Taulant Xhaka po kalon ndoshta sezonin më të mirë të karrierës së tij, ndërsa kjo ka bërë që të vlerësohet edhe nga shtëpia e futbollit evropian UEFA.

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë ka pasur paraqitje të niveleve të larta si me ngjyrat kuqezi, po ashtu edhe me klubin ku aktivizohet, Baselin.
Paraqitjet e 23 vjeçarit sigurisht që nuk kanë kaluar pa u vënë re dhe nga specialistët e UEFA-s të cilët në faqen zyrtare të tyre e vlerësojnë maksimalisht mesfushorin madje duke e cilësuar si një nga befasitë më të madhe të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, transmeton Telegrafi.
“Komod si qendërmbrojtës, si mbrojtës krahu apo mesfushor, ai gjithnjë ka qenë një lojtar me zemër, por gjatë këtij sezoni të Ligës së Kampionëve ka treguar me elegancë se ai ofron shumë më shumë dhe thjesht agresivitet sportiv, vërtet një surprizë e bukur”, shkruhej në portalin e UEFA-s.
Kujtojmë që ditëve të fundit u përfol edhe për një interesim të Beshiktashit në drejtim të mesfushorit kuqezi, megjithëse ai rinovoi kontratën e tij me Baselin duke e bërë pothuajse të pamundur një largim në këtë afat kalimtar. /Telegrafi/