Kompjuterët janë shndërruar vitet e fundit në miqtë tanë më të mirë, si gjatë kohës që jemi në punë ashtu edhe jashtë saj.
Megjithatë, ata janë ende larg perfeksionit. Çfarë duam të themi me këtë? Fatkeqësisht, ata kërkojnë konfigurime dhe mirëmbajtje të herëpashershme për të funksionuar me gjithë kapacitetin e tyre.
Duke qenë se edhe ne njerëzit nuk jemi perfektë, shpeshherë harrojmë ose neglizhojmë të kujdesemi për ta. Por t’i lemë mënjanë justifikimet.
Gjërat janë më të thjeshta nga sa duken. Mjaftojnë vetëm disa minuta për të kryer disa detyra të lehta që ndikojnë ndjeshëm pozitivisht në pajisjet tona elektronike. Për më tepër, disa prej këtyre detyrave mjafton t’i bëni vetëm njëherë.
1- Pastroni kapakun, tastet dhe ekranin. Një kompjuter i pastë ka jetëgjatësi më të madhe, duke qenë se pluhuri hyn nëpër hapësirat e tij dhe i bllokon ato (rasti i ventilatorëve: kompjuteri nxehet). Për më tepër, në një kompjuter të pastër punojmë me kënaqësi.
2- Bëni backup të dhënat tuaja. Nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë me kompjuterin në të ardhmen. Në këtë rast keni shumë mundësi, si Carbonite dhe Mozy, apo CrashPlan për raste të veçanta. Në to mund të zgjidhni edhe realizimin e backup-it në mënyrë automatike.
3- Ruajuni nga malware-t. Shikoni me kujdes se ku klikoni dhe mos harroni asnjëherë përditësimet e antivirusit apo skanimin e kompjuterit.
4- Përditësoni softuerët për të marrë azhurnimet e fundit si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në rregullimin e problemeve që ato mund të kenë. Secunia Personal Software Inspector skanon sistemin tuaj dhe gjen se cilët softuerë kanë nevojë për përditësim.
5- Organizoni skedarët tuaj. DropIt është një program që shpërndan skedarët tuaj nëpër foldera, sipas rregullave që i përcaktoni ju vetë. Për shembull, të gjithë skedarët që janë të formatit .jpg shkojnë në My Pictures.
6- Pastroni kompjuterin nga skedarët e panevojshëm. Gjatë kohës që jeni duke organizuar kompjuterin, ndoshta mund të vëreni shumë skedarë që nuk duhen më. SpaceSniffer është një aplikacion pa pagesë që skanon kompjuterin tuaj dhe ju tregon se cilat programe zënë më shumë vend. Më pas keni mundësinë për t’i çinstaluar ato. PC Decrapifier ju lejon të bëni disa çinstalime në të njëjtën kohë. Së fundmi, Ccleaner fshin të gjitha pjesët e mbetura të programeve pas çinstalimit të tyre. 7- Enkriptoni të dhënat personale. TrueCrypt është një program open-source pa pagesë që është mjaft i thjeshtë për t’u përdorur dhe ofron enkriptim të nivelit të lartë (krahasuar me ato që përdoren nga qeveritë për mbrojtjen e të dhënave).
8- Ndryshoni fjalëkalimet. Së pari krijoni një fjalëkalim të fortë, i cili të mos jetë fjalë në fjalor dhe të jetë të paktën 10 karaktere i gjatë. Përfshini shkronja, numra dhe shenja pikësimi. Nëse e keni vështirë të mbani mend fjalëkalime të cilat nuk janë fjalë, mendoni një fjali dhe merrni shkronjat e para të secilës fjalë të fjalisë. Mos përdorni të njëjtin fjalëkalim në shumë faqe të ndryshme në internet. Krijoni disa fjalëkalime shumë të sigurta për llogari si ato bankare apo të tjera po kaq të rëndësishme. Nëse keni vështirësi për t’i mbajtur mend, krijoni një formulë në mendjen tuaj, kur keni një fjalëkalim bazë dhe më pas ndryshoni vetëm disa karaktere (si për shembull numra) në faqe të ndryshme. Pra, tregohuni krijues në këtë pikë. Mbani një fjalëkalim tjetër për gjithçka që nuk është aq e rëndësishme. Së fundmi, mund të përdorni edhe programe për menaxhimin e fjalëkalimeve.
9- Optimizoni startup-in. Një nga momentet më acaruese kur ndezim kompjuterin është kur na duhet të presim shumë kohë për t’u hapur. Një nga arsyet është se nuk jemi kujdesur për ekranin fillestar dhe e kemi ngarkuar kompjuterin me programe të cilat fillojnë të aktivizohen që me ndezjen e tij. Në Ccleaner që përmendëm më lart, keni një opsion “Startup Programs” ku mund të shihni se cilat janë programet që aktivizohen që me ndezjen e kompjuterit.
10- Organizoni inbox-in. Një postë elektronike që është rrëmujë na shkakton shumë stres dhe na harxhon shumë kohë. Përpiquni të organizoni nëpër foldera apo me metoda të tjera që ofrohen nga e-maili, mesazhet tuaja elektronike.
11- Automatizoni gjithçka. Në Windows 7 ose Vista, kërkoni për Task Scheduler në Start menu (Start Screen në Windows 8) dhe klikoni Create Basic Task. Atje mund të krijoni detyra periodike për kompjuterin tuaj.
12- A duhet të bëni defragmentim të drive-rave? Nëse e keni përdorur për të paktën 2 vjet kompjuterin tuaj, atëherë ndoshta keni dëgjuar mbi rëndësinë e defragmentimit periodik të hard drive-it. Edhe pse kompjuterët e sotëm nuk pësojnë ndryshime drastike gjatë defragmentimit – krahasuar me drive-rat e vjetër – mbetet gjithsesi ide e mirë për të bërë defragmentim periodik për të reduktuar fragmentimin e rëndë me kalimin e kohës. Në Windows Vista, 7 ose 8, sistemi operativ e bën automatikisht defragmentimin njëherë në javë gjatë natës. Thjesht kërkoni për “disk defragmenter” në Start menu ose Start screen dhe klikoni rezultatin që dëshironi të shihni kur të ekzekutohet procesi. Nëse përdorni ende Windows XP, shkoni tek Start > All Programs > Accessories > System Tools > Disk Defragmenter. (PCWorld Albanian)