Vota është më e frikshme se plumbi, më e zezë se nata dhe më e fshehtë se lepuri që ka nuhatë thellë orekset e gjahtarëve. Në anën tjetër vota mund të jetë lule që freskon dhe erëzon mjedisin. Ajo mund të jetë si ajo nusja që e kënaq burrin e saj në shtrat, por dendur e hidhëron nënën e burrit në kuzhinë. Vota është kuti e mbyllur, brenda së cilës gjenden me qindra kërkesa dhe derta që paqësisht i dhurohet kandidatit për deputet ose atij për kryetar shteti. Vota është përgjegjësi. Vota është urdhër dhe porosi. Vota është besëlidhje. Ajo nuk duhet të jetë si ujë deti që sado të pish sërish nuk mund ta shuash etjen.  Vota është një e drejtë ligjore. Vota ka rregulla. Përmes votimit mëtohet të sillen rregulla. Vota kufizon pushtetin e atyre që duan të monopolizojnë dhe oligarkizojnë çdo gjë. Vota është fre për ata që mohojnë Pushtetmbajtësin absolut. Vota është mundësi për ndryshme pozitive. Vota është besim. Po të mos i besosh kandidatit nuk do t’ia jepje votën. Vota është letër, edhe pse jo çdo letër është votë. Vota nuk është thjesht një letër e rëndomtë. Vota nuk është letër e bardhë, ndaj edhe votuesi nuk duhet të jetë fletë e bardhë për sa i përket njohurive se për kë ia vlen të votohet, ose edhe të shpallet e pavlefshme vota në raste të caktuara. Vota është kokërr misri. Hedhja e saj është mbjellje prej së cilës priten kallinj të shumtë misri.  Ajo është karburant që pritet t’i vërë në lëvizje motorët. Vota është një gur në mur, në kala ose në urë. Vota është leje për punë. Përmes votës do ta punësosh një deputet ose një kryetar shteti, i cili do të merr rrogë sa katër rroga mesatare. Ndaj edhe i zgjedhuri më së paku duhet të punoj katër herë më shumë se çdo punëtor dhe punonjës! Vota është shkas për takim me të zgjedhurin. Vota është gëzof zotërie. Në saje të votës i zgjedhuri do të jetë shërbëtor dhe votuesi zotëri. Vota është dëshmi e mendimit të lirë. Vota është ajo për të cilën ndoshta kam mundësi ta shkruaj një libër të tërë vetëm me përkufizime të ndryshme rreth votës, por këtu do të ndaloj për vazhduar në një pikë tjetër të të njëjtit rreth.
Në rregull, meqë vota ishte dhe është një e vërtetë e prekshme e kohës, mbase tejet e rëndësishme, atëherë po them se do të votoj. Po ta jap votën i nderuar kërkues dhe flakërues për pushtet. Porse kam një kusht! Kushti është të mos më vësh kushte. Mos harro se unë jam ai që jap kushte dhe jo ti, ngase unë jam zgjedhësi, kurse ti je i zgjedhuri, ti pa mua nuk do të mund ta shijosh vendin e synuar, ndërsa unë pa ty mund të jetoj ashtu si kam jetuar deri më tani pa asnjëfarë mëdyshje. Njerëzisht të them se mund të vish në shtëpi, apo mund ta dërgosh dikënd të besuar, të më ulesh një gjunj dhe jo të më përulesh, ngaqë edhe unë jam njeri si ti dhe lirshëm mi trego arsyet se përse unë duhet të të votoj pikërisht ty? Cili është hapi juaj konkret për sa i përket zhvillimit ekonomik e lirisë së të shprehurit? Cili është besimi juaj? Nuk më intereson nëse t’i ka ëndja lëngjet e gazuara apo lëngjet e pemëve! Për sa i përket lëngjëve mjafton të mos konsumosh alkool, në të kundërtën dije se unë alkoolistëve nuk i besoj, sepse shpesh i ndodh atyre ta humbin mendjen, ndërsa unë i frikësohem njerëzve të pamendtë. Kjo shpurë njerëzish të premtojnë ndonjë gjë dhe pastaj lehtas arsyetohen duke thënë se atëkohë kemi qenë të dehur, ndaj mos na merrni për të madhe! Si i ke marrëdhëniet me Zotin? Si do të më bindësh se unë ty duhet gjithsesi të të besoj? Këto dhe shumë mëdyshje a pyetje tjera mendoj t’ia parashtroj atij që do të ulet përpara meje duke ma kërkuar votën si të jetë një lypsar. T’ia rikujtoj; unë kam respekt të veçant për lypsarët, ngase kjo kategori njerëzish kanë zgjedhur një rrugë jo të lehtë për ata, shoqërinë dhe për dinjitetin e tyre. Ata kanë mundur të bëheshin vjedhësa e manipulues, ku unë dhe ti mund t’ia shihnim sherrin shumë, por ja që atë rrugë e kishin mohuar për ta zgjedhur kështu një rrugë tejet të mundimshme, ndaj ju që keni ardhur në prag të derës sime për ta kërkuar votën prej meje, mos u ndjeni të lënduar nëse ju hedhi në analogji ndonjëherë me lypsarët. Ngjashëm edhe ju kishit mund të bëheshit hajdutë, por ja që keni zgjedhur një rrugë tejet të vështirë për tu bërë deputet!
Pajtohem me ju që e kërkoni votën. Sigurisht se dëshironi ta ndryshoni një të keqe të pllakosur prej kohësh. Madje pajtohem edhe me atë që thoni se kjo dukuri e keqe do të hiqet e do të çrrënjoset vetëm në rrugë institucionale. E kam të qartë se për ta shporrur një dukuri të keqe nevojitet gërshetimi i shoqërisë dhe i shtetit. Në saje të këtij mirëkuptimi po ta jap votën,  poqë se ma jep fjalën se do ta mbash fjalën e dhënë përpara popullit. Nuk e di nëse je betuar në Zot se do të punosh për të mirën e kësaj shoqërie dhe të këtij vendi. Do të ishte shumë mirë nëse këtë do ta bëje, madje kjo do të ishte garanca më e besueshme se do të punosh për të mirën e krijesave. Në të kundërtën, do ta parashtroj një mëdyshje tejet të dëmshme. Me zëmadh (altoparlant) do të dal në tregun e gjelbër dhe do të pyes: “A nuk do të ishte më mirë që t’i shisnim votat me një çmim të kënaqshëm për neve dhe pastaj katër vjet të mos kërkojmë asfarëgjë prej askujt, të paktën do të na ngelnin paratë prej votës së shitur”? Jo, jo nuk do ta parashtroj këtë pyetje me tehe të mprehta. Nuk do ta shes votën, as nuk do të blej kandidat për interesa të ngushta vetjake përmes votës, porse do të kërkoj të jem i lirë dhe i pakeqkuptuar në rast se nesër do të kërkoj përgjegjësi për votën time. Unë ty do ta jap votën, por më siguro që nesër nëse nuk e mban fjalën e dhënë do të jem i lirë të të këshilloj që t’i kthehesh fjalës, nëse edhe pas kësaj nuk merr vesh, atëherë më lejo dhe mos mu hakmerr nëse haptas të them se ti je gënjeshtar, fjalëgëlltitës dhe hipokrit, të paktën mos u hidhëro nëse unë dhe miqtë e mi të thërrasim në emër e në mbiemra që as në ëndërr nuk do të dëshiroje t’i dëgjosh. Për më keq, nëse nuk e mban fjalën, pastaj më hakmerresh se përse kërkoj prej teje që ta mbash fjalën, atëherë dije se je njeriu më i lig dhe më i keq në botë, mallkimi i Zotit patjetër se do të kaplon. Nëse sot jo, nesër patjetër! Mbase mos harro se nesër, kur të afrohet sërish koha e zgjedhjeve, për mua dhe për miqtë e mi që shohin me dioptrinë morale do të jesh vetëm një hije e hienave dhe asgjë tjetër. Mos harro se nuk ka perde ndërmjet të dëmtuarit dhe Zotit. Mos mendo se unë jam fëmijë. As miku im nuk është i tillë sa të mashtrohemi aq lehtë. Përndryshe nëse do të ishim fëmijë, atëherë nuk do të kishim të drejtë vote, madje as që do ta dinim se vota është shprehje e mendimit të lirë dhe njëherësh përgjegjësi e madhe.