Sipas sociologut të njohur islam el-Kevakibi, ajo që më së shumti i lidhë myslimanët mes vete sot është prapambeturia.
Në 50 vjetët e fundit shtetet islame bënë disa hapa përpara por edhe më tutje mbeten më të prapambeturat e planetit. Të tendosur në kulturë, shkencë, sport, politikë e posaçërisht në fe, mbi një miliard e gjysmë myslimanë të ndarë dhe të përçarë, në dy shekujt e fundit luhaten poshtë e lartë pa ndonjë program gjithëpërfshirës. Pasojat e kolonializmit ende reflektojnë filozofinë imperialiste të DIVIDE ET IMPERA. Lindja, burimi i gjitha civilizimeve sot është një lodër në duart e Perëndimit.
Panta Rei, ligji mbi lëvizjen e pandërprerë të çdo gjëje në natyrë me sarkazëm thumbon myslimanët; Ata po lëvizin përpara sepse prapa nuk kanë ku të shkojnë më! Paqartësia e tundjeve në Lindje të Mesme janë tregues të kësaj gjendje, e megjithatë ngjarjet nuk kalojnë pa u vërejtur në Evropë. Perëndimi seriozisht po bënë “llogaritjet duhura”.
Shikuar nga kjo perspektivë nuk duhet çuditur nëse myslimanët devijojnë në këtë fazë të rizgjimit. Shërimi i një të sëmuri do kohë njësoj sikur i zgjuari nga gjumi i thellë që nuk këndellet shpejt, aq më shumë riparimi i shoqërive me anomali shpirtërore do përpjekje të mëdha. Konstatojmë se prapambeturia e shumanshme sidomos në fe dhe politikë shthuri myslimanët deri në atë masë sa është tepër rëndë më të drejtohet ajo që ishte shtrembëruar qëllimisht dhe për një kohë të gjatë.
Të nisemi nga feja! Myslimanët që moti lanë pas dore dy të tretat e islamit dhe pavetëdijshëm deroguan shumicën e Kuranit i cili me gjasë u interpretua sipas apetiteve dhe tekeve të individëve. Ata u përqendruan më shumë në ibadet të cilin edhe ashtu pjesërisht dhe vetëm formalisht e ushtrojnë. Islamit iu morën vlerat krijuese ku pushoi të jetë sistem jete. Mësimet dhe parimet të cilat dikur “bishën e egër” e shndërruan në njeri i hedhën në muze. E drejta sheriatike sot është e strukur në inventarin e vjetruar të bibliotekave. Dijetarët islam të shekujve të fundit më shumë u kujdesen për ti kënaqur apetitet e politikës se sa të shpjegojnë islamin si duhet. Intelektualët, të nevojshëm për frymëzim që fakihët s’mundën t’ia ofrojnë, atë e gjetën tjetërkund.
Koha moderne myslimanët i zuri në këtë gjendje. Pasi humbën betejën me intelektualët sekularistë, dijetarët islam u strukën brenda xhamive të cilat i shndërruan në vende vetëm për ibadet por jo siç ishin më parë; tribuna, shkolla, universitete e akademi. Jeta në përgjithësi filloi të menaxhohej nga sekularistët të cilët kundërshtojnë parimet fetare me pretekstin se ato janë stërvjetruar, si rrjedhojë u hap beteja mes shkencës dhe fesë. Duke dyshuar në rolin udhëheqës të islamit, filloi dërgimi i të rinjve nëpër universitete të huaja të cilët kur ktheheshin, islamin e interpretonin sipas frymës të vendeve ku kishin studiuar. Si përfundim pushteti ra në duart e tyre. Pushtetarët e tanishëm që pushtetin e kishin peshqesh por jo të merituar, për të ruajtur pozitat e veta detyrimisht përhapën totalitarizmin. Nga ana tjetër, dijetarët e përqendruar nëpër teqe e xhami, të “dehur” nga përrallat e 1001 netëve me gjithë shpjegimet dhe përshkrimet ekstravagante të miraxhit, xhenetit dhe xhehenemit, masave u prezantojnë një islam të shëmtuar. Rinia u gërdit me të veten dhe kënaqej me atë që ishte e huaj. E kaluara e ndritshme shekullore në sytë e rinisë mbeti pa vlerë andaj edhe lëvizi drejt gjetjes së vlerave të reja. Lindja e Mesme sikur edhe shoqëritë tjera myslimane u lëkundën seriozisht. Lindi nevoja për një pranverë të re.
Pranvera Arabe tregoi se të harrosh dhe poshtërosh thesarin dhe historinë tënde rrezikon të poshtërohesh dhe harrohesh për së gjalli. Zëvendësimi i shëmbëlltyrës së kolosëve të historisë si Ebu Bekri, Omeri dhe Aliu me diktatorë dhe korruptues është mëse ofenduese. Drita e Zahaviut, babait të lirisë së mendimin politik në islam u shua nga qirinjtë pa dritë të politikanëve si Fejsali, Husejni, Naseri e Gadafi. Nacionalizmi i dha grushtin më të fortë unitetit dhe kontributit të myslimanëve. Nacionalizmi arab është shkaktari kryesor i kolonializimit të tokave islame. Nga një popull unik u krijuan entitete armiqësore mes vete. Mbretërit dhe monarkët që për ironi disa i quajnë kryetarë nuk janë të zgjedhur por të ardhur me dhunë ose të emëruar nga jashtë.
Farsi i Farabit dhe Ibn Sinës dikur ishte djepi i arsimimit ndërsa pas ndarjes në kufi nacional, për nacionalizmin arab është armiku kryesor. Irani, pra, në vend të frymës së përbashkësisë islame ringjalli mitin e Kirit dhe Kambizit. Kultura persiane krejtësisht u tjetërsua. As në Turqi nacionalistët nuk ishin më pak. Një kohë, republika e Ataturkut luajti rol të rëndësishëm në parandalimin e depërtimit të komunizmit nëpër Anadoll dhe nga andej gjithkund ku flitej urtishtja. Më vonë, turqit u hasmuan me arabët më shumë se me cilin do popull tjetër. Edhe Egjipti në vend të Amër Ibn Asit dhe Shafiut promovoi civilizimin faraonik në të cilin për ushqim, krokodilëve u hidheshin robërit e lodhur që ndërtonin piramidat. I diplomuar në universitetin e Kajros, aty ku  Sead Zagluli përhapi idenë separatiste kombëtare egjiptiane, Sadam Husejni e shndërroi Irakun, djepin e dikurshëm të ushtarëve kundër tiranisë në fabrikë të nacionalizmit arab. Për këtë të fundit një historian i shquar tha: “Është e ndershme dhe obligim yni që në zemër të Evropës ti ndërtojmë statujën, sepse ai shpëtoi Evropën nga Islami”. Edhe Siria, cepi i Bizantit të vjetër në Lindje të Mesme si dhe Shami i Omajadëve, dikur ishte akademi në vete nga ku dolën përkthyesit më të rryer të Platonit, Aristotelit dhe kulturës helene, ndërsa sot si një pronë private e familjes së Asadit është bërë varr masiv i qytetarëve, të gjallë dhe të vdekur.
Shoqëritë arabe edhe një herë janë në këmbë, por prapë me nacionalizimin përpara. Lindja e Mesme e cila vazhdon të jetë nën llupën e Perëndimit në masë të madhe po refuzon Islamin të jetë promotor i jetës atje. Nëse demokracia në Perëndim pati sukses, në Lindje të Mesme vështirë do ta ketë. Arsyeja është e thjeshtë: Përderisa shoqëritë perëndimore në dy shekujt e fundit promovuan vlerën e lirisë në shoqëritë myslimane ushtrohej dhunë. Demokracia nuk e duron as dhunën e as stomakun e zbrazët, aq më pak imponimin.