E lindur me përkatësi myslimane, e rritur me idetë krishtere, e rikthyer sërish në besimin islam. Është kjo historia e Elona Hoxhës, gruas me shami, e cila ka ndërruar disa herë besimin e saj fetar. Elona është rritur në rrugën pranë Selvisë në Tiranë. Në vitet ’90 ajo ishte një adoleshente e zakonshme.
Hera e parë kur shkeli në kishë ishte në moshën 13 vjeçare. Shkak u bë komshia, praktikante e krishterë. Predikimet e para i mori në Kishën Katolike në rrugën e Kavajës. Që nga ky moment Elona u kthye në frekuentuese të rregullt të meshave dhe riteve fetare. Në kohën e gjimnazit, ndoqi për një periudhë 3-vjeçare, kursin për besimin fetar biblik. Ishte jo vetëm besimtare, por edhe pjesë e korit të kishës. Në bisedë e sipër tregon se ajo ishte një kohë kur ndihej një besimtare e vërtetë, kjo për shkak të njohurive fetare që kishte marrë deri në ato momente.
“Besoja me shpirt. Në kishën ku bëja pjesë ndërmerrja dhe nisma humanitare. Tek mua ndikonin shumë edhe murgeshat që më jepnin mësim”. Në moshën 15 vjeçare, Elona u pagëzua. Kishte dy vjet që ishte bërë pjesë e kishës. Ajo vazhdoi të besonte në idetë e krishtera edhe për shumë vite të tjera.
Në vitin 1998, një ditë vjeshte, aty në rrugën e Kavajës ku gjenden pranë e pranë xhamia edhe kisha, një djalë vizitoi rastësisht institucionin fetar të katolikëve. Ndërsa ngjiste shkallët e kishës, sytë e tij shkëmbehen me ato të një vajze, që ishte Elona. Djali quhej Gentian. Ai ishte frekuentues i rregullt i besimit islam. Ishte një besimtar i devotshëm i cili falej 5 herë në ditë. Besimi në fe të ndryshme nuk i pengoi të rinjtë të takoheshin. Ata nisën të bisedonin për fenë e më pas të dashuroheshin.
Genti ishte një besimtar, që kishte përfunduar studimet për Teologjinë Islame në Arabinë Saudite. Ai kishte jetuar në vendin arabik për afro 8 vite. Elona ishte një vajzë që sapo kishte mbushur 18 vjeç, frekuentuese e rregullt e kishës. “Ai kishte njohuri shumë të mira për Biblën, ndërsa unë nuk e njihja fare Kuranin.”
Genti ka qenë ai që ka patur ndikim të madh te Elona. Përpos dashurisë ata kanë gjetur te njëri-tjetri edhe fenë e përbashkët. Elonës i kujtohet hera e parë kur ka shkuar në xhami. Mbante të varur në qafë kryqin. Gratë që kryenin ritualin e faljes e kishin parë me habi. Pas disa ditësh ajo e hoqi kryqin. Katër muaj njohje me Gentin, mjaftuan që Elona të konvertohej nga katolike në myslimane. “Nuk jam ndjerë kurrë e imponuar, çdo gjë e kam bërë më dëshirën time.”
Genti ishte mësuesi i parë për Elonën, i rregullave të Islamit. Elona frekuentuese e kishës nuk e kishte lexuar kurrë Kuranin. Ndërsa njohu Gentin njohu edhe librin e shenjtë të myslimanëve. Një vit pasi ishin njohur, çifti u lidh në fejesë. Ata shkuan në Haxh, në tokën e bekuar të fesë Islame “Teksa shkova në Haxh, m’u duk sikur rilinda, përjetova një ndjenjë të çuditshme dhe aty mendova që po, unë jam myslimane.”.Pas kthimit nga Haxhi, Elona vendosi të mbulohet me shami.
Kishin kaluar një vit e gjysmë nga njohja me Gentin. Thotë se zgjedhja ka qenë e lehtë. “E kam bërë më dëshirë të plotë, pasi e ndjeva së brendshmi. Isha e bindur në veprimin tim. Çdo gjë është me të ndjerë.” Genti i kishte thënë që mendohu mirë! Por ajo e kishte ndarë mendjen. Në mendimet e saj nuk kishte asnjë lëkundje. Vendosi të fshehë hiret e një femre brenda perçes dhe shamisë. Elona, me sy te shkruar nuk do të ishte me ajo vajza e gjimnazit “Partizani” me flokët e dendur gështenjë lëshuar dhe me minifund. Ajo do të ishte tani e tutje besimtare myslimane me shami.
“Shoqëria ime e kishës, u habit për faktin që unë ndërrova fe.” Këtu ndërhyn Genti: T’ju sqaroj diçka? “Ndryshimi ndërmjet nesh dhe të krishterëve është vetëm triniteti. Ata kanë atin, birin dhe shpirtin e shenjtë. Ne besojmë që Zoti nuk ka bir dhe është një i vetëm. Ky është ndryshimi. Kurani është pasardhësi i Ungjillit. Shumë gjera që gjenden në librin e shenjtë Islam gjenden edhe në Bibël, vetëm ndryshojnë emrat. Unë për vete nuk shikoj ndonjë ndryshim i madh. Unë e pranova Elonën siç ishte”- thotë Genti. Ndërhyrja e bashkëshortit shoqërohet me buzëqeshje nga Elona që i ndodhet në krah. “Të falesh, pesë vaktet e namazit në ditë siç falem unë, do të thotë që je shumë afër me Zotin. Në këtë fe, gjeta dhe përgjigjet e shumë pyetjeve. Gjatë mësimit biblik që kam bërë në kishë, kishte situata që nuk ishin të gjitha të qarta”, thotë Elona.
Genti dhe Elona u martuan pas 5 vite njohje. Ata kanë 3 fëmijë, Sarën (9), Nadian (7) dhe Enesitin (5). Pas 15 viteve së bashku ata thonë me bindje se besimi është i njëjtë. Rasti i këtij çifti është shembulli më i mirë i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare.(shekulli)