Në llogarinë (planin) e All-llahut asgjë nuk është e rastësishme dhe asgjë nuk është e paqëllimtë. Çdo gjë ka masën e vet të vërtetë dhe çdo gjë ka qëllimin  e vet të vërtetë. Edhe Ramazani, në këtë rast, është qëllimi i  vërtetë në jetën e njeriut, në të cilën ai mund të paranjohë suksesin e kësaj botë dhe shpëtimin e lumturinë e asaj bote. Sepse në Ramazan është përcaktuar agjërimi në të cilin njeriu mund të ndiejë dlirësinë (pastërtinë) e shpirtit të fëmijës, të përjetojë gëzimin e lirisë nga robëria trupore, të kuptojë barrën e përgjegjësisë së adoleshentit para Zotit dhe vetes.
Njeriu jeton në këtë botë në labirinthin e rrugëve të gabuara dhe kurthave të ndryshme që duan t’ia robërojnë shpirin, t’ia pushtojnë mendjen dhe t’ia përvetësojnë zemrën. Numri  i tyre është i madh, por ne këtu po përmendim vetëm dy kurthat e mëdha të kësaj kohe që janë droga dhe alkooli. E në këtë rast roli i agjërimit është i pazëvëndësueshëm. Ai është mënyra dhe mjeti me i fuqishëm i shpëtimit nga kurthat e dukurive negative dhe të kobshme të kësaj kohe dhe rruga më e mirë për të dalë nga jomorali dhe pashpresa.
Trupi është si guaska me shume kapakë. Ata kapakë e mbrojnë shpirtin nga të ftohtit dhe të nxehtit e dunjallëkut, por ato janë barrë për shpirtin, atëherë kur shpirti u dorëzohet atyre dhe kështu kapakët e shtypin me shkaqet e dunjas që të heq dorë nga liria e tij qiellore dhe të pranojë robërinë trupore. E skllavëria trupore jo vetëm që është mëkati më i madh ndaj Zotit  dhe shpirtit vetjak, por ai është forma më e keqe dhe më e rrëzikshme e robërisë, e cila jo vetëm njëherë i ka sjell fatkeqësi njerëzimit. Vazhdimisht gjatë historisë kur shipri njerëzor nuk ka mundur t’i rezistojë kërkesave lakmitare të trupit, dhe është pajtuar të bëhet rob i tij, e jo zotëri i vetes, njerëzimi ka vuajtur dhe e ka pësuar nga sëmundja e SID –ës dhe nga fatkeqësia e bombës. Kanë rënë mbretëri, janë rrënuar qytete, janë djegur tempuj, janë vrarë fëmijë, janë përdhunuar gra, e keqja është quajtur e mirë, e shëmtuara është dukur e bukur, atëherë kur shpirti i pastër njerëzor është përlyer me kërkesat e sëmura të trupit. Së këtejmi duhet të na jetë i qartë edhe hadithi i Pejgamberit të All-llahut (s), të cilin e transmeton Ebu Hurejre, e i cili thotë:
“Janë tri gjëra që e shpëtojnë dhe tri të tjera që e shkatërrojnë njeriun. E shpetojnë ndërgjegjia për praninë e All-llahut të Lartësuar në fshehtësinë dhe jofshehtësinë e shpirtit të tij, pastaj të thënët e së vërtetës në të dyja rastet edhe kur është njeriu i gëzuar edhe kur është i hidhëruar, dhe maturia e njeriut kur është në bollëk edhe kur është në varfëri.
Dhe tri gjëra që  e shkatërrojnë: E shkatërron lakmia e dunjas, pastaj koprracia e vetëdijshme dhe mendjemadhësia që është edhe më e rrezikshmja.”
Nuk ka ilaç  për këto sëmundje, përveç se në besimin në Zot, në namaz dhe zekat, ndërsa agjërimi në këtë rast është i pazëvëndësuseshëm.
Prandaj, vlera e muajit të Ramazanit,  qëndron në begatitë e tij dhe dobitë e tij të mëdha, mirëpo besimtari duhet ta dije se edhe shpërblimet për të janë të mëdha, madje më të mëdha se veprimet e njerëzve. Për të kuptuar shkallën e shpërblimit të agjërimit, po citoj disa hadithe të Muhammedit (S): “Kush  agjëron një ditë për hir të kënaqësisë së Zotit, All-llahu (xh. sh.) do t’ia mbrojë fytyrën e tij për 70 vjet nga zjarri i xhehennemit.”
Ebu Hurejre transmeton hadithin në të cilin Muhammedi (a,s) ka thënë: “Çdo punë të mirë të bijve të Ademit, Zoti (xh.sh.) e shpërblen dhjetëfish deri në 700 shkallë, përveç agjërimit. Për agjërimin ka shpërblim që s’mund të matet me asgjë, sepse agjërimi nuk mund të bëhet pa sabër, pa durim, All-llahu (xh.sh.) për durimtarët ka thënën: “Vetëm ata që janë të durueshëm (të qëndrueshëm) do të shpërblehen pamasë.” (Ez-Zuber: 10).
All-llahu (xh. sh.) në një hadith kudsijj thotë: “O djal i ri, o ti që frenon epshin tënd në emrin Tim dhe kalon rininë i nënshtruar ndaj Meje, ti në sytë e Mij je si meleku im.”
All-llahu (xh.sh.) përsëri thotë: “Shpirti s’mund të dijë se çfarë kënaqësish të fshehta e presin atë. Ky është shpërblimi për atë çfarë keni punuar.”
Të gjitha ibadet i takojnë All-llahut (xh.sh.), por agjërimi është krenar sikur Qabja. Çdo gjë në këtë botë ka një karakteristikë, karakteristika e agjërimit është abstenimi dhe sakrifica, ai është vepër e shpirtit, i fshehur nga shikimi publik, kurse vepart tjera të mira shihen. Askush, përveç All-llahut nuk e sheh agjerimin, sepse agjërimi është ibadet i fshehur në durim të sinqert.
Koha e Ramazanit është koha e mendimeve të pastra dhe veprave të mira. Agjërimi në këtë muaj, e ngre jetën tonë individuale dhe kolektive në një shkallë më të lartë devotshmërie, butësie, dinjiteti e përgjegjësie. Agjërimi është gjendje e veçantë e shpirtit, ku forcohet rezistenca jonë përball sprovave të dynjasë dhe bëhet më i fuqishëm vullneti ynë për çdo gjë që është e mirë dhe e drejtë.
Duke agjëruar, forcojmë vullnetin dhe e mësojmë atë për durim; agjëruesi përballon urinë edhe pse e ka përpara ushqimin e këndshëm, përballon etjen e para tij është uji i ftohtë, askush nuk e përcjell përveç Zotit të tij dhe nuk e drejton përveç ndërgjegjies së tij, askush nuk e ndihmon përveç vullnetit të tij të fuqishëm , e kjo zgjat 15 orë a më shumë, për çdo ditë, një muaj të tërë, për çdo vit. Cila shkollë e edukon vullnetin e njeriut dhe e mëson për durim të qëndrueshëm sikur shkolla e agjërimit, që e hapi Islami dhe e bëri të obligueshme në kohën e Ramazanait dhe fakultative jashtë Ramazanit.
Ramazani është një rast që t’i mbledhim forcat e seriozitetit tonë dhe nënshtrimit ndaj vlerave, të cilat gjithmonë e kanë bërë të shkëlqejë populli ynë: pastërtia e shpirtit dhe e trupit, gëzimi në fytyrë, sinqeriteti në zemër dhe vëndosmëria në rrugën  e drejtë. Ky muaj, nuk është vetëm rast, por edhe obligim që tërë jetën tonë, si në aspektin shpirtëror ashtu edhe material, të përpiqemi ta harmonizojmë me parimet dhe frymën e Islamit.
O Gjithfuqishme All-lla, na shpëto nga robëria trupore dhe na dhuro lirinë shpirtërore.
O All-llahu i Gjithdijshëm, na mëso si të luftojmë me agjërim kundër të keqës, e cila e shkatërron trupin tonë dhe shpirtin tonë. Amin