Fshati Korritë që shtrihet buzë Malit të Thatë, konsiderohet si një ndër vendbanimet shqiptare që më së shumti u terrorizua nga forcat ushtarake e policore maqedonase gjatë periudhës kohore nëntor 1944 – prill 1945. Nga dokumentet arkivore si edhe nga të dhënat që i ofrojnë vetë banorët e këtij fshati, kuptojmë se forcat e sipërpërmendura gjatë asaj periudhe kohore, bastisën fshatin disa herë me radhë, me ç’rast zbatuan një dhunë dhe terror të paparë ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Si rrjedhojë e asaj dhune, disa banorë vdiqën ndërsa disa të tjerë ngelën invalid të përjetshëm. Është e rëndësishme të thuhet se, një akt i tillë jonjerëzorë nuk ishte i rastit, përkundrazi, autoritetet ushtarake e policore maqedonase, këtë fshat e konsideronin si strehimore të atdhetarit dhe ushtarakut të mirënjohur shqiptar Xhemë Gostivari, i cili në atë kohë me disa veprimtarë tjerë nuk iu dorëzua të ashtuquajturit “pushtetit popullor”.
Në këtë shkrim të shkurtë nuk do të ndalime në dhunën dhe terrorin ndaj popullsisë së këtij fshati në atë periudhë, por për një tragjedi tjetër njerëzore, që ndodhi në dhjetor të vitit 1969, ku për shkak moskujdesjes, neglizhencës, apo thënë më mirë mosinteresimit të organeve shëndetësore të Gostivarit, vdiqën hiq më pak se 32 fëmijë nga fshati Korritë, të cilët ditë të tëra vuanin nga epidemia e lijës, përkatësisht fruthit.
Tragjedia e 32 fëmijëve të Korritës, shqetësoi tej mase mbarë opinioni shqiptar, të cilët për këtë drejtpërsëdrejti i fajësuan organet shëndetësore e politike të komunës së Gostivarit, të cilët nuk kishin marrë as çfarë masash preventive për parandalimin e kësaj epidemie në këtë vendbanim shqiptar.
Pas shumë reagimeve dhe revoltës së madhe që u krijua nga popullsia shqiptare, kryesia e komitetit Komunal të LK të Gostivarit, e pa të arsyeshme që në seancën e mbajtur më 11 maj 1970 që ta fusë në rend dite kjo ngjarje tragjike, që për shkak faktorit njeri solli deri te vdekja e 32 fëmijëve të këtij fshati. Muzafer Tufai, në cilësinë e sekretarit komunal të LK për Gostivar, para të pranishmëve vuri në dukje se një vendim të tillë komiteti e solli për faktin se “rasti i vdekjeve në fshatin Korritë “ ka shkaktuar “një sërë dukurish dhe implikime politike në komunë e më gjerë.” Në vazhdim ai shtoi se: “nga të dhënat e marra në vend ngjarje dhe burimeve tjera të dokumentuara, në Informatë në mënyrë të argumentuar është dhënë çdo konstatim, vlerësim, qëndrim, konkluzion dhe porosi” dhe se “mbështetur në këto, parashikimet tona janë se dukuria e dhimbshme e vdekjes së 32 fëmijëve në f. Korritë është pasojë e më shumë shkaqeve, siç janë: largësia e fshatit të sipërpërmendur, prapambeturia dhe besëtytnia e popullsisë, por, gjithashtu, edhe për shkak mosndërmarrjes me kohë të masave preventive dhe efikase nga faktorët përgjegjës.” “Komiteti komunal i LK” vazhdoi më tej Tufai: “duke mos dashur të futet në atë se a ekziston përgjegjësi penale, sepse kjo është kompetencë e organeve krejtësisht të tjera, por, sa i përket përgjegjësisë shoqërore, kjo gjithsesi se duhet të përforcohet. E gjithë kjo padyshim flet se në të ardhmen duhet të jenë shumë ma syçelë faktorët përgjegjës në qendrën Mjekësisë dhe në Komunë. Obligimi ynë shoqëror është të përpiqemi për parimin: E VËRTETA, NË RADHË TË PARË!”
Menjëherë pas fjalës hyrëse të Tufajit, u hap një debat i gjerë, ku nga procesverbali i dalë nga kjo mbledhje shohim se i njëjti ishte zhvilluar në një atmosferë tejet të acaruar, ku në sipërfaqe dolën dy mendime të kundërta. Përderisa përfaqësuesit e Qendrës mjekësore, tërë fajin e hidhnin tek “popullsia” përkatësisht prindërit e këtij fshati, të cilët sipas tyre “për shkak botëkuptimeve dhe paragjykimeve fetare nuk e kanë paraqitur rastin e epidemisë”, në anën tjetër, anëtarët e komitetit Komunal, patën mendim të kundërt, përkatësisht se: “vdekja e 32 fëmijëve” është “rezultat i moskujdesjes së mjaftueshme nga ana e Qendrës mjekësore të Gostivarit.” Ndër diskutuesit më të papërgjegjshëm gjithsej si se ishte “mjeku” Mirko Llazarevski, i cili duke i tejkaluar të gjitha rregullat dhe parimet në radhë të parë, njerëzorë e më pas edhe ato mjekësore, fajësoi popullsinë e fshatit Koritë. Ja se çfarë tha Llazarevski: “Lidhur me epideminë në f. Korritë, duhet të dihet natyra e sëmundjes. Që të mos paraqitet një sëmundje, përkatësisht të pengohet paraqitja e saj ekzistojnë më shumë faktorë, që më të rëndësishme janë: zhvillimi mjekësor, ekonomik dhe kulturor-arsimor. Ekziston ligj për vepër penale për mosparaqitje dhe vdekje nga epidemia. Prindërit me apo pa qëllim kanë kontribuuar për vdekjen e fëmijëve të tyre. Nga ana e qendrës mjekësore është ndërmarrë gjithçka çka është mundur dhe çka është dashur të ndërmerret dhe kjo mund të verifikohet nga organet zyrtare. Sipas meje një është e qartë se kanë dështuar këto dy faktor: faktori ekonomik dhe ai arsimor-kulturor, ndërsa këta dy lidhen ngushtë njëra me tjetrën. Se kjo është e saktë do ti paraqes vetëm dy fakte: për shkak varfërisë të gjithë apo thuajse të gjithë meshkujt gjenden në kurbet në botën e jashtme dhe, e dyta, edhe sot e kësaj dite ekziston besimi i rrezikshëm se kur fëmijët janë të sëmurë nga fruthi nuk duhet të pranojnë injeksion, që në mënyrë të qartë solli deri te komplikimet e rënda tek fëmijët të cilët ka mundësi që me ditë të tëra kanë luftuar me jetën dhe i kanë detyruar prindërit që ti dërgojnë te mjeku mirëpo ata skajshmërisht të pavetëdijshëm apo në turbullira të rënda i kanë fshehur, i kanë stërngrohur dhe çka është në kundërshtim me të gjitha ligjet mjekësore edhe me ndezje të rëndë të mushkërive, temperatura të larta, të lodhur dhe të rraskapitur pa lëngje thjeshtë fëmijët i kanë lënë të vdesin. Prandaj, nëse dikush është fajtor për vdekjen e fëmijëve kjo në radhë të parë janë prindërit e tyre, pastaj faktorët komunal dhe së fundi punëtorët shëndetësor të cilët nuk janë të gjithëfuqishëm dhe të cilët nuk janë në gjendje të kenë ekipe dhe mjekë për çdo fshat…”
Duhet të vihet në dukje se ndaj këtij fjalimi tejet antinjerëzorë të Llazarevskit, reaguan një numër i madh i pjesëmarrësve, që me këtë rast po e veçoj fjalimin e Aleksandër Ristovskit, i cili veç tjerash shprehet: “Të gjithë ata që dëshirojnë ta anashkalojnë këtë mendoj se gabojnë, duhet patjetër të jemi këmbëngulës dhe ta zbulojmë të vërtetën, duke pas kujdes që qëndrimet e marra të kenë shprehje të drejtë ndaj së vërtetës për faktin se ne jemi udhëheqës të kësaj komune. Sa i përket datës 29.XII.1969, mendoj se nuk ka nevojë e as kundër-argumente që e njëjta të ndryshohet sepse me hulumtimet plotësuese letra është gjetur dhe se të dhënat në informatën e Komitetit plotësisht përputhen, se më 30.XII.1969, është njoftuar qendra mjekësore, se të njëjtën ditë, përkatësisht deri më 16 janar 1970 nuk ka shkuar asnjë mjek në Korritë etj. Gjithashtu, është i saktë fakti se mjeku në Korritë ka qenë më 16 janar 1970, mirëpo gjatë vizitës nuk është konstatuar asnjë rast të sëmundjes ngjitëse. Gjithashtu, lidhur me këtë çështje ka edhe lëshime tjera për vizitat e kryera në fshatin Korritë, nuk janë evidentuar kontrollet mjekësore, nuk janë evidentuar mendimet e mjekut, përkatësisht diagnozat etj. Mendoj se, kur dëshirohet të arsyetohet rasti nuk do të duhej vetëm të mbrohemi, por nëpërmjet këtij rasti duhet patjetër ta shohim vetveten, dhe nëse ka fajtor konkret të ndërmerren edhe masa adekuate.”
Në fund të mbledhjes Komiteti Komunal i LK të Gostivarit, miratoi këtë konkluzion:
“Çështja e ndërlikuar lidhur me pasojat nga epidemia e fruthit në fshatin Korritë duhet të merr debat publik, zbardhje publike para kuvendit komunal, me çka do të dilej me komunikatë zyrtare të cilën nuk do të mund ta përmbys askush, kjo nënkupton se duhet të jetë maksimalisht objektiv. Komiteti i sugjeron kuvendit që këtë ta kryejë sa më parë me qëllim që të ndërpriten të gjitha komentimet e mundshme të gabuara në shtyp për këtë rast. Bashkërisht me këtë duhet të zhvillohet aksioni i gjerë shoqëror që të mënjanohen botëkuptimet brenda popullsisë dhe të përforcohet përgjegjësia shoqërore e personale te mbarë faktori përgjegjës në Qendrën mjekësore dhe në Komunë.”
Për sa u tha më sipër, shihet qartë se në çfarë gjendje të mjerueshme ishin shqiptarët në RS të Maqedonisë,në çdo porre të jetës. Madje, ndaj tyre mungonte edhe kujdesi i mirëfilltë shëndetësor nga ana e autoriteteve udhëheqëse republikane e komunale. Këtë mund ta shohim edhe nga fakti që, kjo ngjarje tragjike, kaloji vetëm me një vërejtje verbale, edhe pse të gjitha dëshmitë e zbuluara tregonin se fajtorë për vdekjen e 32 fëmijëve të fshatit Korritë, ishin të punësuarit në Qendrën mjekësore të Gostivarit.
Tragjedia e Korritës, tronditi thellë zemrat e bahkëatdhetarëve tanë në botën e jashtme. Organizata e mirënjohur shqiptare në SHBA – Lidhja Kosovare, nëpërmjet një letre ju drejtohet opinionit demokratik botëror, në të cilën shprehimisht thuhet: “Për ma tepër edhe sot e kësaj dite vazhdojnë shtypjet me metodat ma të rrafinueme e djallëzore, të cilave bota e jashtëme nuk asht tue ia vue veshin. Shembulli më i qartë për gjendjen e vajtueshme të popullsisë shqiptare në Jugosllavi asht lajmi i vdekjes së 30 e ca fëmijë shqiptarë nga LIJA. Duket pra haptas lanja mbas dore dhe pakujdesia kriminale ndaj krahinave dhe popullsisë shqiptare e Qeverisë Federale Jugosllave, në çdo lamë të jetës, si në atë ekonomike, politike, shoqnore, kulturave e sidomos në atë të kujdesjes shëndetësore.”
 
Doc1
 
New Picture