Duke e nisur me pyetjen e parë përmendim ajetin kuranor: ” Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertët e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (Ahzab 35). Ky është një ajet i cili ka zbritur posaçërisht për gratë.

Brunilda Zadeja

Profeti a.s. na bën të ditur se çdo foshnjë lind me natyrë të pastër, ndërsa prindërit janë ata që e devijojnë në fetë e gabuara. Hadithi ka për qëllim përbashkësinë e përkatësisë fetare ndërnjerzore, e cila në origjinën e saj [perkat.fetare], është një, e kulluar nga cdo shfaqje e ngjashme jo identike me të, është një aftësi që potencialisht i dhurohet natyrës humane për ta njohur botën dhe përshtatur veten asaj sipas ligjeve fetare. Themi “potencialisht” për shkak të devijimit të mëpasëm që përmendet në hadith, sipas të cilit potencialiteti fetar shndërrohet në një tjetër potencialitet që joçuditërisht ka për tendencë të mohojë të parin.
Duke e marrë si të mirëqenë faktin që thelbin tonë e përkufizon Islami, – sipas ajetit kuranor : “Ai edhe më parë, por edhe ky Kur’an ju quajti muslimanë “Haxh 78, – themi që këtë besim decizivisht nuk e përcaktojnë ritet aq sa e përcakton besimi i saktë në Zotin e vërtetë. Kjo është një nga mënyrat që percaktojnë diversitetin njerzor, i cili, duke iu referuar ajetit kuranor ”O ju njerëz,  vërtetë Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise ne mënyrë që të njiheni ndërmjet jush” (Huxhurat 13), si dhe hadithin e Profetit a.s. ”Të gjithë ju lindni me natyrë të pastër islame… “, duket sikur krijon kontradiktë midis dëshirës për përbashkësi fetare – të shfaqur në pjesën e parë të hadithit – dhe keqardhjes për pamundësinë e saj – të shprehur në pjesën e dytë të tij, e cila është analoge me ajetin e cituar më sipër: ”Ne ju bëmë juve popuj e fise në mënyrë që të njiheni me njëri-tjetrin”. Duke e ndalur parantezën këtu, pa dashur të hyjmë tek pjesa e ndjeshmërisë së të trajtuarit të gjërave, do të përpiqemi t’i kthejmë përgjigje pyetjeve që zbërthejnë temën tone: A është e mundur barazia brenda kuadrit të diversitetit të çdo lloji? Cfarë kuptojmë me barazi dhe si duhet përkufizuar ajo në raport me aftësitë dhe larmitë e jetës njerzore, e cila nga njëra anë është individuale (që përjashton format identike) dhe nga ana tjetër është sociale (që përthith format e ngjashme)? A është i nevojshëm diversiteti dhe në ç’mënyrë bëhet ai promotor njohës e zbërthyes i vlerave tona, qoftë negative apo pozitive?
Duke e nisur me pyetjen e parë përmendim ajetin kuranor: ” Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertët e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (Ahzab 35). Ky është një ajet i cili ka zbritur posaçërisht për gratë. Ummi Seleme, bashkëshorte e pejgamberit(a.s), mësohet t’i ketë shprehur atij habinë për faktin që në Kuran përmenden burrat e jo edhe gratë. Zoti iu përgjigj Ummi Selemesë me këtë ajet, duke na rrëfyer të gjithëve se, në marrdhënie me Zotin, vepra e mirë shpërblehet njëlloj, qoftë ky burrë apo grua, se përpara Tij të gjithë janë të barabartë.
Vazhdojmë vërtetimin e barazisë me thënien e Ibn Atait: ”Aisha është më e mira nga të gjithë njohësit e fikhut. Ka qenë më e ditura, dhe në krahasim me ata që e kanë rrethuar, gjykimi i saj ka qenë më i miri” (Ibn Haxher, El Isabe). Ajeti kuranor dhe thënia e Ibn Atait dëshmojnë qartë se barazia është e mundur pavarësisht dallimit më të madh ndërnjerëzor. Duke e marrë si pikë referimi këtë dallim, duke e konsideruar si rrethin më të madh konceptual, i cili brendashkruan të gjithë nivelet e përshkallëzuara të të gjithë llojeve të barazive, nga ai gjinor e me rradhë, pohojmë se barazia është e mundur të arrihet në çdo nivel diversiteti, mjaft të realizohet brenda atij që po e konsiderojmë si më të madhin dhe mjaft që të jetë qëllim në vetvete.
Për të përkufizuar barazinë nga gjithë sa thamë, na duhet të bëmë një parantezë duke iu referuar një thënieje të njohur sipas të cilës barazi nuk domethënë diametër i barabartë, por e drejta e gjithësecilit për t’u zhvilluar sipas diametrit të tij. Prej këtu dalim tek pjesa e tretë e pyetjes së parë rreth formave identike dhe formave të ngjashme, pra jetës individuale dhe asaj sociale, e drejta e individit dhe përgjegjsia për të tjerët, si e drejtë që parimisht përjashton lakminë për të qenë identikë me të tjerët, përvecse me veten, dhe për të qenë të përgjegjshëm si të tjerët.
Dëshira për të qenë identikë me të tjerët, na detyron të mohojmë veten, si shkaku nga ku nis devijimi i natyrës së pastër të të besuarit, për të cilën flet pjesa e parë e hadithit që përmendëm në fillim, dhe se të qenurit të përgjegjshëm për jetën në komunitet është pika e kthimit që kalon në po të njëjtët hapa nga ku kalon edhe dëshira për të qenë identikë, vetëm se në kah të kundërt. Kjo shpjegon se në ç’mënyrë potencialiteti i përmendur në fillim të esesë shndërrohet në një tjetër potencialitet që, jo çuditërisht, ka për tendencë të mohojë të parin, pikërisht duke i dhënë drejtim të ndryshëm lëvizjes së forcës humane që, sado e fortë, e zgjuar dhe e lumtur të jetë, pozitivitetin e saj e përcakton nëpërmjet drejtimit që merr. Brenda këtyre kuptimeve marrin vlerë shprehje të tilla si ato që favorizojnë varfanjakun besimtar kundrejt pasanikut kryeneç.
Duke konstatuar në këtë mënyrë që sistemi i vlerave përligjet vetëm prej Zotit si e drejtë ekskluzive e më të Zgjuarit do përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes se, a është e mundur barazia dhe në ç’mënyrë arrihet ajo brenda kuadrit të diversitetit gjinor, racor, ekonomik, kulturor, social etj, për ta zhvendosur bisedën në një nivel më konkret të ligjërimit, për të parë se si realisht funksionojnë në parim të gjithë gjërat e thëna më lart.
Barazia gjinore është një nga ekuilibrat më të rëndësishëm që, në mënyrë të drejtëpërdrejtë, përcakton standartin e jetesës. Është një ekuilibër për shkak të rregullave që bart dhe manifeston, e s’ka se si të jetë ndryshe, kur aktorët që e përbëjnë janë burri dhe gruaja. Sado larg diferencialisht të jenë këto gjini, apo sado larg që mund t’i duken njëri-tjetrit (sepse kjo varet nga fakti se sa i njohim rolet tona, kë marrim si pikë referimi për këtë dhe sa e respektojmë rolin e tjetrit) gjithsesi janë nga i njëjti lloj, për të cilin Allahu në Kur’an thotë: ”Dhe nga faktet e (Madhështisë së) Tij është që, për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë) ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë” (Rrum 21). Gjitashtu, Allahu në Kur’an thotë: ”Ne ju krijuam nga një pikë uji e më pas u shtuan burra e gra shumë”.
Por, Allahu thotë gjithashtu në Kur’an se: ”Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre” (Nisa 34). Zoti ka graduar disa mbi disa të tjerë, kjo është një e thënë e pakontestueshme e dëshmuar qysh herët, dhe e dëshmuar nga vetë historia njerëzore. Janë burrat ata të cilët me potencën e tyre kanë bërë historinë, – konstatim ky që nuk i përjashton gratë. Por për hir të së vërtetës, duke vazhduar me linjën logjike të ajetit të mësipërm, nëse pjesëmarrja e burrave në luftë, fjala vjen, ka qenë dhe është domozdoshmëri, pjesëmarrja e grave është mjaftuar me nevojën e përkohshme, ose me përmbushjen e ndonjë ndjenje personale që gjithsesi ka shkuar deri në kufinjtë e të lejuarës dhe jo në përgjegjësinë që të imponon detyra. Kjo vjen për shkak se natyrat tona ndajnë përgjegjësi të ndryshme e shpesh të pakëmbyeshme. Kjo nënkupton rrolin e pazëvendësueshëm të gruas në sfera të tjera shoqërore, publike a private. Duke mbetur në shpembullin e luftës, nëse gratë do të rrjeshtoheshin nën armë, nuk do mbetej kush për tu kujdesur për të vegjlit e të moshuarit e një populli në luftë. Kontributi i gruas në këtë rast, si edhe në shumë raste të tjera, është i fshehur, por jo i munguar.
Fatkeqsisht shpeshherë ky rrol i fshehur i saj është interpretuar si i munguar. Prej këtu zënë fill shumë telashe të tipit denatyrizues të gruas, e cila, për t’u ndjerë e rëndësishme dhe e vlerësuar “lakmon” të marrë përsipër punë që nuk mund t’i përmbushë dot. Pra në një farë mënyre ajo është imponuar të denatyrizohet sa herë që nuk është vlerësuar drejt. Në të vërtetë kontributi i gruas është i pazëvendësueshëm. Vigjilenca për të tjerët nën kujdesin e saj është vetë përgjegjësia, jeta, detyra e saj. Nëse ia arrin t’i përmbushë ka arritur suksesin e vërtetë. Por, e theksojmë, ajo ka për tu ndjerë e sukseshme dhe e motivuar vetëm nëse burrat dinë të kuptojnë dhe vlerësojnë rolin e saj.
Shoqëritë e sotme moderne, të cilat përpiqen ta shohin gruan si një forcë të barabartë me burrat në aspektin e të ardhurave ekonomike shfaqin mosvlerësim për rolin dhe kontributin femëror në tërësi. Kjo mendësi, priret të shvlerësojë punën brenda shtëpisë duke mbivlerësuar atë jashtë saj. Kjo vjen kryesisht për shkak të botkuptimeve moderne mbi suksesin, të cilat lidhen shumë me punën e paguar, me kërkimin e të ardhurave. Pikërisht, për këtë arsye, shohim shpesh artikulimin e shumë paragjykimeve për gruan myslimane, e cila, në mënyrë krejt qesharake stereotipizohet si shërbëtore.
Shërbëtore e kujt? E familjes së saj, fëmijëve, bashkëshortit, të moshuarve të saj? Përse qenka e sukseshme një dado e paguar, që kujdeset për fëmijët e botës, dhe nuk qenka e tillë ajo që kujdeset për fëmijët e saj? Mos vallë është më e denjë të jesh shërbëtore në shtëpi të huaj sesa në shtëpinë tënde? Përse të quhet e sukseshme një politikane që prej kohësh ka harruar identitetin si grua, për shkak të retorikës së vrazhdë që të imponon politika e sotme? Për ç’arsye gruaja duhet të pranojë të goditet nga mentaliteti që priret ta shohë më shumë si objekt tërheqës vizualisht sesa si  qenie e zgjuar dhe dobishme, siç ndodh sot masivisht?
Gjithë këto përse e të tjera që mund të pasojnë pambarimisht më bindin se përherë e më tepër po thellohet zhdukja e gjinive. Kjo fatkeqsi e kohëve moderne po shkatërron rrjedhimisht edhe larminë, diversitetin, burimin real të zhvillimit dhe civilizimit. Vetëm në saj të dualitetit gjinor, por jo vetëm, mund të formohet larmia dhe ndryshueshmëria që përbën dualitetin si kusht i domozdoshëm pa të cilin ai nuk do të ekzistonte. Në këtë këndvështrim është e çuditshme të flitet për barazi gjinore në aspektin e atyre cilësive të cilat në fakt duhet të na dallojnë e jo të na identifikojnë me njëri –tjetrin, sepse përndryshe, ç’kuptim dhe ndryshim do të kishte mes të qenurit burrë e grua. Barazia në fe legjitimohet brenda kushtit ku secila prej palëve vepron brenda natyrës së vet dhe jo duke këmbyer rrolet dhe funksionet. Të jesh grua e të funksionosh si burrë dhe anasjelltas është nje fenomen i përhapur që e dëmton shoqërinë, është një sëmundje që duhet identifikuar, pranuar, e më pas kuruar. Nëse jo, fatkeqsia e fuqia e destruktivitetit të saj, përveçse në rrugë të mbarë, do të na çojë ngado e kudo, atje ku rrugët e humbura janë falas…

Barazia gjinore kundër ngatërrimit të gjinisë