtyre me zë në xhami, në shtëpi, në rrugë e në çdo vend ku lejohet përmendja e All-llahut. Të duket madhërimi i All-llahut dhe të shfaqet ibadeti. Thënia e këtyre me zë nga burrat dhe më zë të ulët nga gratë. Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Le të dëshmojnë ata për dobitë që kanë, e të përmendin emrin e All-llahut në ditë të përcaktuara për ato që Ai i ka furnizuar nga kafshë e bagëti.” (el Haxh, 28). Kurse dijetarët kanë thënë se ditët e përcaktuara janë dhjetë ditët e Dhulhixhes, ashtu siç është transmetuar nga Ibn Abasi [radijall-llahu anhu], se ditët e përcaktuara janë dhjetë ditët e Dhulhixhes.
Tekbiri bëhet kështu: “All-llahu ekber, All-llahu ekber, la ilahe il-lall-llah, vall-llahu ekber. All-llahu ekber ve lilahil hamd”. Ka edhe mënyra tjera për thënien e tekbirit. Tekbiri në kohën tonë pothuajse është harruar fare, veçanërisht në fillim të këtyre dhjetë ditëve nuk dëgjohet, vetëm se prej shumë pak personave. Duhet që ta ngjallim këtë sunnet e të përkujtojmë me të neglizhentët. Është vërtetuar se Ibn Amr dhe ebu Hurejra [radial-llahu anhuma] dilnin në punë në tregtinë e tyre. Me fillimin e këtyre dhjetë ditëve fillonin të bënin tekbir. Njerëzit i dëgjonin dhe po ashtu fillonin të bënin tekbir. Qëllimi këtu është se njerëzit e kujtonin tekbirin me dëgjimin e tekbirit të tyre, e secili pastaj bënte tekbir në vete, sepse nuk ishte për qëllim tekbiri i përbashkët me një zë. Ngjallja e suneteve të harruara ka sevap të madh. Ka thënë i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Ai i cili ngjall sunet prej sunetit tim i cili ka vdekur mbas meje, do të ketë sevapin e të gjithë atyre që punojnë me të deri Ditën e Kiametit, pa u marrë nga sevapi i tyre asgjë”. [Transmeton Tirmidhiu 7/443, hadith hasen]. Thotë All-llahu Fuqiplotë: “Më përmendni ju Mua, do t’ju përmend edhe Unë juve; më falënderoni dhe mos më mohoni.” Kur u pyet Ibnul kajim el-Xhauzi mbi komentimin e këtyre ajeteve, ai tha: “Përmendja e All-llahut sikur mos të ketë asnjë shpërblim tjetër përpos që All-llahu Fuqiplotë të të përmend ty, kjo do të mjaftonte”.

3. Agjërimi
Eshtë sunnet që muslimani të agjërojë nëntë ditët e Dhulhixhes. Sepse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na ka thënë të shtojmë veprat e mira në këto dhjetë ditë, e agjërimi është nga veprat më të mira. Është vepër për të cilën All-llahu Fuqiplotë ka thënë në hadith kudsij: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, vetëm agjërimi ai është për Mua e Unë shpërblej për të”. (Transmeton Buhariu).
Ishte Pjegamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i cili i agjëronte nëntë ditë të Dhulhixhes. Transmetohet nga Hunejdeh bin Khalid, e ky nga gruaja e tij, se disa nga gratë e të Dërguarit të All-llahut kanë thënë: “Ishte Resulall-llahu [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i cili agjëronte nëntë ditët e Dhulhixhes, ditën e Ashures, dhe tre ditë nga çdo muaj. Të hënën e parë të çdo muaji dhe dy të enjtet e tij”. (Transmetojnë Nesaiu 4/205, dhe Ebu Davudi; e ka saktësuar Albani). Thotë Profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Ai që agjëron një ditë për hir të All-llahut, All-llahu për atë ditë agjërimi e largon fytyrën e tij nga zjarri i Xhehennemit 70 vite”. Kurse agjërimi më i mirë është në ditët më të mira.

Në këto ditë të bereqetshme me vlerë të lartë, një nga ibadetet që All-llahu Fuqiplotë caktoi për besimtarët të cilët dëshirojnë t’i shtojnë veprat e mira, njëri nga adhurimet që i vlerëson edhe më shumë këto 10 ditë, është edhe namazi i natës. Thotë All-llahu në Kur’an: “Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin – namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm.” (Isra, 79) Gjithashtu All-llahu i Madhërishëm në suren Muzemil i drejtohet Profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me këto ajete: “O ti i mbështjellur! Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj. Gjysmën e saj ose diç më pak se gjysmën. Ose shto diç prej saj dhe Kur’anin lexoje me vëmendje.” (Muzemil, 1-4) Po ashtu, thotë All-llahu Fuqiplotë: “Zoti yt e di se ti dhe një grup i atyre që janë me ty kaloni në adhurim më pak se dy të tretat e natës ose gjysmën e saj, a një të tretën e saj. All-llahu e di gjatësinë e natës dhe të ditës dhe Ai e diti që ju nuk do të mund t’i përmbaheni asaj, andaj u lehtësoi juve, pra faluni duke lexuar Kur’an sa t’ju vijë më lehtë prej namazit.” (Muzemil, 20).
Pra, ti o i nderuar, pyete veten a dëshiron të jesh në shoqëri me Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]? A dëshiron të bëhesh pjesë e këtij ajeti i cili përfundon me mëshirë?

Thotë Poeti :

O burrat e natës, forcohuni
Duaja e natës nuk kthehet
Nuk ngrihet natën, përpos
Ai i cili ka krenari dhe seriozitet.

5. Leximi i Kur’anit
Kur’ani nuk është një grumbull shkronjash, e as një përmbledhje fjalësh e fjalish, por çdo shkronjë e tij posedon shpirt që i ngjallë zemrat e vdekura. Me leximin e Kur’anit ngjallet shpirti dhe qetësohet zemra e tërbuar. Thotë All-llahu Fuqiplotë: “A nuk qetësohet zemra me përmendjen e All-llahut?” Kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Lexojeni Kur’anin, pasi në Ditën e Kiametit ai do të vijë si ndërmjetës për ata që e lexuan”. Mendo që Ditën e Kiametit nuk do të ndërmjetësojnë për ty as babai e as nëna, por vetë libri i All-llahut, duke dëshmuar që ti ke qenë prej lexuesve të tij. Nuk është mirë për ty o vëlla që të kalojë një ditë pa lexuar Kur’an. Me çfarë e vërteton lidhjen tënde me këtë fe, nëse nuk mëson dhe lexon Kur’anin? E sidomos në ditët e zgjedhura. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Kush lexon një shkronjë nga libri i Zotit ka një të mirë dhe një e mirë shpërblehet me dhjetë të tilla…”

6. Lëmosha
Këto janë ditët kur ajo shpërblehet më tepër. Dijetarët thonë që, njeriu pasi vdes, gjëja e parë për të cilën pendohet më shumë është mosdhënia e sadakasë nevojtarëve. Qysh në momentet e para, do të thotë: “Ah sikur të kisha dhënë sadaka”. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Kush jep sadaka, qoftë dhe sa një kokërr hurme nga pasuria hallall, pasi Zoti nuk pranon veçse hallallin, do e marrë Zoti me të djathtën e tij, dhe e rrit dhe shton atë ashtu siç rrit ndonjëri prej jush mëzin e tij, derisa t’i shtohet dhe të bëhet sa mali i Uhudit”. Me këtë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i bën thirrje atij që ka dhe atij që nuk ka, që të japin sa të munden. Aisheja [radijall-llahu anha], kur dëshironte të jepte sadaka, e merrte monedhën dhe e parfumoste para se ta jepte. Kur e pyetën se përse e bënte këtë, tha: “E bëj pasi ajo do të bjerë në dorë të Zotit, para se të bjerë në dorën e të varfrit”. Thotë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një hadith tjetër: “Në çdo ditë që lind, dy melekë zbresin dhe thotë njëri: ‘O Zot, shtoja pasurinë atij që jep!’ Kurse tjetri thotë: ‘O Zot, shkatërroja pasurinë atij që nuk jep!” Thotë Zoti në një hadith kudsij: “O robi Im, jep që të të jap edhe Unë”. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Shtatë lloj njerëzish do të qëndrojnë nën hijen e Zotit ditën kur nuk do të ketë hije tjetër veç hijes së Tij… dhe një njeri i cili jep sadaka, pa e ditur dora e majtë se çfarë dha e djathta”. Thotë All-llahu i Madhërishëm: “A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diç tjetër, pos të së mirës!” Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Shuajeni zjarrin e gjynaheve tuaja me sadaka”; “Nuk bashkohet koprracia dhe besimi në të njëjtën zemër”; “Njeriu bujar është i afërt me njerëzit, i afërt me Zotin, i afërt me Xhennetin dhe larg zjarrit. Kurse koprraci është larg njerëzve, larg Zotit, larg Xhennetit dhe afër zjarrit”.
Shumë njerëz nuk japin nga pasuria e tyre sepse kanë frikë se ajo u pakësohet. Por Zoti në Kur’an na garanton që jo vetëm nuk pakësohet, por do të shtohet. Kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Sadakaja nuk e pakëson pasurinë”. Le të bëhemi neve shkak që me lëmoshën tonë ta shndërrojmë lotin e jetimit në buzëqeshje.

7. Karakteri i mirë
Thotë All-llahu i Madhërishëm: “Ti je me një moral të lartë”.
Muadh ibni Xhebel tregon se fjala e fundit që i tha Profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte që ta rregullojë sjelljen me njerëzit. Tha Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Nuk ka gjë më me peshë në Ditën e Gjykimit se sa sjellja e mirë me njerëzit”. Gjithashtu në një hadith tjetër thotë: “Njerëzit me besim më të përsosur janë ata që kanë sjellje më të mirë”.
Karakteri është i rëndësishëm për shkak të disa gjërave. Qëllimi kryesor i dërgimit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte përsosja e moralit. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një hadith thotë: “Nuk jam dërguar veçse për të përsosur moralet e larta”. Pra, qëllimi kryesor ishte përsosja e moralit, karakterit. Nuk do të ketë qetësi dhe lumturi asnjë lloj shoqërie pa moral. Morali i mirë është më i rëndësishëm, pasi qëllimi me të gjithë ibadetet e lartpërmendura është përsosja e moralit. Dhe nuk do të kishte fare vlerë adhurimi pa pasur moralin. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Turpi dhe besimi shkojnë gjithmonë bashkë, nëse hiqet njëri, do të hiqet dhe tjetri”.
Ka njerëz që për të thirrur dikë që banon në pallat, përdor borinë e ma¬ki¬nës duke shqetësuar këdo aty pranë. Dikush tjetër qesh me shokët me të madhe në mes të rrugës, pa iu skuqur fytyra se shqetëson të tjerët me këtë sjellje. Më e keqja është se këta njerëz mund të jenë edhe nga ata që falen në xhami. Dikush mund të mendojë se gjëra të tilla nuk kanë të bëjnë me fenë, por në fakt gjëra si këto janë thelbi i fesë. Nëse do të dish si e ke besimin, shiko se si e ke moralin dhe sjelljen. Nëse do të dish nëse je afër Zotit apo larg, më trego për moralin tënd.

8. Farefisi
Le të jenë këto ditë të mëdha ditë kur ti do t’i rregullosh raportet me farefisin tënd, do të largosh smirën nga zemra dhe do të zgjatësh dorën e pajtimit dhe ndihmesës, do të fillosh vizitat e farefisit . Thotë All-llahu Fuqiplotë: “A pritet prej jush (hipokritëve) që nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut?” Në një hadith, duke përshkruar etapat e Ditës së Gjykimit, Pejga¬m¬beri [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “… më pas vendoset ura e Siratit dhe në dy anët e saj Zoti vendos amanetin dhe farefisin, të cilët qën¬droj¬në njëri në krahun e djathtë të urës dhe tjetri në krahun e majtë. Sa herë që vjen dikush për të kaluar, e pyet amaneti: A i ke kryer detyrimet ndaj meje? Edhe farefisi e pyet: a i ke kryer detyrimet ndaj meje?” Pra, a e ke vizituar farefisin, a ia ke zgjatur dorën e ndihmës dhe a je munduar të zgjidhsh problemet me të cilat ballafaqohen ata? Transmetohet nga Ibën ebi Asim dhe Ebu Jala, nga një burrë i fisit Hetham, i cili e pyeti Profetin Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Cilat janë veprat më të dashura për All-llahun Fuqiplotë?” Tha i Dërguari i All-llahut: “Besimi në All-llahun e Lartësuar”. “E cila pastaj o i Dërguari i All-llahut?” Tha: “Mbajtja e lidhjeve familjare”.

9. Dita e Arafatit
All-llahu i Lartësuar e ka nderuar këtë ditë me shumë vlera dhe begati. Në vazhdim do t’i përmendim disa nga këto vlera:

Kjo është dita më e mirë
Transmetohet nga Xhabiri se Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Dita më e mirë është dita e Arafatit”. (Transmeton Ibën Hibani) Gjithashtu, Ibën Hibani transmeton se Resulullahu (Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që është më me vlerë tek All-llahu se dita e Arafatit. All-llahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote dhe lavdërohet me banorët e tokës ndaj banorëve të qiellit”. Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “All-llahu i Lartësuar lavdërohet me ata që qëndrojnë në Arafat tek engjëjt dhe thotë: ‘O engjëjt e Mi, shikoni robërit e Mi, më kanë ardhur të pakrehur, të pluhurosur (nga rruga) dhe duke sakrifikuar”.

Është dita e plotësimit të fesë dhe përmbushjes së begative
Transmeton Buhariu, ku thuhet se çifutët i kanë thënë Umerit: “Ju e lexoni në Kur’anin tuaj një ajet, po të na kishte zbritur neve do ta konsideronim (atë ditë që ka zbritur) festë për ne”. Umeri tha: “Vërtet, unë jam në dijeni kur ka zbritur, ku ka zbritur dhe ku ishte Resulullahu [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur zbriti; ajeti zbriti ditën e Arafatit kur ne ishim atje”. Ajeti është: “… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.” (Maide, 3) Plotësimi i fesë është bërë në këtë ditë pasi muslimanët nuk kishin bërë më herët haxhin dhe kështu u plotësua feja me këtë rit të adhurimit, i cili konsiderohet kushti i pestë i Islamit. Kurse përmbushja e begative është bërë me falje, pa të cilën nuk përmbushen begatitë, ashtu si thotë All-llahu i Lartësuar: “Ashtu që All-llahu të liroi ty prej mëkateve të mëparshme dhe prej atyre të mëvonshmeve dhe ashtu të plotësoi mirësinë e Vet ndaj teje në rrugën e drejtë.” (Fet’h, 2)

Është ditë e festës
Dita e Arafatit është ditë feste për muslimanët. Ukbe b. Amiri transmeton se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e parë e Kurban Bajramit, ditët e teshkrikut (tri ditët vijuese të Kurban Bajramit) janë festa jonë, ithtarëve të Islamit; ato janë ditë ngrënie dhe pijeje”. Po ashtu transmetohet nga Ebi Umame se Pejgamberi ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e nahrit (Bajramit) dhe ditët e teshrikut (Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Bajramit) janë festa tona dhe ato ditë janë ditë të ngrënies dhe pijes”. (Transmeton Ebu Davudi) Ibnu’l Kajjimi ka thënë: “Dita e Arafatit është feste për ata që janë në Arafat, kështu që nuk është e pëlqyer për ta agjërimi i kësaj dite”. Një çifut i tha Omerit: “O prijësi i besimtarëve, ju muslimanët e lexoni një ajet kur’anor që po të kishte zbritur tek ne, do ta merrnim ditën e zbritjes si festë”. “Cili ajet është ai?”, pyeti Omeri. Ajeti: “… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…”, u përgjigj çifuti. “Ne e dimë atë ditë dhe vendin në të cilin i ka zbritur ky ajet Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ishte duke qëndruar në Arafat në Ditën e Xhuma”, tha Omeri. Omeri, All-llahu qoftë i kënaqur me të, deshi t’ia bëjë me dije këtij çifuti se ky ajet, përveç që shënon fundin e misionit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me një ngadhënjim moral, shpirtëror, parimor e ideor mbi të keqen dhe pabesimin, ai ka zbritur në një vend të shenjtë dhe ka rastisur të jetë në ditë të madhe për muslimanët, pra në Ditën e Xhuma. Këtë shumë bukur e sqarojnë edhe shtesat e përmendura të hadithit, të aprovuara kuptimisht për plotësimin e domethënies së këtij hadithi edhe nga dijetari Ibni Haxher el-Askalani. Ai përmend shtesën e Is’hakut nga Kabisah: “Ka zbritur Ditën e Xhuma në Ditën e Arafatit; që të dyja për ne, falënderuar qoftë All-llahu, janë festa”. Si dhe shtesën e Taberiut dhe Taberaniut: “E këto ditë janë dy festa për ne”.
Arafati është festa e plotësimit të fesë sonë. Arafati nuk është caktuar rastësisht të jetë festë jona, sidomos kur kemi parasysh faktin se ai shënon përmbylljen e suksesshme të misionit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

Agjërimi i kësaj dite i shpaguan mëkatet për dy vite
Thotë Resulullahu (Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të!): “Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj që All-llahu të m’i falë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm”. (Transmeton Muslimi)
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “All-llahu e ka ndarë mëshirën e Tij në 100 pjesë; 99 i ka mbajtur tek Ai, ndërsa një pjesë e ka zbritur në tokë. Prej kësaj pjesë mëshirohen krijesat ndërmjet vete, saqë edhe kali nga frika se e shkel të voglin e vet e ngrit këmbën (dhe bën kujdes)”. Mëshirën e All-llahut me robër e përshkruan edhe ky hadith nga Omeri, All-llahu qoftë i kënaqur me të, i cili rrëfen për një grua e cila në mesin e robërve të sjellë tek Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kishte humbur foshnjën e saj, e gjeti dhe e ledhatoi e i dha gji. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “A mendoni se kjo grua do ta hidhte djalin e saj në zjarr?” “Jo, pasha All-llahun!”, thamë, “përderisa të ketë mundësi të mos e bëjë këtë”. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “All-llahu është më i mëshirshëm me krijesat e Tij se sa kjo grua me djalin e saj”. Nëse me një pjesë të mëshirës u arritkan gjëra kaq të mëdha, atëherë në Ahiret pa dyshim se ato 99 pjesë të mbetura do të mjaftojnë që neve All-llahu të na falë. Arafati është një stacion ku njeriu, para se të hyjë tek All-llahu, zbukurohet dhe stoliset me iman e pastërti shpirtërore ashtu siç duhet.

Kjo ditë është ditë e faljes së mëkateve dhe shpëtimit nga zjarri i Xhehennemit
Transmetohet nga Aishja [radijall-llahu anha] se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që lirohen më së shumti nga zjarri i Xhehennemit, se dita e Arafatit; Ai u Afrohet atyre, pastaj lavdërohet me ata para engjëjve dhe thotë: ‘Çfarë dëshirojnë ata?!” Ibën Abdulberri thotë: “Kjo aludon se ata janë të falur nga mëkatet, për shkak se All-llahu nuk lavdërohet me gabimtarët dhe mëkatarët, përveç pas pendimit dhe faljes”.
Thotë All-llahu: “E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin)…”.

Pse u quajt Arafat dhe çfar don të thot Arafat

Është thënë edhe ndryshe. Ibrahimit [alejhis-selam] i qe përshkruar ai vend dhe kur e pa me sy e njohu atë, kështu që u quajt Arafat.
Ngase njerëzit njihen ndërmjet vete dhe takohen në atë vend dhe atë ditë.
Njerëzit pranojnë (ja’terifune) mëkatet e tyre para All-llahut në këtë vend dhe kërkojnë falje.
Ngase njerëzit ngriten-hipin mbi kodrat e tij, kurse arabët çdo gjë që ngritet-lartësohet e quajnë Arefeh. Arafati ka edhe disa emra, si: Xhebelu’rr rrahmeh (Kodra e mëshirës), Xhebelu’llah (Kodra e All-llahut), Xhebelu’t teubeh (Kodra e pendimit), El-xhebel el-mukaddes (Kodra e shenjtë), Xhebelu’d dua (Kodra e lutjes), El-mesh’ar el-haram (Monumenti i shenjtë), Et-tajjib (I miri-bukuri), Es-sabru (durimi)… Arafati është përmendur një herë në Kur’an, ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kur të derdheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni All-llahun në vend të shenjtë.” Transmeton Imam Buhariu se Arafati është vend ku dukuria e pesimizmit flaket. Nëse Arafati është vend ku zbret mëshira e All-llahut, atëherë përse të ekzistoje pesimizmi në fjalorin e muslimanëve. Shikoni se si është mëshira e All-llahut, e pastaj binduni se Arafati është një reflektues i asaj mëshire. Në Arafat njerëzit qëndrojnë të përulur, penduar, luten e kërkojnë falje, pastaj të nesërmen shkojnë në shtëpinë e All-llahut dhe bëjnë ziaret (vizitojnë) Qabenë. Mu për këtë qëllim ky tavaf quhet tavafi i ziaretit. Pra, besimtari i pastruar nga mëkatet viziton All-llahun që fal e dhuron të mira shumë.
O ju që nuk patët shansin të shkoni në Arafat, kryejini obligimet e All-llahut kudo që të jeni!
Ai që nuk mundi të buaj këtë vit në Muzdelife, le të buaj në shtëpinë e tij me vendosmëri për ta adhuruar All-llahun përherë!
Ai që nuk ka mundur ta ther kurbanin e tij në Mina, le ta ther këtu epshin e vet!
Ai që nuk ka mundur të shkoje në Qabe, le t’i drejtohet Zotit të Qabesë kudo që të jetë, ngase Ai është afër!
All-llahu na mundësoftë kryerjen e Haxhit!
All-llahu na pastroftë nga mëkatet dhe gabimet!
All-llahu na pranoftë veprat e mira dhe na ruajt nga veprat e liga!

Prerja e kurbanit
Nga punët e mira në këto dhjetë ditë, e cila të afron për tek All-llahu i Madhëruar, është therja e kurbanit, therja dhe ndarja e tij sipas Sheriatit dhe shpenzimi i pasurisë në rrugë të All-llahut.
Kjo ditë i ngjanë ditës kur Ibrahimi [alejhis-selam] u urdhërua të therte djalin e tij, Ismailin [alejhis-selam], për kurban, por All-llahu Fuqiplotë ia zbriti një kurban të cilin Ibrahimi [alejhis-selam] e preu me dorën e tij dhe me këtë e vërtetoi premtimin dhënë All-llahut Fuqiplotë. Kjo ditë është më e vlefshme se të gjitha të tjerat te disa dijetarë, madje më e vlefshme edhe se dita e Arafatit. Resulullahu (Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të!) thotë: “Dita më e madhe tek All-llahu është dita e nahrit (dita e prerjes së kurbanit), pastaj dita e ballafaqimit me armikun”. (Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, dhe e cilëson Albani si të saktë) Thotë All-llahu Fuqiplotë: “Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde.” (Haxh, 37)
Prerja e kurbanit është nga adhurimet më të mëdha me të cilat besimtari ofrohet tek All-llahu Fuqiplotë. Thotë All-llahu në Kur’an: “Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” Kurse i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Nuk ka shpenzim më të mirë tek All-llahu pas lidhjeve farefisnore, se sa derdhja e gjakut (prerja e kurbanit)”.