Lajmi të cilit i trembeshin të gjitha klubet europiane është zyrtarizuar: Botërori i vitit 2022 do të luhet në dimër. Vendimi është marrë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s pasditen e së enjtes.
Është bërë e ditur gjithashtu edhe data e finales së madhe të Botërorit të Katarit: 18 dhjetor 2022.
Pra, turneu do të nisë në nëntor, periudhë kur klubet europiane janë në mes të kompeticioneve dhe mbetet për t’u parë si do të zgjidhet përplasja e datave të ndeshjeve nga ana e UEFA-s dhe FIFA-s.
Kjo do të jetë hera e parë në histori që një Botëror futbolli do të luhet në dimër. Arsyeja e kësaj zgjedhjeje është shmangia e verës së nxehtë të Katarit, vend në të cilin temperaturat arrijnë deri në 50 gradë.
“Do të jetë një turne që do të zgjasë 28 ditë. Në mbledhjen e ardhshme do të bisedojmë mbi kalendarin”, tha Walter de Gregorio, drejtori i zyrës së shtypit të FIFA-s.
/ Top Channel