Njohësit e mirë të procesit zgjedhor në nënqiellin politik të Gadishullit Ilirik, me plot gojën dhe me të drejtë do të thonë se zgjedhjet vendore, presidenciale, të parakohshme, po edhe ato të jashtëzakonshme, jo gjithherë përçojnë mesazhe të qarta. Edhe në këtë pranverë të motit 2014 qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të përballen me dy të tilla, gjegjësisht me ato presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare. Si do të organizohen ato, ka pak rëndësi. Një është e vërtetë, edhe në këtë “vit politik” do të karakterizohen me ato telenovelat e bezdisshme, me atë muzikën tallava, me ato oferta a premtime të rrejshme, mbase edhe të sajuara, me atë logjikën makiaveliste, me filozofinë e injorimit të përcaktimit, me nëpërkëmbjen e mendimit ndryshe, me abuzimin e votës deliberative të sovranit, respektivisht të trupit votues…, me arrogancën kolektive, me inatet histerike të pakuptimta dhe homerike ndër shqiptarë.
Këtij procesi zgjedhor (ende pa filluar) do t’i bëhen hile dhe fyerje të mëdha…, do t’i ngjiten qindra e mijëra bishta, do t’i bëhen me dhjetëra komente serioze dhe pa numër të tjera joserioze, joprofesionale…, do të ketë edhe të tilla tmerrësisht me tarafllëqe. Këtij procesi që në zanafillë do t’i bëhen sondazhe politike (toptan të porositura e të paguara) nga lloj-lloj kompani të ashtuquajtura “të specializuara” për çështjet në fjalë. Në kontekst të kësaj,  gjithsecili votues i emancipuar (i kapluar këmbë e krye nga ankthi i brendshëm) do të parashtrojë me të drejtë pyetjen se pse duhet që në fillim t’i abuzohet dhe kontrabandohet e drejta e votës, pse duhet t’i nëpërkëmbet përcaktimi i tij kushtetues, pse e drejta e tij kushtetuese duhet gjithmonë të mbetet peng i partive politike…, do parashtrojë pyetjen se a mos vallë gjithsecili duhet t’ia kontestojë filozofinë e të menduarit ndryshe, pse e drejta e votës së tij duhet të përcaktohet ndryshe apo sipas qejfit të atyre që mëtojnë ta “zaptojnë pushtetin”!.
Sot, pas gjithë kësaj katrahure politike dhe kushtetuese, nuk është me rëndësi se kush do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare (hiq mënjanë ato presidenciale), nuk është me rëndësi se cila do të jetë adresa politike e atyre që “do të mashtrojnë”, fare nuk është me rëndësi se kush do të “trishtohet” nga disfata, ama hiç fare nuk është me rëndësi se cila do të jetë logjika e procesit të numërimit të votës…, pavarësisht se ajo do të viktimizohet pak a shumë (kjo gjithsesi se nuk na hyn në punë), nuk është me rëndësi se “rezultatet përfundimtare do të përmbysen në tavolinë”, nuk janë me rëndësi emrat që në vijimësi lakohen në diskursin politik shqiptar, emra këto që pak e humanizojnë dhe e emancipojnë imazhin e cilësdo qoftë parti politike (e gjithë kjo të krijon përshtypjen kinse në familjet e partive politike nuk paskësh figura të tjera politike). Ne do të vazhdojmë ta përsërisim fjalinë: nuk është me rëndësi fakti se “rezultatet” (me a pa të drejtë) në këto zgjedhje parlamentare do të shpallen paralelisht nga taborët kundërshtarë, pavarësisht se ato fillimisht duhet t’i bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe jo “Komisioni i Qendror i Vjedhjeve”(!?).
Për ne me rëndësi është fakti se cili do të jetë roli i medieve të shkruara dhe elektronike në procesin zgjedhor (si dhe denigrimi i moralit të konfiguracionit a gjeografisë së tyre) në veçanti propaganda politike, mashtruese, shpifëse, demagogjike si dhe përdorimi i mjeteve dhe metodave të tjera në përpjekje për t’i mobilizuar a për t’i mbushur mendjen votuesit se kujt duhet t’ia japë votën. Sot e gjithë ditën nga hapësirat e medieve të shkruara, po edhe vizuale, dalin lloj-lloj informacionesh. Detyra parimore e tyre konsiston në faktin që ato fillimisht të jenë humane, emancipuese dhe të drejta…, aq më tepër nëse ato i dedikohen të drejtës së lexuesit a dëgjuesit. Nëse lajmi del nga institucioni shtetëror nuk do të thotë gjithmonë të pranohet nga lexuesi. Është e drejtë e tij e patjetërsueshme të zgjedhë se çka do të lexojë ose do të dëgjojë. Do ta pranojë si “lajm me tamam” apo edhe si të shtrembëruar. Së fundi, është e drejtë e tij ta refuzojë pavarësisht se është i rremë, i sajuar, i vrazhdë  dhe me moral të dyfishtë, njësoj a përafërsisht si puna e Paul Jozef Gebelsit që qëndroi nga viti 1933 deri më 1945 në krye të Ministrisë për Propagandë të Gjermanisë, i cili me një rast kishte thënë: “Nëse e tregoni një gënjeshtër mjaft të madhe dhe vazhdimisht e përsërisni atë, populli më në fund do t’i besojë asaj. Gënjeshtra mund të mbahet për një kohë të atillë derisa shteti mund t’i hedhë popullit hi syve nga pasojat politike,  ekonomike të gënjeshtrës. Kështu gënjeshtra bëhet tepër e rëndësishme për shtetin në shfrytëzimin e tërë pushtetit për shtypjen e disidencës, sepse e vërteta është armiku i gënjeshtrës dhe, kështu duke u zgjeruar, e vërteta është armiku më i madh i (pu)shtetit”! (Autori i këtij artikulli përjashton çdo paralelizëm të thënies së ish-ministrit të  propagandës me zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Maqedonisë).
Roli politik i ambasadorëve. Asnjeri nuk mund të thotë se roli i ndërkombëtarëve në procesin zgjedhor është i papërfillshëm, andaj lirisht mund të parashtrohet pyetja se ç’kuptim dhe ç’qëllim kanë “ndërhyrjet (i) legjitime” të ndërkombëtarëve gjegjësisht të  ambasadorëve të huaj (të sistemuar në Shkup) në lidhje me zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare që do mbahen në Maqedoni, në veçanti në pjesën shqiptare!? Ç’kuptim kanë (dhe do të kenë) “qortimet, mesazhet a edhe këshillat” e tyre adresuar shqiptarëve…, mos vallë këto “këshilla” do t’i ndërgjegjësojnë njëherë e përgjithmonë lidershipët e partive politike shqiptare…, edhe për sa kohë kanë nevojë politikanët shqiptarë për kësi “këshillash“…, a mos vallë shqiptarët do t’u lejojnë ndërkombëtarëve edhe në të ardhmen të “fusin hundët”  në autonominë e organizimit të procesit zgjedhor (edhe ashtu të shëmtuar)!?? A mos vallë kjo  “ndërhyrje” të ambasadorëve ka për qëllim t’u ndihmojë shqiptarëve në ndërtimin e infrastrukturës (së re) morale, shpirtërore dhe politike!? Ndoshta këto janë mesazhe shtesë dedikuar shqiptarëve ndaj krijimit të standardeve  krejtësisht të ndryshme rreth procesit zgjedhor…, ose, tekefundit, është fjala është për një dëshirë të tyre për të mësuar diç më tepër për tiparet e karakterit të shqiptarit…, për avazet tona të vjetruara, për shpirtrat e trazuar të shqiptarëve apo diç tjetër që është karakteristikë jona kolektive!
Nëse e gjithë kjo që u nxor në pah ka të vërteta, atëherë pse gjithë kjo marrëzi e radhës e partive politike, përse duhet që këto zvetënime të dalin nga institucionet kushtetuese të “kontrolluara dhe të mbikëqyrura” nga partitë politike, përse institucionet e lartpërmendura edhe sot duhet “të mbeten me barrë nga një lidhje jashtëmartesore”(!???) Sa ka kuptim të thuhet se përse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të etiketohet si “komision qendror i vjedhjeve”!? Përse për disa politikanë të Shkupit nuk paskësh rëndësi fakti se çfarë ishte ngjyra e mesazheve të dala nga goja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e disa të tjerëve të Bashkimit Evropian të sistemuar në Shkup. Nëse të gjitha “faktet” që llafosin ngjarjet e lartpërmendura janë të parëndësishme, atëherë pse të mos jenë të rëndësishme provat dhe argumentet sa i përket përsëritjes së kësaj historie të gjymtuar.
Të shpresojmë që kësaj radhe nuk do të përsëritet ajo historia e shtrembërimit të statusit juridik të votës shqiptare, një status që sot e kësaj dite mbetet peng i partive politike, qofshin ato në pushtet a në opozitë. Të mos përsëritet nëpërkëmbja e votës së sovranit, të mos përsëriten inatet a edhe qejfet e politikanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë kuptim për mëhallët e tyre!?? Të mos përsëritet anashkalimi i votës së sovranit, vota të mos karakterizohet si e porositur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, të mos nëpërkëmbet, të mos konceptohet si jopersonale, si e kornizuar a edhe si e mohuar. Dhe që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, një dedikim i vullnetshëm e racional, demokratik dhe mbi të gjitha një gjest i lartë emancipimi, gjegjësisht çlirimi nga varësia e dikujt a e diçkaje, atëherë nuk duhet të ngacmohet! Se nuk do të ngacmohet e drejta e votës së sovranit, unë dyshoj.